Sot në Cetinë është konstituar përbërja e re e parlamentit të Malit të Zi, por, edhe pse ishte paralajmëruar, deputetët nuk i kanë zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e kuvendit.
Duke prezantuar raportin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, për rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 16 tetor, kryetari i këtij trupi, Budimir Saranovic, ka theksuar se i vjen mirë që misionet e huaja vëzhguese i kanë vlerësuar pozitivisht zgjedhjet parlamentare.
Ai ka përkujtuar se të drejtë vote në Mal të Zi, kanë pasur 528,817 votues dhe se në vend votime kanë dalë 388,220 qytetar. Sipas të dhënave të KSHZ, në këto zgjedhje ka pasur 5.513 fletë votime të pa vlefshme.
DPS ka fituar 36 mandate, Fronti Demokratik 18, Koalicioni Çelësi 9, Demokratët 8, Partia Social Demokratike 4, Socialdemokratët dhe partia Boshnjake do të kenë nga 2 deputet kurse Koalicioni “Shqiptaret të vendosur” dhe Iniciativa qytetare Kroate nga 1 deputet, ka theksuar Saranovic.
Në mbledhjen konstituive nuk kanë marrë pjesë deputetët e FD, të koalicionit Çelësi, të Malit të Zi demokratik dhe të partisë Social Demokratike.
Vujanovic, të mërkurën bisedon me përfaqësuesit partiak
Presidenti i Malit të zi Filip Vujanovic do të bisedojë të mërkurën me përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në parlament rreth propozimit të mandatorit për përbërjen e qeverisë së re.
Vujanovic do të bisedoj me përfaqësuesit e FD, të Koalicionit Çelësi, pastaj të Malit të Zi Demokratik, të Partisë Social Demokratike, Iniciativës qytetare Kroate, Koalicionit Shqiptarët të vendosur, Partisë boshnjake, Socialdemokratëve të Malit të Zi, Partisë Liberale dhe të DPS-së.