Nga Gjekë Gjonaj
Ekziston një shprehje shumë e vjetër në Malësi e cila thotë se është vështirë të jeshë i biri i s’mirit. Natyrisht se po. Pasardhësit e një prindi zë lartë e me autoritet të theksuar ndër malet tona vërtetë e kanë pasur shumë të vështirë të vazhdojnë të ruajnë gjithë ato vlera të trashëguara njerëzore dhe veti pozitive të atit. Këtë fakt e ka provuar në qenien ( lëkurën) e tij edhe protagonisti i këtij shkrimi, Martin Prëtashi Camaj, nga fshati Sukruq, me origjinë nga Spija e Hotit të Malësisë së Madhe. Ishte djali i parë i burrit famëmadh të Hotit Prëtash Nikë Zekës, i njohur për veprat e tij të mëdha në të gjitha trevat shqiptare brenda e jashtë kufirit me shtetin amë Shqipërinë dhe më gjerë. Martin Prëtashi u rrit dhe u edukua në frymën e bamirësisë, në kushte shumë të mira ekonomike, meqë familja e Zekajveshquhej ndër familjet ekonomikisht më të pasura të malësisë sonë.
Formimi i tij burrëror
Martin Prëtashi , duke ndjekur shkollën e urtisë popullore, këshillat dhe edukatën e babait të tij model , që në moshë të re u formua dhe u kalit në një burrë besnik, fisnik e të ndershëm, një bamirës e aktivist aktiv e i palodhur. Ata që e kanë njohur mirë Martininthonë se u dallua për urti dhe për mirësjellje. Vet jeta dhe puna e shkolloi dhe e aftësoi si kryefamiljar të zot, të suksesshëm e të mirë dhe e aftësoi si drejtues i mirë ipunëve të bujqësisë. Ishte njeri i thjeshtë. I dashur e komunikativ me të gjithë. I ndershëm, besnik, i shoqërueshëm, por i rreptë në momente kur i rrezikohej e drejta e tij dhe i cënohej integriteti i familjes së tij. Punën e bënte të pastër dhe nga familja kërkonte të respektohet e veprohet në mbështetje të traditës së trashëguar nga fisi i tyre, për rregull e disiplinë. Ishte i respektuar nga të gjithë, por edhe i çmonte dhe respektonte njerëzit që e meritonin këtë nderë.Edukatën e mori nga i ati, Prëtash Nikë Zeka i cili ishte shumë i disiplinuar dhe i pa kompromis në rregull e disipline, respekt në zbatimin e mësimeve dhe urdhrave që jepte për familjen.Unë, autori i këtyre radhëve, kam ndejt shumë herë me të në shtëpinë tonë dhe në shtëpinë e tij, sepse kishim miqësi familjare më shumë se një gjysmë shekulli. Sa herë që delte te miqtë në Triesh takohej e përshëndetej me trieshjanë. I pyeste për shëndetin dhe familjet e tyre. Ishte i dashur e i komunikueshëm me njerëz. Tregonte mirësjellje dhe respekt për të gjithë. Me një fjalë ishte njeri i mirë, fisnik e zemërbardhë. Këto e virtyte tjera e bënë atë të dashur e të respektuar jo vetëm në Triesh, por edhe në Hot, Grudë e Kojë.
Njeri human me zemër të madhe
Martin Prëtashi ka mbetur në kujtesën e malësorëve si njeri human, që kishte zemrën e madhe. E njohin, sepse aty ku patën nevojë për ndihmë, ai nuk kurseu. U ka ndihmuar njerëzve të varfër dhe të tjerëve që kanë pasur nevojë, me ndihma nga më të ndryshme. Nuk ka kursyer asgjë për vendlindjen e tij dhe banorët e saj. Ai e kishte “ pasuri” për t’ua transmetuar apo dhuruar të tjerëve ndihmën që e kërkonin. Në çdo hall e vështirësi ai u gjendej pranë bashkëfshatarëve të tij dhe të tjerëve që ia mësynin shtëpisë së tij. Nuk ka gjë më të bukur se të kesh zemër të gjerë dhe të madhe, e cila i nxë të gjithë. Një zemër e tillë, kudo që të ndodhet mendon si t’u falë gëzim dhe lumturi të tjerëve, thoshte shpeshherë Martini shpirtmirë.
Aktivist i palodhur shoqëror
Në punë e sipër Martin Prëtashi u dallua edhe për aftësi organizative-drejtuese, për sensin praktik të organizimit të punës dhe për komunikimin e ngrohtë me njerëzit. Ai shumë heret fitoi respektin e fshatarëve dhe tri herë u zgjodh kryetar i Bashkësisë Lokale të Sukruqit, të cilën detyrë e kreu me sukses. Falë aftësive të tij organizative e drejtuese dhe autoritetit që gëzonte në komunitet e shoqëri, si dhe vullnetit të tij në punë për të transformuar fshatin e tij të lindjes arriti të inicojë dhe të përfundojë disa objekte jetike infrastrukturore. Në mandatin e tij si kryetar i bashkësisë lolake bashkë me aktivistët e tjerë të fshatit organizoi dhe arriti të riparojë e të modernizojë disa kilometra rrugë lokale, të sigurojë trollin dhe të fillojë ndërtimin e shtëpisë së kulturës, të riparojë rrjetin elektrik dhe të rikonstruktojë objektin e shkollës katërklasëshe në qendër të fshatit. Të gjitha këto e aktivitete tjera infrastrukturore jo vetëm se e ndryshuan pamjen e këtij fshati në afërsi të Tuzit, por edhe e përmirësuan mënyrën e jetesës.
46.000 marka për asfaltimin e rrugës për në fshatin Vuksanlekaj
Në vitet e asfaltimit të kësaj rrugë lokale në fshatin Vuksanlekaj, e cila shpie deri tek varrezat e përbashkëta familjare, kisha shkruar një shkrim për gazetën “ Polis”. Me këtë rast, mes tjerash, theksova : “ Nuk janë të rrallë njerëzit solidarë dhe nismëtarë të cilët në këtë kohë të rëndë të ballafaqimit me krizën ekonomike i dalin zot familjes së vet, por edhe fshatit dhe popullit . I tillë është edhe Martin Prëtashi Camajnga fshati Sukruq. Ky 71 vjeçar, jo vetëm sivjet është dalluar për nisje të aksioneve të infrastrukturës në fshat dhe më larg duke e hapur kuletën i pari dhe duke u bërë shembull për të tjerët. Ai bashkë me familjen e tij shpenzoi 46..000 marka të atëhershme për asfaltimin e kësaj rrugë në gjatësi prej afro 500 metra e cila nga rruga ndërkombëtare për në Bozhaj shpie deri tek varrezat e përbashkëta familjare”.
Misioni i tij paqësor
Krahas punës së tij të devotshme për gjithë jetën në shumë fronte është i njohur edhe për kontributin e tij paqësor, si anëtar i Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve dhe Ngatërresave. Ai bashkë me shumë bashkëveprimtarë të tjerë për shumë vite ka marrë pjesë në kuvendet e pajtimit të shqiptarëve – malësorëve. Martin Prëtashisikur pjesëmarrësit e tjerë në këto kuvende të pajtimit ku gjente shprehje dialogu ( komunikimi) i përsosur, urtësia dhe zotësia e pleqve, respektivisht fjala e matur me peshën e mençurisë, ishte aktor real i cili mishërohej me përjetimin e aktit të pajtimit. Suksesin e këtij fenomeni të huazuar të shqiptarëve i cili vjen fjalë pas fjale më së miri e përshkroi poeti ynë Azem Shkreli përmes vargjeve: “Njeriu ngrihet si bima, rritet bindshëm nga toka, shtrin dorën e pajtimit”.
Fitues i Medaljes për Merita të Popullit
Për meritat e tij shoqërore Martin Prëtashi është shpërblyer nga Kryesia e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë me Medaljen për Merita të Popullit me Kurorë të Argjendtë. Me modestinë që e karakterizon dhe edukatën që ka marrë në familje ai më thoshte se kurrë nuk ka punuar vetëm për t’u afirmuar në mënyra të ndryshme. Angazhimi i tij shumëvjeçar ka qenë i lidhur ngushtë me interesat e përgjithshme të popullit, andaj me meritë ai vlerësohet nga të gjitha grupmoshat e popullatës së fshatit e më gjerë.
Në vend të përfundimit
Këtë traditë të shkëlqyer të familjes së Martin PrëtashitCamaj tani e vazhdon djali i tij i madh Zefi me familjen e tij, i cili i ka mbetur besnik shtëpisë mikëpritëse të Prëtash Nikë Zekës dhe trojeve të të parëve të vet. Zefi , e deshti më shumë vendlindjen se sa Perëndimin e Amerikën. Ai një pjesë të kapitalit, përveçse në fshatin e tij të lindjes, e ka investuar në qendër të Tuzit. Sot njihet, respektohet dhe krenohet kur i thonë: I biri i Martin Prëtashit dhe i nipi i Prëtash Nikë Zekës, dy malësorëve të ndershëm dhe të vlerësuar shumë nga komuniteti shqiptar, emri , vepra dhe kujtimi i të cilëve do të jetojnë, do të nderohen e do të respektohen brez pas brezi.