Tani është mundësia për marrëveshjen e Kosovës, por me çfarë kostoje?
“Aleksandar Vucic, – shkruan “The Guardian”, – do ta pranojë Pavarësinë e Kosovës nëse Serbia merr diçka konkrete në këmbim”.
Artikulli nis me një retrospektikë: kthimin pas në Serbinë e vitit 1999. Kur vendi u bombardua nga NATO, Vucic ishte ministër i Informacionit dhe ndihmonte zbatimin e rregullave të forta të censurës për kreun e atëhershëm të shtetit, Slobodan Milosevic.
“Gati dy dekada më vonë, – thekson e përditshmja prestigjioze, – ky njeri është vet president i Serbisë”.
Nën pretendimin se i ka hedhur pas krahëve shumë prej ish-pikëpamjeve të tij nacionaliste, e duke refuzuar akuzat e autoritarizmit, tani shihet nga komuniteti ndërkombëtar si udhëheqësi që mund të firmosë marrëveshjen e pajtimit me Kosovën.
Në intervistën e dhënë këtë javë në Beograd për gazetën britanike, Vucic shprehej se beson në çeljen e një dritareje të shkurtër prej 6 muajsh apo një viti, në të cilën mund të arrihet nënshkrimi i ujdisë.
“Jemi të gatshëm të diskutojme çdo çështje të mundshme. Jemi të gatshëm të marrim në konsideratë çdo propozim që nënkupton një zgjidhje kompromisi”, janë fjalët e tij, “nëse Serbisë i ofrohet diçka në këmbim”.
Por janë ende 5 vende europiane që nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës, kjo më së shumti për shkak se druhen që një lëvizje e tillë mund të krijojë precedentë të rrezikshme për vet konfliktet e tyre territoriale.
Brukseli shpreson që marrëveshja të mund të vuloset, në mënyrë që Kosovës t’i hapet rruga e një vendi në OKB, e të dy shtetet të nisin ecjen e tyre drejt bllokut.
Vucic u është përgjigjur pritshmërive të tilla, por kërkon një paketë përfitimesh për Serbinë, ndërsa muajt e fundit i ka kaluar nëpër takime me udhëheqës perëndimorë, duke u përpjekur t’i bindë ata se duhet të ofrojnë një zgjidhje kompromisi që sjell përfitime konkrete për Serbinë, në vend që thjesht të pranojë në heshtje faktet në terren. /Top Channel/