Informimi dhe etika e gazetarisë

Etika duhet të jetë pika më e fortë e një gazetari, mirpo ajo është komponenti që le shumë për të dëshiruar në kohën e sodit duke filluar që nga informacioni bazë i cili pothuajse nuk jepet asnjëherë i saktë për një ngjarje të caktuar të ndodhur, deri tek cënimi i të drejtave të njeriut nga vet gazetarët.

Objektivë e medias dhe e gazetarëve duhet të jetë, që t’i ofrojnë një shoqërie apo shteti informata, edukim, lajme dhe ngjarje kualitative. Këto informata duhet të jenë aktuale, të paraqiten në mënyrë objektive, profesionale dhe duke iu përmbajtur etikës gazetareske dhe duke respektuar të drejtat e të tjerëve. Qëllim tjetër është që informatat dhe lajmet të paraqiten në mënyrë të paanshme lexuesit, bartësit e jetës politike, institucionale, ekonomike, kulturore sportive etj, të trajtohen me respekt, në mënyrë të ndershme dhe të hapur. Aspekt tjetër i randësishëmeshtë evitimi i konflikteve të interesit dhe bindjeve personale e politike gjatë punës. Pra, pavarsia nga grupet e interesit dhe politika sikurse edhe përgjegjësia e fjalës publike janë çështje kyçe për gazetari të avancuar, moderne dhe profesionale.

Me zhvillimin e teknologjisë gazetaria dhe mediumet kanë fituar terrenin e merituar duke iu dhënë hapsira të lundrojnë pa limit në galaktikën elektronike sociale. Një përparim galopant i saj ja ka mundësuar çdokujt të hap një portal informativ dhe të shpërndaj lajme dhe informacione pa kaluar nëpër filtrat redaktorial. Në rastet më të mira kjo është një e aritur e pakontestueshme. Tani lajmet nga çdo vend lexuesit e shikuesit mund t’i marrin në kohë reale. Bota siç thuhet është një fshat global të cilin mund t’a mbajnë në pëllëmbë nëpërmjet një aparati elektronik që mund të jetë telefoni celular, laptopi etj.

Por, ana tjetër e medaljes është se ndryshimet e vazhdueshme të mediave në koherencë me zhvillimin teknologjik, në veçanti, kanë zbehur statusin e gazetarit, rregullat e një gazetarie të mirëfilltë, etikën e medias dhe standardet gazetareske. Tani më sektori i informacionit ka qasje të ndryshme të gjetjes së burimit, të bërjes së lajmit, përcjelljes së të njëjtit tek audienca dhe nga kjo lindin duzinë pyetjesh dhe dilemash sa i përket etikës së gazetarisë dhe të drejtës së medias.

Transformimi i teknologjisë ka rritur në mënyrë sasiore numrin e mediave konkretisht portaleve të cilët në shoqërinë shqiptare në përgjithësi janë të shumtë dhe te të cilët vërehet shkelja më e madhe e etikës së medias. Ndoshta konkurrenca jo e mirëfilltë apo nevoja për klikime shtynë persona që vetëzotohen se janë gazetar të stërmbushur hapësirat e tyre mediatike me kronika të zeza, vrasje, burgosje apo fatkeqësi familjare të cilat dukshëmjanë marrë të gatshme nga një tjetër medium, lajme të ndryshme të parëndësishme që prekin privatësinë e personave publik dhe të rëndomtë.

Është për të ardhur keq se deri në çfarë mase ka bastarduar gazetaria e portaleve të ditëve të sodit. Gjithë respektin ndaj atyre gazetarëve dhe portaleve që me mund, nder e profesionalizëm e kryejnë detyrën e tyre për të informuar publikun. Por kohëve të fundit jemi dëshimtarë që në shoqërinë tonë po ndodh një fenomen i pa precedent, kur individë anonimë hapin portale dhe keqëpërdorin në mënyrë më të paskrupulltë të drejtën e tyre për të shprehur mendimin e tyre të lirë. Me emra të rrejshëm, përpiqen të plasojnë gënjeshtrat e tyre si të vërteta.

Përpjekjet për të krijuar një opinion publik duke kritikuar e ofenduar ndonjë individ bazuar në të dhëna të rrejshme, është një vepër e dënueshme me ligj. E vetmja mënyrë për ti ikur përgjegjësisë që mbart fjala ofenduese e plasuar në opinion, është të mbulohet me një gënjeshtër tjetër më të madhe: të fshehësh emrin. Që është një veprim qyqar. Një veprim që e bëjnë ata qyqarët që e hedhin gurin dhe e fshehin dorën. Dikur këto “anonimusa” nuk kishin ku ti botonin shkrimet e tyre të sëmura, por tani kanë gjetur ilaçin në disa portale të dyshimta, që janë të gatshëm për pjesëmarje në krim. Siç duket ia arrijnë qëllimit mirëpo në të njejtën kohë bëjnë shkelje të shumëfishta duke shkelur të drejtën e mirë të informimit, shkelin etikën gazetareske, shkelin të drejtën e privatësisë pa llogaritur statusin politik, social, gjinor etj.

Shfaqja e identitetit të viktimave të natyrave të ndryshme të abuzimit cenon rëndë integritetin e personave dhe ndikon në vetëizolimin apo stereotipet e publikut aq më tepër kur bëhet fjalë për një shoqëri që akoma i qëndron besnik fenomenit primitiv “më mirë një gënjeshtër e bukur sesa një e vërtet e hidhur”. Në nenin 12 të deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (10 dhjetor 1948) thuhet shprehimishtë: “Askush nuk mund të jetë objekt ndërhyrjesh arbitrare në jetën private, në familje, në banesën ose letërkëmbimin e tij, as objekt cenimesh të nderit dhe të reputacionit të tij…”. Përjashtim mund të bëhet vetëm në rastet kur publikimi i dokumenteve që kanë të bëjnë me jetën private të dikujt është në interes të publikut.

Një pasqyrim jo i drejtë, jo i saktë, jo profesional i ngjarjeve ditore krijon të ashtuquajturën zhurmë mediatike dhe një amulli në mendjet e lexuesve. Liria e medias është një e drejtë e pakontestueshme e garantuar nga Kodi i Etikës së Gazetarisë por duhet theksuar se ky Kod pëfaqëson nivelet më të larta të kultuës dhe edukatës në shoqëritë demokratike.

Në mungesë të një përfaqësimi të drejtë apo ndërgjegjësimit në drejtim të vlerave të lartëpërmendura publiku është ai që humb, lodhet, stresohet dhe stërngarkohet me informacione të pafiltruara nga këto pseudogazetarë jo të drejtë, jo kurajoz, jo zhbirues dhe jo të sakt.

Ulqin, 19 gusht.

Qani  Osmani