Zeljko Ivanovic – drejtor ekzekutiv i gazetës “Vijesti” në Podgoricë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për gazetën nga Prishtina “Koha Ditore”
Pasi Thaçi e Haradinaj po e mbështesin me kaq emocion dhe përkushtim Gjukanoviqin, supozoj se nuk do të kishin asgjë kundër që ta çonin Kosovën drejt së ardhmes së ndritur për edhe 15 a 20 vjet të ardhshëm, aq sa u ka mbetur që ta mbërrijnë jetëgjatësinë e Milos. Prandaj u rekomandoj kampionëve të sektorit të OJQ-ve dhe mediave të pavarura në Kosovë që të përgatiten edhe për këtë skenar. T’i sigurojnë maskat e gazit, automjetet e blinduara, truprojat, avokatët dhe të armatosen – me durim.
A është ky interesi i dy popujve, për të cilin shkruan në postimin e tij urues presidenti Thaçi?
Natyrisht se nuk është. Për më tepër, fitorja e Gjukanoviqit është lajm i keq si për malazeztë ashtu edhe për shqiptarët, pavarësisht nëse jetojnë në Mal të Zi apo Kosovë.
“E uroj mikun tim të vjetër Gjukanoviq për fitoren në Mal të Zi. Kjo është fitore për Malin e Zi, por edhe për gjithë rajonin që synon integrimin në NATO dhe BE”, ka shkruar në “Twitter” presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, menjëherë pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve të pakmëparshme në Mal të Zi.
Ishte e diele mbrëma, 21:42, kur ai e postoi këtë mesazh, derisa fitorja e mikut të vjetër ende po pritej e rezultatet zyrtare as që shiheshin në horizont. Pra, për Thaçin me rëndësi ishte që të jetë i pari që e uron. Dhe këtë edhe e arriti. Vetëm pas tij, tek të nesërmen, u lajmëruan Haradinaj, Orbani, Dodiku dhe Vuçiqi. Cinikët do të thoshin – Aleanca për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
E çfarë tek do të thoshin rreth vlerësimit të presidentit të Kosovës se fitorja e Gjukanoviqit është “fitore e Malit të Zi dhe e rajonit” prijësit e OJQ-ve kryesore malazeze, të cilët para nja dhjetë ditësh i adresuan letër Komisionit Evropian për ta sugjeruar shqyrtimin e mundësisë së aktivizimit të së ashtuquajturës “klauzolë bilanci” për negociatat me Malin e Zi. Ky sugjerim, në të vërtetë, ia krijon mundësinë administratës së Brukselit që për një periudhë të caktuar ta ndërpresë hapjen e kapitujve të rinj të negociatave, derisa pushteti në Mal të Zi të mos i shpalosë rezultatet e përnjëmendta në zbatimin e reformave. Derisa në vend të mjegullës të mos nisë të prodhojë rezultate të dukshme.
Apo si e kanë përjetuar postimin e lartpërmendur të presidentit të Kosovës ata në të përditshmen e pavarur “Vijesti”, të cilën miku i vjetër Gjukanoviq, pak ditë para zgjedhjeve, e quajti “fashiste”. Dhe atë vetëm pse mediat tona e kryejnë punën e tyre. Për shembull, pse shkruajnë dhe hulumtojnë rreth biznesit të majmë të të birit të Gjukanoviqit, Blaza, që ka lidhje me shtetin. Kaq i ri e tanimë milioner! Me 30 vjetët e tij ende të paplota, ai e ka një biznes dhe prona milionëshe në Mal të Zi. Një pjesë e madhe e gjeneratës së tij nuk kanë pasur shans të tillë – sipas të dhënave më të fundit të institucioneve kompetente, më se dhjetë mijë qytetarë me shkollim universitar në Mal të Zi nuk kanë as nga një vend të thjeshtë pune.
“Çfarë nëse Gjukanoviqi humb”, ishte titulli i analizës pikërisht në “Vjesti”, i cili me anë të argumenteve tregonte se nuk do të ndodhte asgjë e tmerrshme. E aq më pak katastrofike, siç do të mundë të konstatohej nga deklarata e zyrtarit të dytë kosovar, Enver Hoxhaj, nënkryetar i Qeverisë, i cili u përfshi drejtpërsëdrejti në fushatën e Gjukanoviqit në terren. Supozoj se me paratë e tatimpaguesve të Kosovës ai erdhi deri në Ulqin dhe e kaloi ditën e zgjedhjeve, sipas vetë deklarimit të tij, duke u kërkuar liderëve shqiptarë që secila votë t’i shkojë Milos: “Nuk kemi guxuar të lejojmë që votat e shqiptarëve t’i shkojnë kandidatit tjetër”, ka shpjeguar Hoxhaj.
Një moto të ngjashme, më të përshtatshme për rrethana të luftës sesa për zgjedhje, e ka edhe Gjukanoviqi: “Armikut as një kokërr gruri!”.
Ky është definicioni i politikës së tij, me të cilën tashmë një dekadë e gjysmë po e zbaton diskriminimin e mediave të pavarura dhe OJQ-ve, duke i ftuar kompanitë dhe institucionet të mos “japin votë”, pra ta anulojnë çdo lloj bashkëpunimi me mediat e padëgjueshme dhe me aktivistët e OJQ-ve.
Pra, sikur Gjukanoviqi të humbte shumë më herët e jo të dielën, le të themi më 2008, në zgjedhjet e para të pasreferendumit, disa analiza tregojnë se Mali i Zi sot do të ishte shumë më afër anëtarësimit në BE dhe shumë përpara 2017-s anëtare e aleancës së NATO-s. Ç’është më se e sigurt dhe saktësisht e dëshmuar është se pa Gjukanoviqin, Mali i Zi sot do të ishte ekonomikisht në gjendje dukshëm më të mirë. Borxhi shtetëror nuk do të ishte afër 70-përqindëshit të GDP-së, apo nëse do të ishte në këtë nivel do t’i kishim të përfunduara që të dy autostradat, edhe atë të Adriatikut edhe atë nga Beogradi, do të ndërtoheshin apo rindërtoheshin më shumë spitale, shkolla dhe kopshte fëmijësh. Në realitet, nuk ka gjë prej kësaj pune. Përpos borxheve.
Në postimin frymëzues të mbrëmjes, para se Miloja ta hapte shampanjën, presidenti Thaçi e ka edhe një porosi për Gjukanoviqin: “U gëzohem viteve të bashkëpunimit që do ta garantojnë të ardhmen e dy popujve”.
Zor se me një vlerësim të tillë të shefit të shtetit kosovar do të përputhen shifrat. Edhe faktet. Dhe atë pikërisht ato që flasin për jetën e shqiptarëve nën Gjukanoviqin. Për “përparimin dhe stabilitetin” e tyre, që ishte dhe slogani i fushatës së “mikut të vjetër”. Pra, në regjistrimin e popullatës më 1991 në Mal të Zi jetonin afro 7 për qind shqiptarë, derisa në regjistrimin e fundit të 2011-s kjo shifër ishte për madje një të katërtën më e vogël – jo plot 5 për qind të popullatës së përgjithshme. Shkaku i kësaj rënie drastike të popullatës shqiptare nuk është “murtaja e bardhë”, apo rënia e natalitetit, por emigrimi masiv.
Për më tepër, përfaqësimi i shqiptarëve në administratën shtetërore është nën 2 për qind, arsimimi në shqip po vendnumëron, problemi i kthimit të pronave të konfiskuara gjatë komunizmit është i paprekur, derisa Tuzi, një vend afër Podgoricës, pas premtimeve disadekadëshe, vetëm pak kohë më parë ia ka dalë t’i përafrohet sigurimit të statusit të komunës. Shikuar nga aspekti ekonomik, Ulqini, si qyteti më i madh i shqiptarëve në Mal të Zi, ka përjetuar falimentim të plotë. Dhjetëra kompani të mëdha, që para 30 vjetëve punësonin mbi 4 mijë punëtorë, nën Gjukanoviqin janë shuar, e vetëm pak sosh ende ia dalin të mbijetojnë disi me më pak se 300 punëtorë. Perla turistike, Ulqini, që para “mikut të vjetër” Milo ka qenë Mekë për turistët gjermanë e britanikë, ka pasur 4-5 hotelet më të mira në Mal të Zi, sot mezi mbijeton, pa oferta serioze hoteliere dhe me klientelë kryesisht të brendshme nga vendi dhe rajoni.
Nënkryetari Hoxhaj, pas agjitimit të suksesshëm në Ulqin dhe fitores së kandidatit numër 7, tha: “U desh ta ndihmonim Gjukanoviqit si një mik i dëshmuar të Kosovës”.
Nikola Camaj, njëri prej liderëve shqiptarë në Mal të Zi, i cili nuk zë vend në listën e adhuruesve të figurës dhe veprës së presidentit të ardhshëm, thotë se Gjukanoviqi në fakt gjithnjë ka luajtur me fatin si të shqiptarëve ashtu edhe popujve të tjerë të Malit të Zi. Për hir të fitoreve të tija zgjedhore. Kur iu deshën votat e serbëve ai atëherë i satanizoi dhe arrestoi shqiptarët (rasti “Fluturimi i Shqiponjës” i 2006-s), e tash kur i duhen votat e shqiptarëve po i satanizon dhe përndjek ligjërisht serbët dhe rusët (rasti i puçit shtetëror të 2016-s). Hoxha mbase për këtë arsye nuk e takoi Camajn apo ndonjërin prej politikanëve të tjerë shqiptarë, të cilët, siç shpesh e thonë edhe vetë, “nuk janë në listën e pagave të Milos”. Nuk ka dëshmi aktualisht për dyshimet se ata që autoritetet kosovare i anashkalojnë dhe i nxisin të agjitojnë për Gjukanoviqin janë korruptuar prej anës së shefit të DPS-së, por është fakt se një numër i konsiderueshëm i tyre ka qenë subjekt i inspektimeve të ndryshme apo veprimeve penale (ka pasur edhe një rast vendimi gjyqësor) shkaku i keqpërdorimit apo dyshimit për keqpërdorim të pushtetit lokal dhe buxhetit të Ulqinit.
Njësoj kështu, një re e hijes e mbulon deklaratën e përmendur të nënkryetarit Hoxhaj, sepse ajo mund ta nënkuptojë konstatimin se si të gjithë kandidatët e tjerë, përpos Milos, janë armiq të Kosovës!?
Kjo do të ishte një e pavërtetë e vrazhdë, sidomos kur bëhet fjalë për partinë socialdemokrate dhe kandidatin e saj, Draginja Vuksanoviq. SDP-ja në fakt ishte mike e Kosovës edhe atëherë kur Gjukanoviqi bashkë me Milosheviqin po e spastronin etnikisht atdheun tonë të dikurshëm dhe po e realizonin projektin e Çosiqit të “zhvendosjes humane”. Por Thaçi me të drejtë do të thoshte – njerëzve duhet t’u jepet shansi për të ndryshuar e Gjukanoviqi ka treguar talent të madh në këtë aspekt. Në rregull, por të harrosh nuk do të thotë edhe të falësh. Aq më tepër, të harrosh nuk do të thotë të shpërfillësh.
SDP-ja dhe kandidati i saj, Draginja Vuksanoviq, janë miq shumë më të mëdhenj të Kosovës dhe qytetarëve të saj sesa Gjukanoviqi, shkaku se zotohen edhe për stabilitetin rajonal e edhe për bashkëpunimin fqinjësor, si dhe për sundimin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, lirinë e shprehjes. Sepse pa këto nuk ka të ardhme për dy popujt tanë.
A fshihet pikërisht në këtë shkurre lepuri? A është Gjukanoviqi mik i Kosovës apo është mik shumë më i mirë i Thaçit e Haradinajt. Vëlla i thonë këndej. Ata janë “vëllezër të armës”. Më saktësisht, të mënyrës së qeverisjes. Prandaj, kur me shumë entuziazëm Thaçi, Vuçiqi, Dodiku apo Orbani e urojnë Gjukanoviqin, ata në tri dekadat e tij të qeverisjes e shohin veten, dhe shtegun e tyre. Të gjithë këtyre Miloja u bëhet mik apo vëlla, ndërsa sektori civil, mediat e pavarura, fjala e lirë, politikanët e pakorruptuar bëhen armiq, apo siç i përshkruan Gjukanoviqi, fashistë.
Ky, nga ana tjetër, është rrëfimi rreth “stabilokracisë” dhe qasjes së gabuar të Washingtonit dhe Brukselit në rajonin, ku në vend të standardeve prej sherifit lokal u kërkua vetëm stabilitet. Gjukanoviqi e kuptoi këtë i pari dhe tashmë dy dekada e shet mjeshtërisht të njëjtin rrëfim rreth stabilitetit të rajonit në llogari të shuarjes së të gjitha normave demokratike përbrenda “Montenegros”. Pas tij këtë e kuptoi dhe e zbatoi edhe Gruevski, ç’është e vërteta me boll vrazhdësi e arrogancë, për ç’arsye afati i skadimit iu shkurtua në “vetëm” një dekadë. Më pas u përmend Vuçiqi, i cili planifikon që me po të njëjtin kalë ta kalërojë Serbinë edhe për dhjetëra vjet të ardhshëm. Minimum.
Pasi Thaçi e Haradinaj po e mbështesin me kaq emocion dhe përkushtim Gjukanoviqin supozoj se as ata nuk do të kishin asgjë kundër që ta shpien Kosovën drejt së ardhmes së ndritur për edhe 15 a 20 vjet të ardhshëm, aq sa u ka mbetur që ta mbërrijnë jetëgjatësinë e Milos. Prandaj u rekomandoj kampionëve të sektorit të OJQ-ve dhe mediave të pavarura në Kosovë që të përgatiten edhe për këtë skenar. T’i sigurojnë maskat e gazit, automjetet e blinduara, truprojat, avokatët dhe të armatosen – me durim.
A është ky interesi i dy popujve, për të cilin shkruan në postimin e tij urues presidenti Thaçi?
Natyrisht se nuk është. Për më tepër, fitorja e Gjukanoviqit është lajm i keq si për malazezët ashtu edhe për shqiptarët, pavarësisht nëse jetojnë në Mal të Zi apo Kosovë.