Njoftim: Të premtën, në QKI „Malësia“ në Tuz, jepet shfaqja e Teatrit Kombëtar të Kosovës „Gazetarja e kulturës vetvritet“

Ju njoftojmë se të premtën, me datën 23.11.2018, në sallën e madhe të QKI „Malësia“ në Tuz, me fillim në ora 19:00 do të jepet shfaqja e Teatrit Kombëtar të Kosovës „Gazetarja e kulturës vetvritet“

Gazetarja e kulturës vetvritet bazohet te një tekst romanesk të autorit Idlir Azizaj. Pjesa nis e prek disa detaje shqetësuese të defekteve sociale e konceptuale shqiptare sot. Nisur nga kumti shekspirian, që e shihte botën si skenë, këtu teatri bëhet vetë skena e jetës, e memorjes dhe e keqpërdorimit të saj, e aksionit njerëzor dhe keqpëdorimit të tij. Ndryshe nga pjesë që shohim zakonisht, nuk është një lojë tragji-komike e « absurdit » shqiptar. Kjo dramë është një zhytje në sociopolitikën shqipe, duke patur për skafandër vetë Aktorin e teatrit.

Regjisori Alban Beqiraj na sjell kështu në platenë e teatrit diskursiv, i cili shmang dukshëm kulturën e dialogut gjoja konstruktiv, që reklamon aq shumë politika zyrtare sot kudo. Përmes pjesës motorrizohet një lëndë e ngjeshur me figura dhe opinione, duke na ofruar një centrifugë tematike, sajë monologut dhe lojës së shumëfishtë e imagjinative të aktorëve.

 

Këtë aksion shumëplanësh të ligjërimit poetik e dramatik e sjellin aktorët : Donikë Ahmeti, Afrim Muçaj, Daniela Markaj.

 

Skenografia: Mentor Berisha
Kostumografia: Valdete Mustafa
Inspicient: Bajram Mehmetaj
Ndriçimi: Mursel Bekteshi
Regjia: Alban Beqiraj