Ivanaj: Populli e do shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Tuz, pushteti jo

Kryetari i Klubit të Këshilltarëve të Lidhjes Demokratike Shqiptare Ivan Ivanaj, për gazetën e përditshme “Dan”, deklaroi se edhe pse propozimi i LDSH-së, për vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Tuz, nuk e kishte shumicën e nevojshme në parlamentin lokal, kjo parti nuk do të heqë dorë nga iniciativa e vet.

Ivanaj thekson se Skënderbeu për shqiptarët është njëjtë si Bonaparta për francezët, apo Njegoshi për malazezët.

“Ne, nga iniciativa jonë nuk do të heqim dorë, por do të qëndrojmë, deri sa të plotësohen kushtet për realizimin e këtij projekti. Ata që janë kundërshtarë për vendosjen e shtatores së heroit tonë më të madh, do të duhej mirë të mendojnë, nëse janë aty për të përfaqësuar qytetarët e Malësisë, apo që ti kënaqin shefat e vet dhe grupacionet e vogla politike, që veprojnë në Tuz. Merreni me mend absurdin, Skënderbeu nuk i pengon askujt në Romë, Londër, apo edhe qendrat e tjera evropiane, por i pengon pushtetit lokal në Tuz”, deklaroi Ivanaj.

Sipas Ivanajt qytetarët që kanë votuar për shumicën aktuale, duhet mirë të mendojnë se kujt do t’ia ja japin besimin e vet, pasiqë, sipas tij, përfaqësuesit e sotëm të tyre u kujtohen vetëm para zgjedhjeve, kur u premtojnë male dhe fusha, por kur duhet që të mbrojnë interesat e tyre, shtihen si të marrë, theksoi Ivanaj.

Siç thekson Ivanaj, motivimin që të qëndrojnë për këtë qëllim, e gjejnë pikërisht te zgjedhësit e vet, por edhe te një pjesë e mirë e qytetarëve të Malësisë, të cilët e deshirojnë të njëjtën gjë.

“Kështu që u themi të gjithëve që Skënderbeu do ta fitoi vendin e vet edhe në Tuz, pasiqë aty edhe e ka vendin, e këtë me siguri do ta vërejnë edhe këta që sot e kundërshtojnë”, tha Ivanaj.

Ai shtoi se nuk duhet harruar se kjo shumicë iu kundërshtua edhe ndryshimit të statusit të Malësisë në komunë të plotë, e sot kur kjo është pothuaj e zgjidhun, ata tentojnë të paraqiten sikur pikërisht ata janë angazhuar tërë kohen për komunë.

“Ne jemi të vetëdijshëm se me klimën politike në Mal të Zi,  nuk mundet asgjë të arrihet pa presion, prandaj siç kemi qenë të durueshëm e të qendrueshem për kërkesën për komunë, ashtu do të jemi edhe për Skënderbeun, dhe sigurisht se edhe atij do ti vijnë dita”, tha Ivanaj.

Albert Camaj