Hapet qendra zhvillimore e malazezëve të Kosovës

Në Kosovë, u mbajt ceremonia e hapjes solemne të Qendrës Zhvillimore të Malazezëve të Kosovës.

Ceremonia u mbajt në Lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ku edhe ndodhen zyrat e qendrës.

Në këtë ceremoni, morën pjesë Presidenti  i Kosovës Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, përfaqësues nga komuniteti malazez, si dhe ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se për qytetarët malazezë në Kosovë,  kjo është një ditë e veçantë sepse po hapet shtëpia e zhvillimit dhe progresit të tyre.

Ai ka shtuar se kjo qendër do të jetë urë lidhëse e miqësisë së përjetshme, mes dy popujve.

“Besoj në kapitullin e ardhshëm edhe në ombrellën euroatlantike. Kosova do të vazhdon të mbetet partneri më besnik dhe strategjik i Malit të Zi”.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova është shtëpia e malazezëve dhe të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë.

“Kosova do të jetë çdoherë shtëpia e të gjithëve që jetojnë në Kosovë dhe do të jemi të kujdesshëm që malazezët e Kosovës të ndihen në shtëpi”, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se kjo shtëpi është e të gjithë qytetarëve të Kosovës, por natyrisht, në mënyrë të veçantë e malazezëve.

“Me Malin e Zi kemi interesa strategjike dhe rrjedhimisht jemi të përkushtuar për të ndërtuar raporte edhe më të përafërta midis njëri-tjetrit dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin. Mali i Zi është shtet anëtar i NATO-s. Ne jemi krenarë për bashkëpunimin dhe tejkalimin e çdo mosmarrëveshjeje që mund ta kemi pasur në të kaluarën. Do të kemi vetëm mirëkuptim dhe marrëveshje”, theksoi Veseli.

Ndërkaq, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, tha se ka kënaqësinë që me kryeministrin Haradinaj të bisedojë për raportet bilaterale në mes dy shteteve dhe, hapja e Qendrës Zhvillimore, është dëshmi e një miqësie thelbësore dhe të përhershme me Kosovën, si respektim i vlerave të tyre, që janë vlerë e përbashkët euroatlantike dhe multietnike mes dy vendeve.

Markoviq, ka deklaruar se ende nuk e kanë të përfunduar përcaktimin e vijës kufitare sa i përket marrëveshjes së arritur për Demarkacionin.

Sipas tij kjo do të bëhet kur të formohet një komision dhe të dyja palët flasin haptas me njëra tjetrën.