Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, me urdhër të Kryeministrit Ramush Haradinaj, ka marrë vendim që të vendoset masa prej 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare të listuara në aneks.
Poashtu, Qeveria e Kosovës obligon Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Vendimi hyn në fuqi menjëherë – institucionet relevante obligohen ta zbatojnë poashtu menjëherë”, shkruan Haradinaj në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se marrja e vendimit për rritjen e taksës është veprim i zorit, pasi sipas tij Serbia e ka bllokuar Kosovën.
Vendosja e kësaj takse ka nxitur reagimin e Bashkimit Evropian, përkatësisht Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini e cila ka kërkuar nga Kosova të shfuqizojë menjëherë këtë vendim.
Albert Camaj