Nga Qani Osmani
Me 11 mars në Ulqin Instituti i Komunikimit “Medius” nga Tirana në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe gazetën “Koha javore” organizuan debatin publik me temë “Identiteti shqiptar në procesin e integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”.
Fillimisht dëshiroj ti përgëzoj organizatorët e këtij debati të ashtutëquajtur publik, pasi gjatë tërë kohës panelistët debatonin në mes vedi dhe ajo që pata mundësi të ndëgjojë për pak kohë deri sa isha prezent, ishte shqestësimi i tyre lidhur me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, në pamundësi që të isha pjesë i këtij debati, shfrytëzoj rastin që nëpërmjet këtij shkrimi modest t’i shprehi mendimet personale rreth temës në fjalë.
Populli shqiptar ka një histori me shumë gjak të derdhur dhe sakrifica të tjera të shumta, për ta ruajtur identitetin kombëtar dhe për mbijetesën lirinë akoma të pakurorëzuara plotësisht të pjesës së kombit në trojet e coptuara. Shqipëria e të gjitha periudhave, që nga koha e Ismail Qemalit, Zogut dhe Enver Hoxhës ka patur një qëndrim indiferent dhe pa mundësi reale për t’i ndihmuar shqiptarët jashtë kufive politik. Një situat e ngjashme vazhdoi edhe pas rënies së sistemit komunist. Në këtë drejtim lirisht mund të themi se edhe të gjitha qeveritë shqiptare të pluralizmit kanë qenë shumë indiferente ndaj padrejtësive të shumta që në vazhdimsi u janë bërë shqiptarëve në vendet e Ballkanit Perëndimor. S’ka dyshim se ka munguar mesazhi i fuqishëm politik dhe civilizues i Shqipërisë deri te fqinjët e shqiptarëve se ne jemi komb evropian, dhe si shtet amë ka obligim kushtetues që t’i mbroj shqiptarët jashtë kufive të saj.
Ndarja e shqiptarëve para një shekulli nuk ka dyshim se ka lënë pasoja në “identitetin shqiptar” në nivel të kombit në tërësi. Sot janë vetëm “gjuha shqipe” dhe “flamuri kombëtar”, dy shtylla të identitetit kombëtar që ruajnë kompaktësin e kombit shqiptar. Diversiteti fetar, krahinor, ekonomik, social, asimetria arsimore dhe kulturore dhe kultura e ulët demokratike janë pengesa reale në integrimin modern kombëtar. Sot, në kohën e globalizimit dhe të integrimit global, elementet ndarëse shqiptare mbizotërojnë mbi ato unike, pavarësisht nga demagogjia publike dhe publicistike që vijnë nga Tirana dhe Prishtina. Mbaj bindjen se shqiptarët, në përgjithësi, nuk kanë “elita” të mirëfillta politike, arsimore, ekonomike dhe kulturore. Çdo respekt përjashtimeve pozitive. Sot me të gjitha kriteret cilësore krahasuar me vendet e rajonit në kuptim të zhvillimit ekonomik dhe social, nivelit arsimor, standardit jetësor, shtetit ligjor, luftës ndaj korrupsionit dhe aspekteve të tjera, Shqipëria dhe Kosova si shtete shqiptare radhiten në vendet e fundit në Evropë, me gjithë faktin që kanë trend zhvillimor pozitiv.
Pa një qasje sistemore institucionale në kuptim të kultivimit të përforcuar të identitetit të përbashkët kombëtar në ekonomi, arsim, kulturë, sport dhe në bashkime familjare, do të mbizotërojnë ndasitë në identitete, krahasuar me identitetin e përbashkët kombëtar. Sot, që ironia të jetë më e madhe na flasin për “identitetin e përbashkët kombëtar” studjues dhe panelista nga shqipëria nga e cila kena faktin e hidhur se në dhjetë vitet e fundit ka me mijëra martesa të shqiptareve nga shqipëria me sërbë, maqedonë, grekë dhe malazez, numër ky që është shumëfish më i madh në krahasim me martesat ndërshqiptare prej hapjes së kufijve e deri më sot.
Sot, derisa fqinjët e shqiptarëve (maqedonët, sërbët, malazezët etj) tentojnë ta falsifikojnë dhe ta blejnë historinë duke i mbushur sheshet e qyteteve (që dikur ishin shqiptare) me “figura heronjsh” dhe identitet që nuk është i tyre, ne shqiptarët shesim identitetin tonë kombëtar mijera vjeçar. Në Kosovë, kohëve të fundit nëpër media të ndryshme kemi debate të shumta nëse ekziston apo duhet të krijohet edhe një identitet i ri i quajtur “kosovar”. Një komb mund të krijoj dy shtete por jo edhe dy identitete të ndryshme. Në botë sot ka shumë raste kur një komb është ndarë në dy e më shum shtete të ndryshme por kombi dhe identiteti mbeten të njejta. I tillë është rasti i Gjermanisë dhe i Austrisë që janë një komb i ndar në dy shtete, po ashtu edhe rasti i Rumanisë dhe Moldavisë. Krijimi i një identiteti të ri “kosovar”do të thotë se t’i nuk je autoktonë, nuk ke të kaluar dhe histori, prandaj krijimi i një identiteti të ri më së shumti i shkon për shtati sërbëve të cilët pretendojnë se në këto treva (të kosovës së sotme) nuk ka pasur asnjëher shqiptar dhe se ato kanë qenë autokton.
Shqiptarët sot gjenden në “udhëkryqin historik” dhe balafaqohen me rrezikun që t’i humbin ose zbehin fitoret e fundshekullit të kaluar. Jam i bindur se përkundër faktit që Kosova u bë shtet i pavarur me probleme të theksuara të sigurisë dhe të funksionalitetit duke u çliruar nga okupimi njëshekullor serb dhe faktit që Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe aspirante për t’u bërë anëtare e BE-së, gjendja aktuale e shqiptarëve nuk është në nivel të sfidave të kohës në shumë drejtime. Shqiptarët vazhdojnë të jenë popull me kulturë demokratike të pamjaftueshme; shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në Evropë ku në vazhdimësi keqpërdoren proceset politike zgjedhore, klasat politike menaxheriale janë klasat politike ndër më të korruptuarat në Evropë.
Në kancelaritë politike ndërkombëtare dhe në mediat evropiane dhe botërore shqiptarët vazhdojnë të etiketohen si popull me të cilin identifikohen dukuri shumë negative në më tepër drejtime. Kur këtyre dukurive do t’u shtohen faktet e pamohueshme se përqindja e varfërisë ekstreme arrin 30%, ndërsa në territoret shqiptare investohet shumë pak nga investitor serioz të huaj kompletohet mozaiku se nuk ka vend për optimizëm real. Shqiptarët duhet të pranojnë të vërtetën e hidhur se janë kombi me “vonesë historike” shumë të theksuar, me identitet kulturor lindor dhe perëndimor, jemi komb ndër më të varfërit në Evropë. Për pasajë të kësaj situate të palakmueshme shqiptarët duhet shumë më tepër të punojnë, të kursejnë dhe më shumë të investojnë në aspektin material dhe kulturor që të tejkalojmë vonesën historike sepse në kohën e globalizimit ekonomok dhe integrimit politik dhe të sigurisë kanë perspektivë vetëm popujt më të aftë, të tjerët do të ngelin evropianë të dorës së dytë ose do të asimilohen vullnetarisht.
Të gjithë shqiptarët së bashku në NATO dhe BE, si shtëpi e përbashkët e të gjithë evropianëve, me të drejta, mundësi dhe përgjegjësi të barabarta është një “slogan” dhe “vizion” i shpresës reale për kombin tonë, pavarësisht vendit ku jetojmë. Të gjithë shqiptarët pavarësisht nga konkurrimi i skajshëm politik në planin e brendshëm, politikat e revanshizmit dhe të politizimit të institucioneve të shtetit kur janë në pyetje çështjet madhore me rëndësi të veçanta kombëtare duhet të shtrijnë dorën e pajtimit dhe të ndërtojnë urat e rrënuara të komunikimit si një vlerë e pjekurisë sonë demokratike dhe civilizuese.