Rita Ora, krenare që i takon gjakut shqiptar dhe Kosovës

Njerëzit nga vende të vogla si Kosova, mund t’i japin botës emra dhe vlera të mëdha, ka deklaruar në Prishtinë, këngëtarja me famë botërore, Rita Ora.

Gjatë një konference për gazetarë, pop ylli botëror, Rita Ora, ka thënë se ka një emocion të veçantë që do të këndojë në Prishtinë, në manifestimin qendror për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“Mund të ishim kudo në botë këtë ditë, por unë vendosa që të sjell gjithë ekipin tim këtu në Prishtinë që të ofrojmë shfaqjen më të mirë përgjithmonë”, ka theksuar Ora, e cila mesazhet e saj i ndërlidhte në dy gjuhë, atë shqipe dhe angleze.

Ajo ka thënë se ndihet krenare që i takon gjakut shqiptar dhe Kosovës, pavarësisht se jeton në njërin prej vendeve më të zhvilluara të botës, në Britaninë e Madhe.

“Në çdo intervistë e konferencë, nuk e fsheh, jam nga Kosova”, ka thënë Ora, duke premtuar se të gjithë adhuruesit e saj do t’i bëjë të ndihen të kënaqur me paraqitjen e saj në manifestimin qendror për 10-vjetorin e pavarësisë. Paraqitja e Rita Orës para publikut, pritet të bëhet rreth orës 22:00.

Rita Ora

Rita Ora, tash 27 vjeçe, ka treguar se si ka nisur të merret me muzikën në moshën 21 vjeçe, me dëshirën që të bëj një ndikim të madh, marrë parasysh që prejardhjen e kishte nga një vend i vogël.

Mbi këtë bazë ajo edhe e dha porosinë për njerëzit e Kosovës.

“Ju e keni një mundësi për ta përfaqësuar veten tuaj në mënyrën se si dëshironi të mbaheni mend. Gjëja më e rëndësishme për mua është që të qëndrojmë të bashkuar dhe të jemi në gjendje që t’i ftojmë njerëzit në rrethin tonë, sepse sa më shumë që jemi, aq më të mëdhenj bëhemi. Kur për herë të parë kam dalë në një skenë, kam qenë një nga këngëtaret e hershme shqiptare”.

“Tani kemi shumë talente të jashtëzakonshme që i kam parë në këto dy vitet e fundit dhe jam shumë mirënjohëse që kemi këngëtare shqiptare si Dua Lipa, Bebe Rexha, të cilat po e gjejnë dritën e tyre, vendin e tyre në muzikë. Sa më shumë prej nesh që na përfaqësojnë në këtë zhanër muzikor, aq më mirë është për vendin tonë, për shtetin tonë. Të kënaqemi, të qëndrojmë së bashku dhe ta përfaqësojmë shtetin e Kosovës”, ka thënë Ora.

Ajo nuk e ka përjashtuar as mundësinë, që pavarësisht agjendave të ngjeshura, një ditë para publikut në Kosovë mund të këndojnë së bashku tri këngëtaret më të famshme shqiptare sot në botë, Rita Ora, Dua Lipa dhe Bebe Rexha.

“S’i dihet, ndoshta, kurrë mos thuaj kurrë s’bëhet”, ka thënë Ora.

Furra Tahiri