Sot, në Shas, në epiqendrën e trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore, pra edhe në epiqendrën e identitetit evropian të shqiptarëve në Malin e Zi, në vendlindjen e autorit të veprës së parë në shqip, dhe të përkthyesit të parë të Biblës në shqip, pati një invadim ogurzi, të një vlladike mesjetar, me ithtarët i tij. Ishte ky një desant, një okupim në paralajmërim e ndjellakeq, me qellim të tjetërsimit të kësaj pasurie shqiptare.
Çka është edhe më keq, e gjithë kjo u bë edhe me asistencën e policisë malazeze, e cila gjoja paraprakisht ua kishte ndaluar këtë pelegrinazh primitiv e antinjerëzor. Pra, edhe pse shqiptarët dhanë e po japin kontribut për këtë shtet, këta vazhdojnë me të vjetrën!
Lidhur me këtë shqiptarët e atjeshëm reaguan siç u ka hije trashëgimtarëve të vërtetë (me ndonjë lëshim të vogël, si pasojë e pagjetunisë). Provuan që me trupat e vet të ndalojnë depërtimin e kësaj kolone drejt shenjtoreve tona, por nuk mjaftoi. Shteti ishte më i fuqishëm dhe favorizoi dhunën mbi vlerat tona!
Pati edhe shkresa nga kryetari i Kuvendit të Ulqinit, dhe i KKSH-së, drejtuar kreut të Malit të Zi, por që hasën në veshe të shurdhër, sepse, siç duket, pushtetarët nuk po lodhen se çka mendojnë shqiptarët, të cilët i përkrahin pa kushte! Dihet se kryeministri dhe kryetari i shtetit u zgjodhën me angazhimin maksimal të këtyre përfaqësuesve, dhe ja sa u vlen fjala. Prandaj, ky lloj i bashkëpunimi shterp me ta, e në dëm të shqiptarëve, duhet të ndërptitet sa më parë, sepse kështu jo vetëm se defaktorizohemi, por edhe mbyllen dyert, që dikush të na ndihmojë.
Në kushte normale, për një popull që mendon për të ardhmen e vet, është e natyrshme që të priten dorëheqjet e të gjithë përfaqësuesve tonë në këtë qeveri dhe shkarkimi i kryetarit të komunës së Ulqinit, i cili vjen nga radhët e partisë në pushtet. Pra, SHKURT E SHQIP, mbas sodit, e deri në krijimin e kushteve ku ne do të jemi vërtet faktor e partnerë, shqiptarët nuk kanë çfarë të kërkojnë në qeverinë e Malit të Zi. Vetëm atëherë mund të çojmë kushtrimin edhe mëndej. Kushtrimin se, edhe në këtë shekull, e me dy shtete shqiptare, po vazhdon asimilimi i kulturës sonë! Prandaj, sot, e në këtë shekull, e me dy shtete shqiptare, që promovojnë fqinjësi ideale, nuk guxojmë që trashëgimin tonë shpirtërore e kulturore ta lëshojmë në mëshirën e këtij shovinisti që fshihet pas kryqit. Kurse, me pjesëmarrje në qeveri që favorizoi dhunën mbi vlerat tona, qengjin e kemi futë në strofullin e ujkut!
Nikollë Camaj