Tifozat Kuq e Zi festuan në Tuz 13-vjetorin e themelimit

img_4648Gjatë fundjavës së kaluar, përkatësisht të shtunën, më 3.12.2016 dhe të dielën, më 4.12.2016, në Tuz u festua trembëdhjetë vjetori i themelimit të Tifozave Kuq e Zi.

Tashmë tradicionalisht muaji i dhjetorit i bashkon anëtarët e TKZ-së, secilin vit nëpër qendra të ndryshme shqiptare, për të shënuar dhe kujtuar themelimin e këtij tifo-grupi.

Kësaj radhe nderi për organizimin e këtij manifestimi u takonte anëtarëve të TKZ-së nga Malësia.

Të shtunën në mbrëmje, në orën 19:00, pasi me dhjetëra tifozë e tifoze mbërritën dhe u akomoduan në Tuz, në lokalin “Main street” filloi programi i paraparë për shënimin e këtij përvjetori.

Fjala e rastit i takoi përfaqësuesit të Malësisë, Leon Gjonaj i cili, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrje, kujtoi se Tifozat Kuq e Zi nuk janë vetëm një tifo-grup i thjeshtë por një frymë e pastër kombëtare që gjatë ketyre trembëdhjetë viteve, krahas mbështetjes së parezervë që i ka dhënë Kombëtares, ka kontribuar pamasë edhe në bashkimin shpirtëror të shqiptarëve, kudo ndodhen ata.

Përpos tij, tifozëve iu drejtuan edhe anëtarë tjerë të TKZ-së nga treva të ndryshme shqiptare.

Për të festuar në Tuz përvjetorin e TKZ-së, kishin ardhur anëtarë nga Tirana, Prishtina, Shkodra, Gjakova, Peja, Elbasani, Shkupi, Dibra, Shijaku, Ulqini e pothuaj nga të gjitha trojet shqiptare.

Pasi për të pranishmit u shtrua darka dhe u bë prerja e tortës së dekoruar me logon e TKZ-së, festa dhe kënga e tifozëve vazhdoi deri në orët e vona të natës .

Të nesërmen programi vijoi me vizitën e Bratilës, në vendin ku më 1911 u ngrit Flamuri, shtëpisë-muze të Ded Gjo’ Lulit në Bardhaj, për të përfunduar në fshatin Kshevë, tek varri i heroinës shqiptare, Tringës së Smajl Martinit.

Kjo vizitë njëherësh u shfrytëzua edhe për vizitimin e kullës së renovuar të bajraktarëve të Grudës.

Në të gjitha këto vendvizita tifozët u pritën edhe nga banorë vendas të cilët me mikëpritjen e ngrohtë i njoftuan ata me historikun dhe domethënien e vendeve të lartshënuara.

Për shkak të kohës së kufizuar, në orët e vona të pasditës së të dielës programit i erdhi fundi.

Stacioni i fundit ishte lokali “Verdi” në Tuz, ku për të gjithë Tifozat Kuq e Zi të pranishëm u shtrua një darkë përshëndetëse.

Jashtëzakonisht të emocionuar me ato që kishin parë e dëgjuar, dhe të entuziazmuar nga mikëpritja malsore, tifozët u përshëndetën me shpresën se do të takohen e shoqërohen sërish, jo vetëm nëpër përvjetoret e themelimit, por edhe në fitoret e radhës të Kombëtares!

Ky aktivitet dyditorë, në formë të plotë u përcoll mediatikisht nga ana e Digitalb-it dhe TV Boin-it, për ç’gjë Tifozat Kuq e Zi janë tejet mirënjohës ndaj tyre.

Në fund, një falenderim i veçantë shkon për dy shoqatat malsore në SHBA – shoqatat “Malësia e Madhe”, me seli në Detroit dhe New York, të cilat sponsorizuan shtrimin e darkës (të shtunën ne mbrëmje) dhe të drekës (të dielën pasdite) për tifozët e pranishëm.

Me dëshirën e vullnetin më të mirë për njoftim e bashkim ndërshqiptarë, Tifozat Kuq e Zi falenderojnë të gjithë ata që në mënyra të ndryshme kontribuan në organizimin e këtij përvjetori, dhe urojnë që të festohen edhe shumë përvjetore të tjera!

img_4648

img_4634

img_4647 img_4638