LDSH e PD refuzojnë ftesën e Nimanbegut: Ftesa juaj, përpjekje e pasinqertë për të legjitimuar veten

Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, përmes një shkrese publike iu përgjigjen deputetit të Koalicionit Shqiptarë të Vendosur (Forca, UDSH, ASH), Genci Nimanbegut, në ftesën për të biseduar lidhur me ligjin zgjedhor.

Lexoni kumtesën e plotë të LDSH-së dhe PD-së:

“I nderuar deputet Nimanbegu,
Ju falenderojmë për ftesën Tuaj, që ditën e martë, në Kuvendin e Malit të Zi, në Podgoricë, të takohemi dhe të bisedojmë rreth ligjeve të reja zgjedhore dhe ndryshimeve eventuale.
Ka pasur shumë raste gjatë dy viteve të fundit që të na ftoni, tuboni, konsultoni, por nuk e keni bërë këtë. Përkundrazi, ju keni vazhduar me retorikën parazgjedhore të fyerjes së opsionit politik që përfaqëson pjesën më të madhe të votuesve shqiptarë në Malin e Zi. Dhe jo vetëm ata, por aktivitetet tuaja i keni vazhduar në frymën e asaj që në Komisionin Zgjedhor Shtetëror, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, ka bërë partia Juaj, domethënë koalicioni, duke votuar kundër përsëritjes së zgjedhjeve në disa vendvotime, në të cilat ka pasur parregullsi. Për më tepër, koalicioni juaj është ankuar në vendimin e Komisionit që zgjedhjet të përsëriten, gjë që, sikur të kishte ndodhur do të kishte si rezultat fitimin edhe të një mandati për partitë shqiptare. Me këtë keni konfirmuar se nuk udhëhiqeni nga interesat e shqiptarëve në Mal të Zi por nga interesat e ngushta partiake dhe interesi personal.
Atëherë iu kemi porositur se Ju nuk i përfaqësoni shqiptarët, por vetëm partinë Tuaj dhe listen zgjedhore, gjë që e përsërisim edhe tani.
Siç e dini ju dhe i gjithë opinion, dy listat tona në zgjedhjet e fundit kanë fituar më shumë vota se lista juaj, që domethënë se Ju nuk keni kurrfarë të drejte të flisni në emër të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi. Por vetëm në emër të atyre që Ju kanë zgjedhur dhe dërguar në Podgoricë.
Prandaj këtë ftesë Tuajën e përjetojmë dhe e vlerësojmë si përpjekje të pasinqertë që vetes ti jepni rëndësi më të madhe në Grupin punues.
Pra, z. Nimanbegu, për këto arsye refuzojmë që te Ju ofrojmë legjitimitet që të përfaqësoni partitë tona, listat tona zgjedhore dhe të gjithë ata që na kanë votuar.
Si subjekte politike, të rrënjosura në trupin votues, qëndrimet tona mbi të gjitha çështjet e rëndësishme do t’i bëjmë publike. Me inciativat dhe propozimet që do të kanë rreth ligjeve zgjedhore dy listat tona zgjedhore do t’i drejtohen drejtpërdrejtë Grupit punues”, thuhet në shkresen e nënshkruar nga Kryetari i LDSH-së, Nikollë Camaj dhe ai i PD-së, Fatmir Gjeka.
Malesia.Org