Fitorja e “Forumit Shqiptar” u ndije që nga dita e formimit të koalicionit.
“Fitorja jonë bindëse tashmë u zyrtarizua edhe pse ne e ditëm atë edhe më parë, duke filluar që nga dita e formimit të koalicionit, sepse këtij projekti ju qasem me seriozitetin më të madh për të mirën e Malësisë dhe të ardhmen e saj”, tha për Malesia.org bartësi i listës Nik Gjeloshaj.
Ai sqaroi se kishte tentativa për zvarritje të vullnetit të votuesve.
“Fitorja jonë bindëse na ka mundësuar që ne të projektojmë atë që është në interesin e banorëve të Malësisë. Edhe pse kishte tentativa të shumta për të zvarritur vullnetin në përkrahjen e koalicionit shqiptar, ato dështuan sepse besimi i votuesve tonë ishte gjithnjë e më i madh”, sqaron Gjeloshaj.
Gjeloshaj thotë se ata tashmë janë në pozitë që të formojnë pushtetin e ardhshëm në interes të qytetarëve të Malësisë.
“E gjithë kjo ka rezultuar me mundësinë që ne sot jemi ata që mund të zgjedhim mënyrën për formimin e pushtetit të ardhshëm.
Ne do të vlerësojmë vullnetin e atyre forcave politike që janë të gatshme të veprojnë maksimalisht me koalicionin tonë fitues në të mirën e qytetarëve dhe ky do të jetë kushti kryesor në hapat në vijim për formimin e shumicës parlamentare në Kuvendin e Komunës së Tuzit”, përfundon Gjeloshaj.
Në zgjedhjet lokale të 3 marsit në Malësi, “Forumi Shqiptar” (ASH-LDSH-UDSH) fitoi 16 mandate, kundrejt DPS-së e cila fitoi 10 mandate. Katër mandate fitoi Partia boshnjake, dhe nga një SD dhe Demokratët.
Kuvendi komunal i Tuzit ka 32 vende, çka nënkupton se për formimin e shumicës, Forumit Shqiptar i mungon vetëm një mandat.
Si bashkëpunim i mundshëm janë përmendur Demokratët të cilët kanë fituar një mandat, me çka do të çonte DPS-në në opozitë. /MALESIA.ORG/