Portali osvrt.me, e ka konsideruar provokim një postim të veprimtarit të çështjes kombëtare në komunën e Rozhajës, Ali Daci, me anë të cilit ka kërkuar mendimin e opinionit se kush duhet të vendoset në qendër të Rozhajës, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, apo “sebila” boshnjake.
Ndonëse postimi i z. Daci ka qenë një postim i zakonshëm në profilin e tij në facebook, ky portal është munduar që ta politizojë me qëllimin e qartë që të çrregullojë marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve në atë komunë.
Në këtë qëllim thirret në statistikat e vitit 2011, sipas të cilës në komunën e Rozhajës na qenkëshin 84% boshnjakë, e vetëm 5% shqiptarë, ndonëse të ashtuquajturit boshnjakë, në fakt janë shqiptarë të shpërndërruar, ashtu siç ka ndodhur edhe në vise të tjera.
Edhe në portretizmin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ky portal, askund nuk thekson se është kryeheroi i shqiptarëve që ka mbajtur larg Evropës Perandorinë Osmane për një çerekshekulli, madje edhe edhe emrin e tij dhe të Gjon e Vojsava Kastriotit i shkruan të sllavizuar, Gjuragj, Jovan dhe Vojislava.
Madje edhe mbiemrin e Ali Dacit e shkruan Daciq, duke shprehur kështu një lloj ksenofobie dhe albanofobie të kohëve më të errëta.
Gjergj Kastrioti – Skënderbu është figurë historike e përmasave të mëdha prëtej rajonale dhe me luftën e tij kundër Perandorisë Osmane ka mbrojtur jo vetëm kulturën dhe identitetin e shqiptarëve, por edhe të popujve të tjerë, duke e mbajtur kështu larg edhe asmimilimin e popujve të ndryshëm, ashtu siç do të ndodhë më vonë, dhe siç ka ndodhur edhe me shqiptarë të një pjese të territoreve shqiptare që tash janë në Mal të Zi, dhe në pjesën e Sanxhakut që gjendet në Serbi, por edhe në brendësi të Kosovës.
Alabanofobia e portalit osvrt.me, e që shpresojmë të mos jetë edhe shprehje e një fryme të tillë në mesin e qytetarëve të Rozhajës dhe më gjerë, vërtet është për keqardhje dhe që duhet të nxisë reagime të ndryshme politike, intelektuale e qytetare, në mënyrë që kjo frymë kundërshqiptare të mos nxisë çrregullim marrëdhëniesh politike e shoqërore dhe të mos rikthejë kohët e errëta në marrëdhëniet mes popujve në rajonin tonë, raporton portali Fokusi.Org