Meta falënderon Djukanovic-in për vëmendjen ndaj shqiptarëve në Mal të Zi

Djukanovic - Meta - Dinosha (2)Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta falënderoi Kryeministrin e Malit të Zi Milo Djukanovic-in për vëmendjen ndaj shqiptarëve në Mal të Zi, përderisa shqiptarët ende ballafaqohen me diskriminimin dhe mohimin e të drejtave elementare!

Në kuadër të Sesionit Plenar të Pranverës të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po zhvillohet këto ditë në Tiranë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Djukanovic.

Kryetari i Kuvendit, Meta e falënderoi Kryeministrin Djukanovic për pjesëmarrjen në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe duke e uruar për firmosjen së fundmi të protokollit të anëtarësimit mes Ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s dhe Malit të Zi, e siguroi Kryeministrin Djukanovic se Kuvendi i Shqipërisë do të jetë parlamenti i parë që do të ratifikojë anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior.

Në këtë drejtim, Meta u shpreh se Shqipëria, e bindur për rëndësinë që stabiliteti i Malit të Zi ka për tërë rajonin tonë, mbështet pa rezerva progresin e vendit fqinj drejt integrimit të plotë euro-atlantik dhe vuri në dukje se Shqipëria dhe Mali i Zi qëndrojnë krah për krah në sfidat rajonale dhe globale me të cilat po përballet Bashkimi Evropian dhe NATO.

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Djukanovic shprehu mirënjohjen e thellë ndaj mbështetjes së pakursyer dhe gjithnjë të qartë të Shqipërisë dhe vuri në dukje se marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve fqinje janë një model për të gjithë rajonin.

Gjatë takimit, Meta dhe Djukanovic biseduan edhe mbi të drejtat e pakicës kombëtare shqiptare në Mal të Zi, duke ndarë bindjen e përbashkët se të drejtat e pakicave janë një vlerë e shtuar për çdo vend të rajonit, ashtu si në të gjithë vendet anëtare të NATO-s.

Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Kryeministri Djukanovic u informuan prej Ambasadorit të Malit të Zi në Shqipëri, Ferhat Dinosha mbi debatet e fundit rreth përdorimit të disa përkufizimeve shqetësuese në fjalorin e gjuhës malazeze nga ana e Akademisë së Shkencave të Malit të Zi, ku u nda bindja e përbashkët se terminologjitë e përdorura shkojnë ndesh me karakterin autokton të shqiptarëve të Malit të Zi.

“Kam falënderuar Kryeministrin Djukanovic për vëmendjen që ai i ka kushtuar vazhdimisht minoriteteve në vendin e tij, sepse ky është një element mjaft i rëndësishëm edhe për standardet e një vendi anëtar të NATO-s dhe kam dëgjuar më kënaqësi angazhimin e tij për të forcuar më tej dialogun me shqiptarët në Malin e Zi dhe me pakicat e tjera për t’i avancuar më tej të drejtat e tyre, siç i takon një vendi anëtar të NATO-s dhe Bashkimin Europian”, – tha Meta.