Të nderuar qytetarë,
Seanca e Kuvendit të Tuzit, e emetuar përmes televizionit lokal, TV Boin, zbuloi cirkun politik, në kurriz të banorëve të Malësisë, kurse në organizim të partisë në pushtet dhe sekretares së administratës lokale. Si parti, ne kishim sjell vendimin që të abstenojmë nga zgjedhjet e prijësve të komunës, kështu që nuk ishim të pranishëm në kohën e cirkut. Abstenimi ishte për arsye parimore dhe jo për t’u solidarizuar me ndo kë, pra për të njëjtat arsye që as nuk pranuam bisedime për të qenë pjesë e këtij pushteti, e jo për t’u solidarizuar me kurrkënd, për aq më pak me ata që abstenojnë për shkak se nuk u është plotësuar dëshira për t’u bërë kryetar kuvendi.
Kurse reagimi ynë nuk ka të bëjë me emrin e kryetarit, sepse nuk na bëhet vonë se kush do të jetë kryetar i komunës nga radhët e PDS-së, pasi që aty nuk ka dallim, dhe që të gjithë janë vetëm ekzekutorë të vendimeve të qendrës, por nuk mundemi pa reaguar me talljen publike që në kuvend u bëhet banorëve të Malësisë, përmes veprimeve hileqare aq të hapëta, pa marrë para sysh se ndaj kujt janë të drejtuara ato hile.
Sekretarja e administratës lokale, luan rrolin e kryesuesit të seancës dhe e “shpall fituesin”, i cili nga 18 vota paska fituar 16. Është interesant të përmendet se si një sekretare, juriste me diplomë e me përvojë pune, vetëm në Malësi 8 vjet, nuk e paska ditur se për të fituar nevojiten 17 vota. Pastaj vazhdon cirku, duke vënë në tallje kryetarin e “posa-zgjedhur”, i cili del në foltore për të falënderuar, por ndërkohë hetohet “gabimi” dhe, para syve të botës, pas konstatimit të ekzistencë së 18 fletëvotimeve, prej të cilave 16 pro dhe 2 kundra, “humbet” një fletë, dhe përsëritet procesi. Pra, kjo procedurë, e cila për ne nuk ka fare rëndësi, dëshmoi plasaritjet dhe hilet përbrenda PDS-së. Plasaritjet i dëshmon edhe fakti se edhe në përsëritjen e votimit, kandidati nuk i fitoi të gjitha votat e të pranishmëve, por vetëm 17.
Është fakt se Neni 84 i Statutit të komunës së Tuzit, komunë në kuadër të Kryeqytetit, nuk parasheh zgjidhje kur kemi raste të këtilla, me një kandidat, prandaj le të pyeten ata që e kanë punuar statutin se sa profesionistë paskan qenë. A kanë shikuar zotërinjt statute të komunave të tjera, ku, me statut parashikohet edhe rasti kur ka vetëm një kandidat.
Me respekt, LDSH