Nga Gjekë Gjonaj
Një ndër personalitet e tilla, i cili gjithherë ka vepruar në shërbim të familjes dhe të kombit, deri në frymën e fundit, është edhe burri i nderuar i Hotit ( Malësisë së Mbishkodrës), Nua Vuksan Junçaj, i njohur në popull si Nua Vuksani. Atë e kam njohur qysh herët, sepse emri dhe figura e tij ishin të çmuara dhe të respektuara në Malësi dhe më gjerë. Shumë kohë më parë , para se ta njihja Noun, emrin e tij e kisha dëgjuar prej shumë njerëzve, e në veçanti e kam dëgjuar prej babait tim, Gjon Markut. Ishin kohët kur njerëzit veçoheshin për nga virtytet morale, vlerat e burrërisë, fisnikërisë, urtisë, kakrakteri i fortë e i guximshëm , prej vlerave të urtisë, besnikëria e fjalës dhe veprimit.
Tragjedia familjare, 0se vdekja brenda javës e 7 anëtarëve të familjes
Kjo figurë nderi e krenarie për familjen e tij Junçaj, për vendlindjen e tij Bozhaj, Hotin dhe më gjerë, lindi në vitin 1914 në një familje të ndershme e fisnike. Ishte djali i vetëm dhe fëmiu më i vogël i Vuksan Lekës dhe Tole Gojçaj nga Skorraqi. U rrit në një familje shumë anëtarëshe, në kushte jashtëzakonisht të vështira, sikurse shumica e moshatarëve të tij të varfër të Hotit. Pra, këtij vogëlushi (vëlla i dy motrave Dilës dhe Marisë) , i ra të rritet në kushte të mjerimit që të përkujtojnë legjendën e Migjenit, atë të misrit, mungesën e shumë gjërave të nevoshme për jetesë. Ai, që në moshën tri vjeçare, mbeti jetimë me dy motrat e tij, njëra 5 vjeç, kurse tjetra 6,5 vjeç. Brenda vetëm një jave i vdesin 7 anëtarë të familjes nga sëmundja e kolerës, babai, nëna, dy axhët, gruaja e axhës dhe dy fëmijët e tyre. Mbetet gjallë vetëm gjyshja e Nout , e cila u përkujdes me gjithë zemër për mëkëmbjen e tij dhe dy motrave të tij të vogëla. Ishto kjo vërtet6ë një tragjedi e pabesueshme e cila vështirë të besohet e jo më të përjetohet.
Jeta në shkollën e jetimëve në Shkodër
Për shkak të problemeve ekonomike dhe historisë tragjike e prekëse të familjes së tij, Noun 7 vjeçar e çojnë në shkollën fetare të jetimëve në Shkodër, ku qëndroi dcri sa i mbushi 14 vjet. Atje, përveç mësimeve biblike për moralin dhe për Perëndinë, të cilat e çliruan nga bestytnitë skllavëruese, nga bindjet e rreme fetare dhe nga sjellja e keqe, mësoi edhe shkrim lexim, duke u brumosur me shumë njohuri të reja, të cilat e ndihmuan në emancipimin e tij dhe të bashkëfshatarëve të tjerë të interesuar për t’a mësuar alfabetin e gjuhës shqipe, meqë asokohe askush tjetër në Bozhaj nuk dinte shkrim-lexim përveç tij.
Kthimi në shtëpi në Bozhaj
Nua Vuksani pas shtatë vitesh qëndrimi në shollën e jetimëve në Shkodër kthehet në shtëpinë e vet në Bozhaj. Aty përveç dy motrave dhe gjyshes, gjenë edhe axhën e tij Kolën, i cili u kthye shëndosh e mirë në familje nga Austria, ku kishte qëndruar dy vjet pa vullnetin e tij në ushtrinë austro-hungareze. Kola, i frikësuar se kjo familje po mbetet pa trashëgimtarë, e ç’rergjistron Noun nga shkolla në Shkodër dhe e bie në familjen e tij. Pas kthimit të Nout në shtëpi, Kolës i lindin 3 djem dhe dy vajza. Ishte ky një gëzim i madh për këtë familje, e cila përsëri filloi të rritet në numër, mbas dhimbjes dhe humbjes së mëparshme tragjike të shtatë më të dashurve të vet.
Martesa e Nout me Mrinë
Martesa, siç dihet, është një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën e njeriut. Ky akt në atë kohë bëhej në mënyrë tradiconale, nëpërmjet marrëveshjes së bërë në mes të dy familjeve, pa pyetur ata që martoheshin. Kështu edhe Noun e marton axha Kolë sipas këtyre kritereve ( me shkuses) , në moshën 22 vjeçare, me Mri Kolen Gjonaj prej Vatnikajve, vajzë e mirë, prej një familjeje të ndershme e të respketuar në Drume të Hotit. Atyre u buzëqeshi fati , duke sjell në jetë 11 fëmijë ( 5 djem e 6 vajza), të cilët kanë zgjidhur rrugët e jetës.
Jeta e tyre nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse u rritën me vështirësi ekonomike, në një fshat ku lehtësisht shihej se “dora e pushtetit” nuk kishte investuar asnjëherë, ku nuk kishte ujë të pijshëm, rrymë elektrike e rrugë të asfaltuar, deri në vitin 1972, kur filloi përmirësimi i infrastrukturës së fshatit.
Vuajtjet trivjeçare në burgun famëkeq të Goli Otok-ut
Në kohën kur Nua Vuksani ishte kryetar i Komunës së Tuzit në vitin 1948 arrestohet dhe burgoset pa gjyq nga policia jugosllave në burgun famëkeq Goli Otok, ku qëndroi tri vjet. Burgosja e tij e papritur, për arsye që ai vdiq dhe nuk e diti, e kishte prekur thellë në shpirt atë dhe familjen e tij e cila, siç theksuam, kishte përjetuar dhimbje dhe tragjedi pothuaj të paparë. Gjatë vuajtjes së dënimit, bashkë me shokët e tjerë të burgut për të cilët thuhej se mbështesnin Stalinin e jo Titon, përjetuan vuajtje e tortura të shumta. Nua Vuksani disa herë u kishte rrëfyer shokëve për vuajtjet e torturat ç’njerëzore që u bënin policia jugosllave të burgosurve në Goli Otok, nga të cilat veçojmë: “ Momentet më të vështira dhe më të tmerrshme që i kam përjetuar në burg kanë qenë ato kur na detyronin të pijmë nga një litër ujë përmes hundës, pastaj kur afro 1.000 veta të rreshtuar të godisnin me gjithë fuqinë që kishin me grushta e shuplakë gjatë parakalimit në mes tyre, kur nxirrnim rërë me goruzhdë nga fundi i detit në anije dhe kur në mal thenin gurin me gurë dhe i bashkonim ( grumbullonim) në një vend si dëshmi se sa kemi qenë të “ suksesshëm”.
Mirëpo, shokët që e njihnin mirë dhe kishin pasur rastin të vepronin me Nua Vuksanin , thonë se ndjeheshin krenar me qëndresën e tij në burg, të cilin fatlumërisht e mbijetoi, sikurse edhe shumica e shqiptarëve të tjerë nga Mali i Zi.
Ndihmesa e tij e madhe në Besëlidhjen e Malësisë 1970
Gjatë punës në realizimin e Besëlidhjes së Malësisë 1970, që ndaloi njëherë e përgjithmonë gjakmarrjen ndër shqiptarët ( malësorët) e besimit katolik dhe mysliman Nua Vuksani dha një ndihmesë jashtëzakinisht të madhe. Madje ai e vulosi Besëlidhjen e Malësisë, në ditën kur të gjitha komunitetet që jetojnë në Tuz-Malësi lidhën besën se në këto troje nuk do të ketë hakmarrje të gjakut ndaj njerëzve të pafajshëm përveç gjaksorit ( dorasit) , vritet djali i axhës së tij Lekë Kolë Junçaj. Të nesërmen, në ceremonin e tij mortore, burri Malësisë e i fjalës së dhënë iu drejtua popullit ( masës) të shumtë në numër me këto fjalë: “Të nderuar si vëllezër, burra të shquar nga treva të ndryshme shqiptare! Jam këtu para jush që në emër të familjes dhe të vëllazërisë Junçaj t’u them se ne u mbetemi besnik vendimeve të djeshme të burrave të Malësisë së Madhe dhe jemi të vendosur që ta respektojmë. Edhe pse djali i axhës tim Leka është vrarë pa ndonjë faj nga dora e njeriut të keq dhe të pa besë, besa jonë tradicionale është shumë më e madhe se djali, vëllai e kushëriri ynë”. Kjo porosi ndoshta historike e gdhendur me shumë kujdes, që i buronte nga shpirti i tij paqësor , pati jehonë të madhe edhe jashtë Malësisë, në ecurinë e mëtejshme të rrugëtimit në mbylljen e hasmërive në mesin e shqiptarëve.
Vetitë njerëzore
Të gjithë ata që e kanë njohur Nua Vuksanin janë të mendimi se ai ka qenë shumë njerëzor në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Ishte mbi të gjiitha njeri i mirë, I fjalës dhe i besës, i cili nuk u pajtua kurrë me të keqen, të padrejtën dhe të shtrembëtën. Në shtëpi e jashtë saj ishte shumë mikpritës. Figurë popullore. I dashur nga të gjithë. Fjalëmbël. Veprimtar fisnik. Një pëersonalitet me veprimtari të pasur angazhimi në disa fusha, vlera këto që e bëjnë të dalluar mes shumë njerëzve që kanë vepruar dhe veprojnë për familjet e tyre dhe për të mirën e shoqërisë. Ai me përpjekjet e tij të pareshtura për të mirën e njerëzve, u teregua si veprimtar i dalluar dhe si njeri me vlerë për shoqërinë dhe popullin shqiptar.