Kërkohet një plan-program veprimi i diasporës shqiptare, në raport me trojet e tyre etnike nën Mal të Zi!

E kam  theksuar më parë rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjelltë në mes të organizatave shqiptare me prejardhje nga trevat e tyre etnike nën Mal të Zi që veprojnë në SHBA si dhe riaktivizimin e Këshillit të tyre koordinues për shkak të nevojës së një riorganizimi të ri dhe të domosdoshëm  të kësaj pjese të diasporës shqiptare. Bashkimi i forcave të tyre mundëson  një angazhim të koordinuar lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me vendlindjen apo vendin e origjinës së tyre.

Zgjedhjet lokale në Komunën e Tuzit (Malësi) që u mbajtën me 3 Mars të këtij viti dëshmuan më së miri se si diaspora shqiptare mundet, ka fuqi dhe kapacitet që të japë kontributin e vet jo vetëm në formë të  ndihmave financiare dhe projekteve me karakter kulturor, por njëherit, kjo diasporë me votën e pjesëtarëve të vet , mund të influencojnë zgjedhjet dhe të ndikojnë pozitivisht në rezulltatin e tyre.

Të vetëdijshëm për gjendjen e pavolitshme të shqiptarëve në Mal të Zi, diaspora dhe organizatat atdhetare shqiptare, të cilat njëherit edhe mbajnë emrat e trojeve të tyre autoktone shqiptare , krahas aktiviteteve  të tyre humanitare, e kanë obligim që njëkohësisht të angazhohen edhe në aktivitete të tjera me karakter kombëtar. Shqiptarët në Mal të Zi si pjesë e një populli të ndarë ,vazhdimisht ballafaqohen me sfida të ndryshme të cilat shpeshëherë kanë të bëjnë më  cënimin e të drejtat të tyre kombëtare. Andaj në këtë aspekt kërkohet vëmendja e diasporës dhe krijimi i një plan-programi të saj veprimi në raport me trojet e tyre etnike nën Mal të Zi.

Mendoj se për momentin, diaspora duhet të fokusohet në këto pesë pika kryesore:

1.PËRPILIMI I DOKUMENTIT TË KËRKESAVE TË PËRGJITHËSHME TË SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI.

Në bashkëpunim me ekspertët shqiptar të fushave të ndryshme ( në diasporë dhe në vendlindje),të përpilohet një dokument në të cilin do të ishin të artikuluara kërkesat e rëndësishme  të shqiptarëve në Mal të Zi dhe ky dokument të shërbejë si bazë i ndërgjegjësimit dhe lobizmit e çështjes së drejtave të tyre, pranë qendrave vendimarrëse në SHBA dhe në Europë. Në kuadër të kësaj,  me ndihmën e ligjëvënësve amerikan, miq dhe përkrahës të çështjes tonë kombëtare,të organizohet  jë seancë e re dëgjimore në Kongresin amerikan lidhur me çështjen e të drejtave shqiptare në Mal të Zi;

2.Në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë ( i cili do të duhej të mbahet në vitin 2021), TË PËRFSHIHET REGJISTRIMI I SHQIPTARËVE NË BOTËN E JASHTME ,në at mënyrë që t’ju bëhet i mundshëm deklarimi  sipas përkatësisë së  tyre kombëtare. Siç dihet në regjistrimin e fundit të vitit 2011 diasporës shqiptare iu mohua regjistrimi në baza të përkatësisë kombëtare .Si pasojë e këtij akti të njëanshëm të Entit Statistikor të Malit të Zi, numri i përgjithëshëm i shqiptarëve në këtë republikë pësoi rënie drastike, sepse në këtë regjistrim nuk u mblodhën të dhëna të sakta lidhur me numrin e asaj pjese të popullsisë shqiptare që gjinden në botën e jatshtme. Në registrimin e ardhshëm një rol të rëndësishëm mund të luajnë Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në  Mal të Zi në bashkëpunim  me organizatat shqiptare me prejardhje nga trojet e tyre etnike nën Mal të Zi që veprojnë në diasporë, të cilat njëherit edhe duhen të marrin mbisipër mbikëqyrjen e një regjistrimi të tillë me qëllim që të mblidhen të dhëna të sakta dhe të besueshme statistikore. Nëse qeveria e Malit të Zi  në regjistrimin e radhës,përsëri ia mohon diasporës shqiptare deklarimin e tyre në baza të përkatësisë kombëtare, atëherë diaspora, përkatësisht organizatat e saja shqiptare ,duhet që me vetëiniciativë të angazhohen në  regjistrimin e pjesëtarëve të vet;

3.REALIZIMI I SË DREJTËS VUTUESE TË PJESËTARËVE TË DIASPORËS NGA VENDET E TYRE TË QENDRIMIT.Me një vullnet të qeverisë ,pushtetit qendror dhe me një angazhim të përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve në Mal të Zi,mund t’ju mundësohet pjesëtarëve të diasporës  votimi nga vendet e tyre të qendrimit në botën e jashtme. Pra, e drejta e tyre votuese mund të realizohet në at mënyrë me ç’rast nuk obligohet prezenca fizike e votuesve në vendin e tyre të origjinës, por përmes hapjes së qendrave votuese në vendet e tyre të qendrimit si dhe (apo ) përmes postës, pra një mënyrë të cilën tashmë e praktikojnë disa vende të Bashkimit Europian, pjesë e së cilit pretendon që të bëhet edhe Mali i Zi;

4.KONSTITUIMI I SEKRETARIATEVE PËR DIASPORËN PRANË KOMUNAVE PËRKATËSE, si formë e e mirëfilltë e vendosjes së lidhjeve institucionale në mes diasporës dhe vendit të tyre të origjinës. Këtu, në radhë të parë,nënkuptohet hapja e sekretariateve për diasporë në komunat ku shqiptarët përbëjnë shumicën apo janë me numër të konsiderueshëm të popullsisë në komunat përkatëse në Mal të Zi. Fillimisht në Komunën e Ulqinit dhe të Tuzit dhe më vonë edhe në komunat e Tivarit, Plavës, Gucisë dhe Rozhajës. ” Zyrat për Diasporën” nuk e ngrisin dhe nuk e trajtojnë në të njëjtin nivel apo më të   njëjtin seriozitet  çështjet që kanë të bëjnë me diasporën. Këtë mund t’a bëjë vetëm  një sekretariat eventual për diasporën i cili është i një niveli të barabartë me sekretariatet e tjerë që funksionojnë në kuadër të këtyre komunave;

5.INKUADRIMI I DIASPORËS SHQIPTARE NË PROCESET  VENDIM-MARRËSE DHE KËSHILLË-DHËNËSE NË VENDLINDJE, përmes përfaqësimit në kuvendet komunale në vendet përkatëse të prejardhjes së tyre. Gjithashtu një përfaqësim adekuat i diasporës është i duhur në Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi si organi më i lartë i përfaqësimit të shqiptarëve në këtë shtet.Gati  gjysma e popullsisë shqiptare në Mal të Zi jeton sot në botën e jashtme, por që nuk janë të përfaqësuar në asnjë organ përkatës në vendin e origjinës së tyre.Nëse diasporës i mundësohet ushtrimi i drejtës së votimit, atëherë njëkohësisht duhet ti mundësohet edhe ushtrimi i drejtës së përfaqësimit.Mendoj se është  me rëndësi esenciale që diaspora mos të këqyret gjithëmonë si objekt investimi  apo vetëm si burim financimi, por njëkohësisht të trajtohet edhe  si faktor inkuadrues dhe të përfshihet në çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendlidjes apo vendit të tyre të origjinës.Me rolin dhe kontributin e vet të pazëvendsueshëm si dhe me përkushtimin e vazhdueshëm  ndaj vendlindjes ,diasporës shqiptare duhet ti jepet respekti i duhur dhe i merituar.

Në përfundim, duhet theksuar fakti se deri te realizimi i pesë pikave të lartëpërmendura mund të vijnë vetëm me një angazhim serioz , vullnet të mirë si dhe me bashkëpunim të ndërsjelltë i faktorëve relevant në vendlindje dhe në diasporë.

Xheladin Zeneli
Qershor 2019