“O sot,o kurrë”!

Malësorë të dashur,

Kudo jetoni shqiptarë të Malësisë së Madhe nga komuna e Tuzit, e keni për obligim, t’i dilni në ndihmë votës shqiptare, për ta korrigjuar historinë e padrejtësisë ndër shekuj.

Tuzi meriton përkrahjen që nëpërmjet angazhimit dhe votës qytetare, t’i jepet frymë qytetit dhe komunës, si të vetmes mënyrë për të ruajtur identitetin, kulturën dhe të ardhmen e kësaj pjese të Malit të Zi, të banuar nga shqiptarët.

Vëllezër e motra,

Mos lejoni, Tuzi të bëhet fushë e humbjes së votës shqiptare, fushë ku numrat e votës të shpërputhen me gjendjen reale të etnisë shqiptare. Mos lejoni të dal pasqyrë e rreme e armiqve tanë se kjo zonë, nuk ishte zonë e unitetit tonë nacional.

Ftesa për ta mbajtur Tuzin të fortë, të gjallë dhe me ndikim në histori, i drejtohet në veçanti diasporës e cila mbajti gjallë dashurinë, kujdesin dhe ndjenjën e pakufishme e të pandashme nga Malësia e Madhe.

Kjo diasporë, mbrojti interesin e shqiptarëve kudo që u shfaq nevoja. Sot, kjo diasporë i kontribuon qëndresës dhe mbajtjes gjallë të ndjenjës dhe ekzistencës shqiptare në këto anë të trojeve etnike.

Malësorë të dashur,

Kujtoni Deçiqin dhe çmimin që pagoi çdo familje Juaj deri më sot, për besnikërinë ndaj gjuhës dhe flamurit,
Kujtoni sakrificën ndër breza dhe unitetin që mbajti gjallë frymën shqiptare në këtë krahinë, margaritar të kombit,
Andaj, bëhuni bashkë, kudo që jeni, ejani dhe dëshmoni ekzistencën Tuaj, të qenit tuaj shqiptar, duke votuar në favor të Koalicionit të Malësisë së Madhe, për komunën e Tuzit.
Për Tuzin e bashkuar, pa dallim, me votë demokratike, të lirë dhe me bindje, se vetëm Koalicioni i subjekteve shqiptare, siguron të ardhme të sigurt për shqiptarët dhe të gjitha nacionalitetet tjera që jetojnë në këtë Malësi.

Motra e vëllezër,
Kudo që jetoni, duhet ta përkrahni Koalicionin e subjekteve politike shqiptare në Malin e Zi, Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve.

Ky koalicion i përbashkët parazgjedhor për zgjedhjet lokale të datës 3 mars në Komunën e re të Tuzit, shënon histori suksesi të organizimit politik shqiptar në këto anë.

Ky vendim i subjekteve politike shqiptare, sa është i drejtë, ishte edhe i domosdoshëm, për të mbledhur gjithë fuqinë elektorale në një koalicion në favor të pozitës së shqiptarëve në Malin e Zi e në veçanti të mirëqenies së banorëve në Komunën e Tuzit.

Kur u krijua Komuna e Tuzit, ishte një gëzim dhe fitore me peshë nacionale. Një qytet, me identitet të mohuar, ishte pa asnjë trajtim të merituar, deri në vitin 2017, kur u konstituua si komunë.

Ndarjet administrative, kanë dëmtuar në vazhdimësi identitetin nacional të shqiptarëve në Malin e Zi, duke u udhëhequr nga politikat ditore të cilat tashmë, u bënë e kaluar e hidhur, duke njohur autoktoninë e kësaj pjese të shqiptarëve, si shumicë, në trojet e veta, me krijimin e komunës së Tuzit.

Duke qenë se kontributi i shqiptarëve për pavarësinë e Malit të Zi është meritor, edhe krijimi i komunës së Tuzit, nuk shihej më si rrezik për politikbërësit e rinj të Malit të Zi, dhe sot, komuna e Tuzit prezanton më shumë se një komunë me 5 mijë banor.

Komuna e Tuzit prezanton historinë e valëvitjes së parë të flamurit kombëtar nga Dedë Gjo Luli, duke shënuar fundin e okupimit pesë shekullor osman, për të vijuar me okupimin nga Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene dhe politikat shpopulluese ndaj kësaj zone heroike.

Tuzi ka nevojë për kujdesin Tuaj,
Për dashurinë Tuaj,
Për unitetin Tuaj,

Sepse Tuzi meriton të jetë i bashkuar, me vullnetin Tuaj, me përkushtimin Tuaj, me sakrificën Tuaj, me dashurinë Tuaj, për Tuzin-përgjithmonë!
Eja, voto, për Koalicionin e subjekteve politike shqiptare, për Tuzin evropian, për Tuzin shqiptar!

Eja, voto, mbaje gjallë çështjen kombëtare, me votë demokratike, për Koalicionin e subjekteve politike shqiptare të Malësisë së Madhe!

Shkruajti:

Gaz.Gjylfije Halili