Kujdesi (i munguar) ndaj gjuhës shqipe

Shqiptarët në Malin e Zi dhe gjuha e tyre amtare

Shkruan Gjekë Gjonaj

Derisa popujt e tjerë të botës së qytetëruar e vlerësojnë rëndësinë e gjuhës amtare, e ruajnë, e respektojnë , e kultivojnë,   e përparojnë, e pastrojnë,  shqiptarët në  Malin e   Zi , për fat të keq,  nuk po  kujdesen  sa duhet për gjuhën e vet. Kjo mos (kujdesje) e jona ndaj  saj më dhemb. Arsyeja është sa e natyrshme aq edhe e thjeshtë. Sepse na është rrezikuar elementi kryesor dhe më i rëndësishëm i identitetit tonë kombëtar.  Se në çfarë gjendje është sot gjuha jonë e bukur shqipe mjafton vetëm të vizitoshë trevat shqiptare në Malin e Zi.  Shtegtarëve  e  kalimtarëve  të rastit ( veçmas studiuesve të gjuhës brenda dhe jashtë kufijve)   gjëja e parë që do t’ua rëndojë veshin dhe syrin është e folmja e komunitetit  me shumicë shqiptare në këto treva. Një shqipe (e folme) e përzierë me sllavishten, më shumë se sa një e shqipe dialektoriale, kurse shumë më pak për të mos thënë aspak një shqipe e njësuar letrare (standarde). Kjo ndodh për shumë arsye, të cilat kërkojnë  qasje, sqarime e shpjegime të mirëfillta shkencore nga ekspertët e   gjuhësisë, për të cilat unë nuk pretendoj. Por   me këtë rast  tërthorazi po  veçoj    disa nga shkaqet që mendojmë se po e rrezikojnë pozitën e gjuhës shqipe në këtë republikë,si: mugesa e kujdesit të organizuar e të drejtuar nga  shteti,dobësimi i sistemit arsimor, rënia e autoritetit të arsimtarit, shpërfillja, ndjenja e përgjithhme  e nënvlerësimit të “ shqiptarëve”  ndaj gjuhës shqipe, mbishkrimet  në objektet  fetare, afariste dhe objekte  të tjera   në dëm të gjuhës shqipe, botimet e paredaktuara  e të pakorrektuara, pazotësia e drejtuesve të mediave  dhe pronarëve të portaleve në gjuhën shqipe  të sigurojnë kuadro të aftë  për të shkruar afërsisht pa gabime gjuhën shqipe  etj.

Nuk ke se si të mos brengosësh (vetëm nëse nuk ke ndjenja, brumë apo formim shqiptar)   kur ta zëmë në Ulqin dëgjon shqipfolësit të shprehen madje edhe publikisht: Çfarë na duhet gjuha shqipe? Ajo na shërben vetëm deri në Braticë?! – Një lagje pesë kilometra nga ky qytet. Ose, kur shumica e këshilltarëve  shqiptarë   në  Kuvendn e Komunës së Ulqinit   diksutojnë në gjuhën malazeze. Ose kur të merrë malli të dëgjoshë se flitet shqip në kafene apo vende tjera publike në Tuz. E   të   mos flasim për përdorimin e shqipes në vende publike në Tivar, Plavë, Guci e Rozhajë, ku gjuha jonë e nënës ecën drejt zhdukjes.

Po përmend edhe  një fakt tjetër i cili tregon se sa pak rëndësi i japim gjuhës shqipe ne shqitarët në Malin e Zi ,   për të cilën, Xhon Kaur  Hobhose)   Joh Caur Hobhonse ( 1786-1869), një mik  Lord Bajronit, ndërsa shtegtonte nëpër Ballkanin Osman vërente se “ vetëm shqiptarët janë të vetëdijshëm për kombësinë e tyre, të gjithë  popujt e tjerë të perandorisë  janë grupuar sipas fesë”.

Më 21 shkurt në gjithë botën  shënohet  Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare. Me keqardhje kjo ditë e  shpallur,   që ga vitit 1999  nga UNESKO  dhe e pranuar  në vitin 2007 nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara , me qëllim  të ruajtjes dhe promvimit të  gjuhës amtare, tek ne në Mal të Zi kësaj ditë nuk i japim  aspak rëndësi. Bile mund të them plotësisht jam i atij mendimi se shumica, përfshirë këtu edhe intelektualët,    dinë fare pak ose nu dinë për ditën e mbrojtjes së gjuhës amtare.

Nga ana tjetër, në të përditshëm malazeze” Vijesti”  të premten  e kaluar   lexova për tubimin shkencor të boshnjakëve në Mal të Zi që kishin organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të   Ruajtjes së Gjuhës Amtare.

A mundemi ne shqiptarët të ruajmë identitetin tonë kombëtar pa mbrojtjen e gjuhës shqipe?  Natyrisht se jo!  Akademiku Gjovalin Shkurtaj thotë se “Gjuha shqipe  është nga tiparet më të rëndësishme të shqiptarisë dhe të kombit shqiptar, ajo  na përbashkon e na lidh në një hallkë të fortë etnike e shpirtërore, të hershme e të përhershme, të cilën, sot më tepër se kurrë, është koha që edhe ta njohim, edhe ta duam, edhe ta vlerësojmë, po, mbi të gjitha, ta mësojmë e ta ruajmë, natyrisht, edhe ta mbrojmë e ta pastrojmë e ta pasurojmë me aq sa është e mundshme, qoftë edhe në kohën e ndikimeve dhe trysnive, që i vijnë shqipes dhe shqiptarisë nga rrafshimet evropianizuese e globalizuese.” Nuk besoj se ka porosi më të sinqertë me peshë shkencore akademike se sa kjo  për  shqiptarët kudo që ndodhen.