Shkolla e muzikës në Tuz ka fituar një donacion, gjegjësisht instrumente muzikore me vlerë prej 1200$.
Profesori i muzikës Luigj Dedvukaj në një postim në facebook shkruan se shkolla është pasuruar me Pianino digjitale (klavinova), dy violina, kitara, klarineta, pulti dhe stoli për piano.
“Unë personalisht, por edhe në emrin e kolegëve dhe gjithë dashamirësve të Malësisë e falënderojmë përzemërsisht bamirësin z. Pashko Stanaj (nga New York-u), për dhuratat që i bëri nxënësve tanë, që ndjekin mësimin në paralelen e shkollës së muzikës në Tuz”, shkruan Dedvukaj.
Ky donacion krijon zhvillimin e orës mësimore me kushte më të volitshme dhe ngritë nivelin e mësimit të nxënësve.
“Rikujtoj se, z. Pashko Stanaj është babai i këngëtarit Albert STANAJ (artistit të LAVA RECORDS), tashmë yllit të ri me përmasa botërore dhe babai i malësorit të parë që preku majat e muzikës botërore të zhanrit pop soul”, shkruan Dedvukaj.
Shkolla e muzikës ka filluar punën vitin e kaluar, dhe tashmë vazhdon me gjeneratën e dytë të nxënësve. /MALESIA.ORG/