Më 15 gusht, në Tërgajë, nën organizimin e SHKA “Koha” nga Dinosha, dhe të vëllazërisë Berishaj, nga SHBA, me rastin e Ditës së Zojës së Grudës, u mbajt logu i kësaj festë.
Mbas 20 vite ndërprerje të Logut të Tërgajës, vendit në të cilin shumë vite me rrallë, me këtë datë bashkohej populli i Malësisë, për tu argëtuar pranë lumit Cem, rikthehet përsëri.
Fillimisht, në emër të organizatorëve të pranishmit i përshëndeti Ejllo Berishaj, kurse në emër të SHKA “KOHA”, e cila ishte bashkëorganizatore e këtij manifestimi, përshëndeti Sulejman Beqaj.
Në këtë log të madh, ku takohen njerëzit mes veti, ishin të pranishëm banorë nga Malësia, si dhe mysafirë nga Shqipëria dhe Kosova. Ndër ta të pranishëm ishin lideri i Lëvizjes Vetvendosje nga Kosova, Albin Kurti dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, si edhe shumë mërgimtarë nga SHBA, Evropa, Australia dhe vende të tjera, ku jetojnë dhe punojnë malësorët.
Në vazhdim të pranishmit ndoqën një program të pasur kulturor – zbavitës, me këngëtarin e njohur nga Kosova, Ilir Shaqiri dhe SHKA “Koha” nga Dinosha, SHKA “Liria”, nga Mileshi, SHKA “Besa”, nga Trieshi, SHKA “Treva”, nga Shqipëria, si dhe humoristët nga Shkodra, Paulin Ujka dhe Zef Ndoja.
Në fund fisi Berishaj, për të gjithë të pranishmit kishin pëgatitë një sofër të begatë.
Albert Camaj