Xhaka-Shaqiri, “shqiponja me dy koka” që “çmend” serbët!
Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri realizuan dy gola të mrekullueshëm në fitoren 2-1 të Zvicrës ndaj Serbisë në ndeshjen e dytë në Botëror.
Edhe pse Serbia shënoi që në minutën e 5, Zvicra gjeti forca dhe me dy lojtarët shqiptarë arriti të përmbysë gjithçka në këtë ndeshje.
Në 45 minutat e para vendosi një gol i shënuar nga Mitrovic në minutën e pestë të ndeshjes.
Zvicra reagoi pas golit të parë, duke krijuar disa raste të mira për shënim, ku mund të veçohet një devijim i topit nga shqiptari tjeter Xhemaili, i cili po shkonte në rrjetë, por në fund u prit nga portieri serb. Ndërkohë, me anë të kundërsulmit edhe Serbia është shfaqur rrezikshëm në disa raste për të shënuar edhe golin e dytë në këtë ndeshje.
Por duhet të vinte minuta e 52-të që Granit Xhaka të barazonte shifrat në 1-1. Lojtari shqiptar lëshoi një silurë të vërtetë në drejtim të portës së Serbisë, duke mos i lënë asnjë shans reagimi portierit.
Ndërkohë, në minutën e fundit të kohës së rregullt, ishte Xherdan Shaqiri, i cili arriti të shënojë edhe golin e dytë për Zvicrën.
Me këtë fitore, Zvicra shkon në kuotën e katër pikëve dhe tashmë i duhet vetëm një barazim për të kaluar në fazën tjetër të Botërorit.