Miqësore për t’u harruar! Norvegjia fiton me lojë dhe rezultat

Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 0-1 ndaj Norvegjisë në miqësoren e kësaj të hëne në stadiumin “Elbasan Arena” në një ndeshje ku trajneri Panucci eksperimentoi me formacionin dhe me zëvendësimet.

Kuqezinjtë vuajtën disfatën përballë nordikëve në një përballje ku iu deshën 54 minuta për goditjen e parë në portë.

Fraksioni i parë regjistroi epërsinë e lehtë të miqve në lojë, që u shfaqën të rrezikshëm me Eljunusin në jo pak raste. Shiu nuk ndihmoi në shtimin e spektaklit madje kontribuoi në largimin e një pjese të tifozëve nga stadiumi.

Eksperimentet me formacionin nuk dhanë rezultat dhe zëvendësimet e imponuara ndryshuan disi ekipin kuqezi. Kërcënimi i parë në portën e Niland erdhi në minutën e 54 në goditjen me kokë të Sadikut. Strakosha shpëtoi portën në një tentativë të miqve duke neutralizuar gjithçka përballë Eljunusi.

Në skajin tjetër një rrëmujë në zonë mund të sillte golin e parë por Ajeti dhe më pas Xhaka nuk arritën të prishin ekuilibrat.

Në momentin më të mirë të kuqezinjve, neglizhenca në prapavijë solli golin e Rosted, i pamarkuar në zonë që bëri të vlejnë centimetrat e tij mbi të tjerët në një goditje këndi. Grezda nga e majta e sulmit provoi të spikaste por goditja e tij ishte mbi traun e portës ndërsa epilogu i humbjes ishin mrekullitë e Strakoshës në finale, me mbrojtjen të dorëzuar pa kushte.