A po jetësohet rruga e shpresës për Plavë Gucinë?

Nga: Esad GJONBALAJ

Njëqind e më shumë vite më parë Plava e Gucia ishin përfolur në qarqet e vendosjes evropiane e më gjerë deri përtej Atlantikut për rezistencën e kësaj krahine kundër pushtimit malazias, por dhe për mospërfilljen e vendimeve të Kongresit të Berlinit e gjer te Konferenca e Ambasadorëve të Londrës e vitit 1913.

Një shekull e gjysmë rezistencë, përndjekje, masakra, shfarosje, burgosje dhe implementime të lloj-lloj strategjive e politikave antishqiptare e shndërruan këtë trevë historike në kështjellë rezistence për çështjen kombëtare shqiptare, në këto kohëra kur gjendeshim thuajse gati para një akti të kryer të rrezikimit të vet ekzistencës së qënies shqiptare në këto treva etnike iliro-shqiptare. Mosgjunjëzimi dhe rezistenca gjatë kësaj periudhe historike me luftëra e qëndresa të mëdha ishin dhe mbetën shpresa e vetme e pa humbur për Plavë-Gucinë, në një zonë të ngujuar gjeografikisht dhe duke qënë e rrethuar me shqiptarë nga të gjitha anët, por e lënë në terrin e thellë shekullor të izolimit të krijuar nga padrejtësitë historike.

Historikisht kjo trevë shqiptare e Plavë-Gucisë filloi të zbrazet kryesisht në 150 vitet e fundit, si rrjedhojë e luftërave të përgjakshme me serbo–malaziasit dhe politikave pushtuese e aneksuese, diskriminimit të gjithanshëm e deri në genocide (si në Qafë të Previsë) ndaj banorëve autoktonë shqiptarë, prandaj ndryshoi dhe raporti i popullsisë shqiptare trojenike duke pasë disa herë më shumë plavë-gucias jashtë se sa që ka brenda territorit të saj etnik.

Në qoftë se në vitin 1948 Plavë-Gucia, sipas regjistrimit, kishte rreth 16.000 banorë, sot – 70 vite më vonë, aty janë pak më shumë se 13.000 banorë.

Duke qënë e izoluar nga rrethanat e kohës kjo trevë shqiptare barti dy plagë të rënda: asimilimin dhe migrimin. Këto dy plagë thuajse shkaktuan dëme afatgjata që vetëm koha mund t’i shërojë dhe madje vetëm me vizion dhe strategji kombëtare, e në këtë strategji dhe implementim të saj mund të paraprijnë vetëm politikat dhe vizionet zyrtare të shteteve tona shqiptare. Viteve të fundit jemi dëshmitarë të një investimi shumë domethënës të shtetit shqiptar ku bëri të mundur lidhjen e trevës tonë me Shkodrën me një rrugë të cilësisë së lartë vështruar nga relievi që përkon kjo arterie rrugore.

RRUGA E SHPRESËS

Përkundër të gjithave Kosova historikisht ishte shpresa e vetme e mbetur për Plavë-Gucinë, por njëkohësisht dhe derë e vetme e daljes nga izolimi dhe frymëzim për rezistim ndaj politikave antishqiptare.

Latinët e lashtë thonin: Spes moritur ultima (shpresa vdes e fundit), e në se bëhet jetësimi i veprës infrastrukturore i Rrugës Deçan-Plavë, atëherë shpresa e vetme e ringjalljes së Plavë-Gucisë, shpëtimi i mbijetesës së qënies shqiptare në këto treva etnike shqiptare, është në rrugë të mbarë që të realizohet sa më shpejt e sa më mirë dhe sipas standarteve euro-atlantike.

U bënë katër vite nga nisja e këtij Projekti shpresëdhënës i Rrugës Deçan-Plavë, i cili në bazë të deklarimeve të atëhershme ishte dashur të jetë i përfunduar sot, por koha dëshmoi qartë se nisja e tij nga ish kryeministri Hashim Thaçi në esencë ngjasoi dhe doli të jetë fushatë parazgjedhore dhe asgjë tjetër. Dhe po këtë shpërfillje bëri edhe pasuesi i tij, qeveria e Isa Mustafës, duke e lënë këtë Projekt në harresë dhe të pluhurosur nëpër kabinetet e tij qeveritare.

Populli fisnik e i përvuajtur i Plavë-Gucisë heroike beson shumë në angazhimin e Kryeministrit Ramush Haradinaj, beson shumë në atdhedashurinë e tij, beson dhe në fjalën, premtimin e dhënë prej Tij. Plavë-Gucia beson po ashtu edhe në angazhimin e deputetit deçanas Rasim Selmanaj. Plavë-Gucia beson shumë se aorta e Plavë-Gucisë do të hapet falë atyre që sot janë në skenën politike, të cilët janë të brumosur me atdhetari shqiptarie e frymë euro-atlantike.

Rruga Shkodër-Plavë-Deçan do të ishte një katalizator i fuqishëm i lidhjes dhe ndërlidhjes të interesave strategjike kombëtare dhe kthimi i rëndësisë që historikisht kishte kjo arterie rrugore në shekuj historie.

Ndërkaq, Shteti Malazias, që trumbeton evropianizim, duhet të kryejë obligimet e veta konkrete karshi këtij Projekti me rëndësi jetike për trevën tonë të Plavë-Gucisë dhe jo veç të prolongoj për proçeset integruese dhe ndërlidhëse në mes shteteve dhe popujve, sepse alternativë tjetër nuk ka dhe as nuk do të ketë, as sot e as nesër.

Jetësimi i kësaj vepre nga Kosova Dardane, me të cilën historikisht bëmë jetërat e luftërat bashkë, do ishte edhe një mirënjohje dhe shpërblim i madh për sakrificat, përkushtimin dhe atdhetarinë e plavë-guciasve të dëshmuar ndër shekuj.

Furra Tahiri