Sulmohet përfaqësuesi i shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni

Branko Sinadinovski, themeluesi i Bashkësisë Fetare të Shqiptarëve Ortodoksë në Maqedoni, është sulmuar fizikisht të hënën nga dy persona të panjohur.

Sulmi ka ndodhur në lagjen Aerodrom të Shkupit, ku banon zoti Sinadinovski. Ai ka pësuar lëndime, ndërsa policia thotë se po e heton rastin, por pa dhënë më shumë hollësi për motivet e ngjarjes së dhunshme.

Zoti Sinadinovski ka qenë dhe diplomat në vendet e Lindjes, ndërsa aktualisht është i angazhuar si profesor universiteti. Ai është ndër të paktët që kanë deklaruar publikisht origjinën e tyre shqiptare otodokse, një gjë që në Maqedoni shikohet si tabu dhe me mosbesim.

Megjithatë, në rajonin e Rekës pranë Dibrës dhe Mavrovës, në perëndim të Maqedonisë, prej nga ka origjinën Branko Sinadinovski, ka një komunitet shqiptar të besimit ortodoks, që i është nënshtruar asimilimit prej dekadash, sipas historianëve shqiptarë, ndërkohë që as autoritetet shtetërore dhe as ato kishtare maqedonase, nuk pranojnë ekzistencën e këtij komuniteti.