Tubimin tradicional “Mirë se vini në Alpet Shqiptare 2018” e nderoi pjesëmarrja e Presidentit të Shqiperisë z. Ilir Meta

Më 1 gusht 2018, në gjirin e Alpeve Shqiptare, në Vuthaj-Guci, u mbajt tubimi, tashmë tradicional,“Mirë se vini në Alpet Shqiptare 2018”, në kuadër të të cilit u mbajt edhe festivali “Kenga dhe Vallja Shqipe na Bashkon”.

Këtij tubimi, i cili tuboi mijëra veta, madhështinë ia shtoi me pjesëmarrjen e vet Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, dhe figura të tjera politike dhe kulturore nga të gjitha trevat shqiptare.

Tubimin e hapi drejtori i festivalit Tahir Gjonbalaj.

Me një fjalë përshëndetëse të pranishmëve iu drejtua edhe Presidenti I Shqipërisë z.Ilir Meta.

Në fjalën e vet ai shprehu kënaqësinë që mori pjesë në këtë manifestim dhe në këtë parajsë njerëzore dhe natyrore.

Ai foli për mbresat që i la vizita në Plavë dhe Guci, dhe i porositi qytetarët shqiptarë që rruga nga Tirana deri në Guci, është vetem tre orë dhe se është më afër se Kolashini, Zhablaku apo Mavrova dhe se kanë ç’të shohin më shumë në Plavë dhe Guci dhe se pasi të vizitonin Plavë e Guci, do ta kenë vështirë të shkojnë në ndonjë vend tjetër malor theksoi Presidenti Meta.

Në kuadër të këtij aktiviteti Shoqata “Alpet Shqiptare” ndau Mirënjohje për Presidentin z.Ilir Meta si dhe “post mortum” për kolosin e Kosovës, z. Adem Demaçi. Dekoratën për familjen e Demaçit, e dorëzoi, Presidenti Meta, kurse e pranoi veprimtari i çështjes kombëtare dhe vëllai i dy dëshmorëve të kombit, z. Fadil Fazliu.

Presidenti Meta premtoi që edhe vitin e ardhshëm do të jetë i pranishëm në këtë tubim, jo për mirënjohje, por për të kënduar.

Ndërkaq duke filluar nga data 30 korrik 2018, në Plavë – Guci me defilimin e vet të filluar nga Komuna e Plavës dhe ajo e Gucisë, nën shoqërimin e Flamurit tonë kombëtar, të këngëve dhe valleve shqipe, filloi festivali i tretë mbarëkombëtar “Kënga dhe Vallja Shqipe na Bashkon”.

Në këtë festival të karakterit garues, pjesëmarrësit u vlerësuan nga juria në përbërje: Azgan Haklaj President i Unionit Artistik të Kombit shqiptar, Dilaver Kryeziu magjister i koreografisë, profesoreshë, Hasnije Kukaj Gjonbalaj, Deli Metalia mjeshter i madh, koreograf dhe aktivistja  e SH.K.A “Maja e Karajfilit”,  Mirjeta Gjonbalaj.

Në ditën e parë të festivalit morën pjesë: Shoqëria Kulturore Artsitike “Liria”, nga Mileshi, Shoqëria Kulturore Artsitike “Fluturat” nga Ulqini. Në ditën e dytë u paraqiten: Shoqëria Kulturore Artsitike “Besa”, nga Trieshi, Shoqëria Kulturore Artsitike “Komorani” dhe Folk Alb nga Tirana. Ndërsa në ditën e tretë qenë: Shoqëria Kulturore Artsitike “Kumanova”, Grupi i Floklorit“Medvegja”, Shoqëria Kulturore Artsitike “Jehona e Këlmëndit”, Shoqëria Kulturore Artsitike “Jeta e re”, nga Kumanova dhe Shoqëria Kulturore Artsitike “Maja e Karanfilit” nga Plavë-Gucia.

Vendin e parë e fitoi Shoqëria Kulturore Artsitike “Besa”, nga Trieshi; vendin e dytë Shoqëria Kulturore “Folk Alb” nga Tirana”, kurse vendin e tretë Shoqëria Kulturore Artsitike “Jeta e re” nga Kumanova.

Vendi për veshjen autentike më të mirë, i takoi Shoqërisë Kulturore Artsitike “Këlmëndi” , ndërsa Çmimi i publikut i takoi Shoqërisë Kulturore Artsitike “Liria”, nga Mileshi, kurse çmimi special i takoi Shoqërisë Kulturore Artsitike “Fluturat” nga Ulqini dhe Grupi i Floklorit “Medvegja”.

Çmimi i rapsodit më të mirë të festivalit i takoi  Shtjefën Ujkaj, ndërsa veteranët e Festivalit u shpallën Dila Vaçaj dhe Martin Smajlaj

Ky është viti i 21 që mbahet Tubimi  “Mirë se vini në Alpet Shqiptare”, si manifestimi i vetem i ketij lloji i cili ka për qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në Plavë-Guci.

Albert Camaj