Draga: Provokimi që ndanë Malësinë, Deçiqi i shënjtë për shqiptarët

Gjatë këtij viti që po  e lëmë pas shqiptarët janë duke u provokuar në vazhdimësi, kryesisht nga  Kisha Ortodokse Serbe, si në Shas e Ulqin, e duke vazhduar me kishën në Martinaj e malin e Rumisë, ndërsa së fundi kemi provokimin e radhës kësaj here në Malësi  nga siç thuhet rinia e DPS-it  me ngjyrosjen e shkronjave te  emrit të Titos në malin e Deçiqit, duke dëshmuar se asgjë nuk është e rastit por një vazhdimësi destruktive e qarqeve të caktuara ndaj popullsisë shqiptare në hapësirën e tyre etno-gjeografike.

 Nga Dr.Nail  Draga

Ndonëse kanë kaluar trembdhejtë vite nga vendosja e objektit metalik në Rumi, nga ana e Kishës Ortodokse Serbe(KOS), që më vonë e muar epitetin kishë, shqiptarët në viset e tyre në Mal të Zi, vazhdojnë të provokohen gjithnjë.  Gjatë këtij viti deri më tash nga ky subjekt klerikal janë realizuar tre provokime, fillimisht në Shas, për mbajtjen e liturgjisë të kisha e Shën Gjonit, që u penguan nga qytetarët vendas dhe policia. Më pas me të njëjtin skenar në Ulqin, u tentua të mbajnë liturgji në Kalanë e Ulqinit, para mbetjeve të një kishe që sipas tyre na qenka ortodokse, por u penguan sepse  nuk kanë marrë leje nga policia për tubime të tilla publike. Dhe së fundi ditë më parë kemi angazhimin konkret të tyre  duke murosur objektin  metalik në Rumi, për t’ia ndërruar formën këtij objekti.

Ndonëse pas vendosjes së objektit metalik në Rumi(18.6.2005) ka pasur reagime të ndryshme, duke e vlerësuar një veprim të tillë nga KOS-i provokim të popullsisë vendase dhe kundër harmonisë nacionale dhe  fetare të tre konfesioneve të këtij mjedisi rreth Rumisë, në lidhje me këtë çështje pushteti ekzekutiv  ka sjell vendimin(22.7.2005)  së vendosja e një objekti të tillë në Rumi është veprim ilegal dhe i kundërligjshëm, dhe si i tillë ai duhet të largohet nga ai mjedis, por, deri më sot diçka konkrete nuk ka ndodhur. Dhe si për ironi të ngjarjës, jemi dëshmitarë se reagime identike ka pasur edhe tani  pas murosjes së objektit metalik, madje edhe nga vet kryeministri i vendit, por dyshojmë se do të kemi veprim konkret në këtë drejtim, sepse  ajo është vendosur aty pikërisht  me mbeshtetjen e tyre.

Deçiqi  i shënjtë për shqiptarët

Por, kur, u mendua se ky vit do të përfundojë me këto provokime nga ana e KOS-it, e kishim gabim sepse ndodhi provokimi i radhës, kësaj here në Malësi e ate pikërisht në malin e Deçiqit(10.11.2018). Fjala është për ngjyrosjen e shkronjave  me emrin e Titos, që është realizuar nga rinia e DPS-it subjektit politik që ka pushtetin në komunën e Tuzit.

Këtë veprim nuk e vlerësojmë si të rastit, por vazhdimësi e provokimeve, ku pas Kishës Ortodokse Serbe, kësaj here një gjest i tillë vjen nga një parti politike(DPS), që paraqet befasi sepse kemi të bëjmë me një dukuri te panjohur  në Malësi deri më tash në pluralizëm.

Nuk ka dilemë se të rinjët e DPS-it lokal, ku shumica janë të përkatësisë kombëtare shqiptare, ishin   realizuesit e një skenari   të motivuar politikisht, por ne vendin dhe kohën e gabuar.

Nëse të disa subjekte politike, ekziston nostalgjia për kohën e monizmit dhe Titon, ata veprimet e tilla le ti shpalosin në mjedise tjera e jo këtu në Malësi të shqiptarët, sepse ky veprim paraqet një provokim të hapur, ndaj malësorëve e të Malësisë.

Ndaj një provokimi të tillë një ditë pas  kanë reaguar një grup të rinjësh nga Malësia, duke hequr ngjyrën nga ai  mbishkrim i cili ka irituar banorët vendas,  duke  mbrojtur ekologjinë e malit të Deçiqit  që  është i shënjtë  në historinë kombëtare shqiptare.

Por, mjerisht  duket se si i tillë nuk është i njohur nga  ata se  parësore kanë qasjen ideologjike e jo ate kombëtare, që është irituese në këtë vit jubilar ku shqiptarët kremtojnë jubileun e 550-vjetorit të vdekjës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Sepse angazhimi konkret në këtë drejtim edhe  nga  një parti politike që llogaritet si  qytetare do të ishte akt  nderimi i kujtesës kombëtare të shqiptarëve si kudo në botën e qytetëruar  demokratike.

Në lidhje me këtë provokim qe ka pasur tentim ndarjën e qytetarëve të Malësisë  ka reaguar vetëm LDSH, ndërsa subjektët tjera politike kanë heshtur. Një veprim i tillë është për çdo kritikë, sepse çështjet kombëtare janë te të gjithëve e jo të një subjekti politik.

Nostalgjia e kohës së monizmit

Edhe pse një emërtim i tillë në malin e Deçiqit thuhet se është vendosur në vitin 1946, që ishte dëshmi e kultit të personalitetit si  në të gjitha vendet e ish kampit socialist, me kalimin e kohës  ky emërtim filloj të zbehëj. Ndërsa me dështimin e socializmit, dhe shkatërrimit të ish shtetit me emrin Jugosllavi nga viti 1992, kemi menduar se  ky emër i takon së kaluarës, por si duket janë ringjallur nostalgjikët e kohës së monizmit. Të tillët nëse duan të rikthejnë kohën e kaluar, atëher, le të rikthejnë emrin e këtij qyteti  nga Podgorica që e mban sot në Titograd që e ka mbajtur më parë(1946-1992), por jo t’iu imponojnë te tjerëve jashtë vullnetit të tyre.

Banorët e Malësisë, përkatësisht shqiptarët nuk e meritojnë një provokim të tillë, sepse ka argumente të mjaftueshme  se në kohën e pushtetit të  Titos në Malësi  e në vise tjera janë bërë krime kundër shqiptarëve në emër të ideologjisë komuniste, ku  pasojat  kanë qenë fatale në atë kohë  e deri në ditët tona. Ndërsa ata qe kanë nostalgji për Titon le  ta mbajnë të shënuar në oborrin e shtëpisë së tyre, por mos t’iu imponojnë të tjerëve, sepse koha e imponimeve ideologjike  ka kaluar.

Koha për reflektim pozitiv

Qellimi i një përformanse të tillë partiake  nga organizatorët si duket është realizuar  për të dëshmuar forcën politike të tyre sepse jemi në prag të zgjedhjeve lokale për komunën e pavarur të Tuzit. Edhe pse DPS-i lokal në Tuz ka shumicën në pushtetin lokal, si duket nuk është i sigurtë në zgjedhjet vijuese, andaj  duan të homogjenizojnë elektoratin e tyre me nostalgjikët e kohës së monizmit. E të tillë si duket ka mjaft  kudo e Malësia për fat të keq nuk bën përjashtim.

Ndërsa përgjigja ma e mirë  një marketingu të tillë politik të DPS-it, nga subjektët politike shqiptare në Malësi do të ishte organizimi i një koalicioni të gjerë shqiptar, duke lënë anash animozitetin personal, interesat partiake e klanëve të ndryshme, duke qenë unik, për të arritur një fitore në zgjedhjet lokale për komunën e pavarur të Malësisë me qendër në Tuz. Është koha për një reflektim pozitiv, sa më parë sepse nesër do të jetë vonë!

(Nëntor, 2018)