“Mos dvet se të kallxon vetë” – Shkruan: Prof. Dr. Anton Kolë Berishaj

Anton-K-Berishaj

Redaksi e nderuar e Malësia.org

Fillimisht ju përgëzoj për politikën e hapur redaktuese dhe korrektësinë që manifestoni me rastin e publikimeve të mendimeve ndryshe. Unë, si autor i një shkrimi të botuar në portalin Analitika dhe në të përditshmen malazijase “Vijesti” (shkrim ky që u publikua edhe në portalin tuaj, në gjuhën shqipe), muaj më parë, lidhur me Fjalorin e gjuhës popullore dhe letrare malazijase, u angazhova për trajtimin korrekt të zërave që kanë të bëjnë me gjuhën, kulturën dhe historinë tonë. Është e vërtetë që kalimthi e apostrofova edhe emrin e Kapllan Resul-Buroviqit, por jo për të replikuar me atë, por thjeshtë për të krijuar pretekst për qasje shkencore, debat dhe analizë të mirëfilltë lidhur me dukurinë sistematike të shtrembërimit, falsifikimit dhe përvetësimit të historisë, vlerave dhe territoreve shqiptare.

Meqë, z. Buroviq reagoi me një shkrim (për mua aspak të befasishëm), ku përveç denigrimit të personalitetit tim (duke më ndryshuar madje edhe emrin, sigurisht për t’i krijur shokë vetes), ndjej obligim t’i them dy fjalë. Ky reagim të mos kuptohet as të përjetohet si refleksion i ndonjë ndjeshmërie të sedrës time. Meqë jam gjithnjë i prirur që – jo vetëm për personin në fjalë, por për këdoqoftë që ka vujatur burgje nëpër kazamatet e shteteve komuniste për mohim të së drejtës së shprehurit dhe fjalës së lirë, ndjej dhembje dhe ndaj mllefin me atë. Siç e dimë, ata nuk ishin të pakët dhe bota demokratike këtë ngulfatje – sidomos të intelektualëve e ka gjykuar dhe vazhdon ta gjykojë. Mirëpo, ajo që nuk duhet anashkaluar dhe toleruar në paraqitjet dhe publikimet e z. Buroviq është qendrimi i tij ndaj historisë, vlerave dhe të drejtave shqiptare – qoftë brenda kujfive të shtetit amë, qoftë të popujve pakicë në shtetet fqinje. Nuk është i vetmuar rasti i tij që ka vuajtur dënime (nga aktakuza të cilat është vështirë të kuptohen), mirëpo është i veçantë për nga qendrimi denigrues ndaj gjithë asaj që është shqiptare. At Zef Përllumbi, At Simon Jubani e shumë të tjerë që patën fatin e keq që të përjetojnë trajtimin më çnjerëzor nëpër burgjet e Shqipërisë komuniste, në rrëfimet e tyre pas rënies së komunizmit – nuk e kursyen regjimin, por nuk e humbën torruan që të shkretojnë në formën që po e bën ky njeri. Mohimi i vetëvetes shkon përtej metamorfozës socio-biologjike. Ai është tjetërsimi nga vetëvetja, nga trungu, nga gjaku etj., që, mendoj unë, nuk mund të arsyetohen me asnjë torturë (për të cilat jam i sigurtë se kanë qenë çnjerëzore).

Përvojat e njerëzve janë të ndryshme, disa më të dhëmbëshme e disa më të durueshme. Pas procesit të deinstitucionalizimit të popullit shqiptar në Kosovë, mbylljes së shkollave dhe universitetit, Radios dhe Televizionit të Prishtinës, ”Rilindjes” si medium i vetëm ditor i shkruar, largimit masiv të shqiptarëve nga puna etj., jo të gjithë u solidarizuan me popullin e vetë. Disa (edhepse të pakët në numër), vazhduan të punojnë, i pranuan masat e dhunëshme dhe iu bindën regjimit të Millosheviqit. Një koleg, kohë më parë më rrëfei një ngjarje nga ajo kohë e zymtë, ngjarje kjo krejt banale meqë lidhej me pagesën e një kundërvajtjeje në komunikacion, si kusht për të rikthyer patentin e shoferit. “Shkova – rrëfen ai, iu drejtova një zyrtari në gjuhën serbe dhe ai më tha – shko te Mustafa. U gëzova që ky shqiptar do të më lehtësojë procesin, mirëpo ai më priti shumë vrazhd dhe me një mospërfillje. U ktheva sërish te serbi, që quhej Dragan dhe i thashë që Mustafa nuk ma kthei dokumentin. Për befasinë time, Dragani tha: Gospodine, da je Mustafa ista valjao, on ne bi bio ovdje vec bi bio sa svojim narodom (Zotëri, po të vlente diçka ky Mustafa, nuk do të ishte këtu, por me popullin e vetë.“

Ku është pra këtu problemi? A mund të arsyetohen rastet e këtilla me mungesë të shtetit, të sigurisë, apo të dinjitetit dhe vetëdijes komëtare? Pse secila kohë e jona i pati esatpashat, kapllanresulat, tërnavcat, morinat… nga radhë e shqiptarëve? Edhe serbët sigurisht, si çdo popull tjetër i kanë vukbrankoviqët e vetë, mirëpo ata nxorrën edhe një Dimitrije Tucoviq të kohëve të shkuara, apo një Natasha Kandiq të ditëve tona. Çka ndodhi me Shestanin dhe shestanasit, Tivarin dhe tivarasit, Tuzin e tuzjanët, Malësinë e malësorët e ditëve tona, Plavën e plavjanët, Gucinë e gusjanët, pjesë të Rozhajës, të Novi Pazarit etj. Akomodimi dhe akulturimi janë faza që i paraprijnë asimilimit, por këto janë dukuri të zakonshme të një procesi që përfshihen minoritetet e ambienteve migruese, e jo aq të zakonshme në trojet e veta etnike. Autoktonia (qoftë edhe e mohuar nga buroviqët albanofobë), do të duhej përjetuar dhe shfrytëzuar si përparësi dhe garancë e komoditetit, integrimit spontan dhe të natyrshëm, të bilinvizmit, të multikulturalizmit, të këmbimit dhe pasurimit të vlerave dhe traditës, por të ruajtjes së identitetit të vetë kombëtar e kulturor, e jo për vetëmohimin e rrënjëve dhe të gjakut, kulturës dhe gjuhës, heronjëve e simboleve kombëtare dhe trashëgimisë kulturore…?

Resul-Buroviqët, për fat të keq tonin, nuk janë as risi, as befasi! Frustrimet e personave të cilët – qoftë edhe nga mllefi pështyjnë në popullin, kulturën, gjuhën, traditën, simbolet kombëtare, personalitetet dhe historin e vetë, nuk janë as nuk duhet të jenë brengë vetëm e tyre, e as të tjerëve. Ata ishin, janë dhe duhet të jenë brengë jona, meqë procesi i prodhimit të tyre nuk ka të ndalur. Është ngushllim i vakët imi që në shkrimin e botuar në Portalin analitika dhe “Vijesti”, këtë dukuri e quajta dhe e trajtova si “pastrim i popullit tonë nga nus-produktet”.

Kur një bir shqiptari shkruan: “Ta marrim për shembull thellësinë e shekujve gjerë ku kanë mbërri në “hulumtimet” (duke e vënë në thojza termin hulumtim, vërejtja ime: A.B), e veta këta shqiptarë. Ata e konsiderojnë si letrar të vetin, nga ata të quajturin Gjon Buzuku, i cili veprën e vetë, “Meshari”(përkthim i liturgjisë nga gjuha serbe) e botoi më 1555, pra, në shek. XVI. Për autorin tonë të veprës  “Žitije Svetoga Jovana”, që daton nga shekulli i XI, as që bëhet fjalë. Nëse nuk kanë dashur të shënojnë Popa S. si autor të kësaj vepre në gjuhen serbe, së paku është dashur që si përkthyes të saj nga gjuha serbe në atë greke, ta përmendin, ndërsa autorin ta cilësojnë si ANONIMUS..”( . (Shih: ALBANIZIRANJE ULCINJA, NOVEMBER 23, 2012 1:41 AM /ALBANIZIRANJE ULCINJA – Dokumenta i činjenice –Piše: Prof. Dr Kaplan BUROVIĆ, akademik).

I njëjti autor, vazhdon: “Kur jemi te i ashtuquajturi Gjon Buzuku, të përmendim edhe disa shembuj të përvetësimit (albanizimit) të autorëve tonë. Unë, më një rast tjetër me studimin tim kam dëshmuar që i quajturi nga shqiptarët – Gjon Buzuku, nuk është shqiptar, por kroat…siç nuk janë as bartësit e mbiemrave Draga, Mavriq, Ushaku, Bushati, Luković e shumë të tjerë, mbiemrat e të cilëve dëshmojnë mbi prejardhjen e tyre jo shqiptare… (Shih:

(https://kaplanresuli.wordpress.com/FALSIFIKOVANJEKULTUREULCINJA  Povodom izdanja EKSPOZITË EKRIJUESVE TË VENDLINDJES – piše:  Prof.  Dr. Kaplan BUROVIĆ,  akademik).

Vargu i broçkullave të ngjashme është tepër i gjatë dhe nuk dëshiroj ta lodhi lexuesin e nderuar. Ndoshta as dëmi shkencor nga këto falsifikime nuk është i madh, meqë janë aq diletante sa që asnjëri që pretendon ndonjë qasje serioze të këtyre çështjeve nuk e citon, as që i merr seriozisht këto belbëzime nga temperatura e mllefit. Mirëpo, që këto falsifikime nuk u shërbejnë si arsyetim të gjithë atyre që me shpirt dhe gjuhë u shkëputën ose janë në ethe të shkëputje nga trungu shqiptar, nuk e kam asnjë dyshim. Ne nuk jemi popull aq i madh që me aq lehtësi të heqim dorë nga individë e grupe, qofshin ata intelektualë, analfabetë, politikanë apo vdekëtarë të zakonshëm. Nacionalizëm është të luftosh për të drejtat dhe identitetin e kombit të vetë duke shkelur përmbi kufomat e të tjerëve, e jo të angazhohesh për avansimin kushtetues të të drejtave në përdorimin dhe afirmimin e gjuhës, kulturës, historisë, traditës.