Camaj: Tuz-exit, sfidë për të gjithë

Nga Nikollë Camaj

Që nga 01 shtatori, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit mbi organizimin territorial të Malit të Zi dhe të Ligjit mbi Kryeqytetin, Tuzi formalisht fitoi statusin e komunës së plotë.

Mirëpo, hyrja në fuqi e një ligji, nuk do të thotë shumë, nëse ai nuk implementohet, e siç dihet, në Malin e Zi ka dhjetëra ligje të „hyra në fuqi“, por që kurrë nuk dhanë asnjë rezultat.
Dua të shpresoj se ligjet e fuqizuara me 01 shtator nuk do të kenë një fat të tillë. Mirëpo, fakti se implementimi është në duart e atyre të cilët ishin kundra ndryshimit të statusit, zvarritje dhe obstruksion edhe mund të ketë. Megjithatë, dua të var shpresën te fakti se shpallja e zgjedhjeve është obligim i presidentit, i cili këtë ua ka premtuar adresave relevante ndërkombëtare, dhe shpresoj se nuk varet shumë nga disponimi politik i akterëve lokal të Tuzit.
Mirëpo, edhe përkundër kësaj, zor se “Brexiti ynë” kalon pa pasoja për të ardhmen e këtij vendit. Vet fakti se komisionet të cilat duhet të bëjnë ndarjen e pasurisë dhe korrigjimin e kufijve do të përbëhen nga struktura të njëjta politike, të cilat kanë pushtetin edhe në Tuz edhe në Podgoricë, ku dominon rryma PDS-boshnjakë, flet shumë në favor të këtij dyshimi. Dyshimin e shton edhe fakti se vende kyçe të këtij pushteti, edhe me emërimet e reja, po vazhdojnë të mbulohen me persona e politika të deklaruara kundër pushtetit të plotë lokal. Atyre nuk u pengon që të përfitojnë nga statusi i ri, edhe pse në dëm të popullatës shumicë-autoktone. Çështje është vetëm te pragu i durimit, i atyre që përmes komunës mendonin për të realizuar ëndrrën shekullore të popullatës autoktone të Malësisë, për të qeverisur me resurset e veta, dhe për të vendosur për të ardhmen e vet.
Dyshimi është nëna e mësimit, më tepër se besimi, prandaj kërkoj ndjesë për këtë hezitim të rastit, dhe askush të mos e marr si të adresuar drejt tij. Thjesht po jap një sinjal, një alarm për ata që do të bisedojnë, sepse do të ketë shumë sfida, por edhe kurthe që i presin. Të bindur se s’do të kemi mundësi as t’u afrohemi këtyre komisioneve, dua vetëm tua bëj me dijë se do ta kemi në skaner punën e tyre, dhe se nga prapaskena do të bëjmë çka do që të jetë u mundshme që “tuz-exit” të jetë në favor të Malësisë. Të tillë ishim gjatë gjithë kohës, në raport me çështjen e statusit, të tillë do të jemi edhe në procesin e ndarjes së pasurisë dhe ”demarkacionit”. Nëse edhe këtu dëmtohet Malësia, atëherë popullata autoktone duhet vlerësuar se janë pjekur kushtet për të menduar edhe për opsione të tjera! Rakiqi i përgjysmuar, deponia me qira, edhe pse në truallin tonë, Kakarriqi jashtë Tuzit, Podgorica deri nën Sukë të Grudës, Liqeni i Rikavecit për t’u dëshiruar, bjeshkët e uzurpuara, Liqeni i grabitur, bashkë me fushat e Tuzit, paraqesin gjendje të papranueshme për Malësinë, çka përfundimisht e le statusin tonë të pazgjidhur dhe hapësirën për të kërkuar alternativa tjera!
Nuk do të donim që komuna jonë t’i ngajë asaj që flitet, e që thuhet se kishte ndodhur, diku njëherë. Apo disa herë: Dasmorët po bënin dasmë e dyzen, madje edhe me fishekzjarrë, e nusja, përmes dritares, kishte ikur me tjetrin!
Që kjo të mos ndodh, ne do bëhemi roje, qoftë edhe te dritarja, dhe do të japim gjithë kontributin tonë që nusja/komuna t’i takojë dhëndrit/Malësisë.
Këtu do të na gjejnë të gjitha ata që veprojnë në këtë drejtim!

P.S.
Në takimin e djeshëm me kryebashkiakun e Podgoricës, nga pala e komunës së re ishin, Abedin Axhoviq, Fadil Kajoshaj, Haris Ramoviq, Halil Dukoviq dhe Simon Ivezaj. Nëse dikush mendon se kjo është Malësia, dhe se një ekip i këtillë, i njëanshme, do ta zgjedhë çështjen e ndarjes, në favor të Malësisë, mashtroheni! Por aty, ata janë me votat tona!

Furra Tahiri