24 shkurti i 2018 do të jetë një nga datat që Ilir Latifi nuk do ta harrojë kurrë, e themi këtë pasi ai ka bërë hapin e parë serioz drejt ëndrrës së madhe.
Sportisti i arteve të përziera marciale befasoi të gjithë duke arritur fitore ndaj Ovince Saint Preux në UFC, edhe pse ky i fundi shikohej nga të gjithë si favorit.
Shqiptari vodhi gjithë vëmendjen në ‘Amway Center’ të Orlandos, duke i treguar të gjithëve edhe njëherë herë se synimet e tij janë të mëdha.
Latifi i prirë nga dëshira e madhe për triumf, arriti fitore ndaj ‘OSP’ në rundin e parë, duke vendosur kundërshtarin në gjumë pas një shtrëngimi të fuqishëm dhe kështu gjyqtari ndaloi luftën.
Pas kësaj fitore Ilirit është në listën e ngushtë të sportistëve për titullin e UFC, ai ka pesë fitore nga gjashtë luftërat e fundit.
34-vjeçari menjëherë pas triumfit i ka kërkuar kampionit aktual, Daniel Cormier, përballje për titullin e më të mirit në UFC. Por, nuk duhet harruar se Cormier së pari duhet të ndeshet me Stipe Miocic dhe në rast të fitores, atëherë mund të mendojë për një përballje me Latifin.
Vlen të theksohet se Ovince është një nga emrat më të mëdhenj në botën e sporteve luftarake MMA dhe UFC, para luftës ishte i renditur në vendin e pestë në listën e më të mirëve dhe vinte nga tri fitore radhazi.
Që triumfi të ketë një shije më të mirë, fituesit në fund i takuan 50 mijë dollarë (40 mijë euro), por kjo është vetëm një shumë simbolike nëse e krahasojmë me rrugën që i është hapur Latifit.
Latifi prezantohet si sportistë i Suedisë, por ai asnjëherë nuk harron prejardhjen e tij, ai gjithmonë falënderon përkrahësit e tij nga Shqipëria dhe Kosova.