Taksa 100 për qind, seancë e jashtëzakonshme parlamentare sot në Kosovë

Taksa doganore 100 për qind e vendosur nga Qeveria e kaluar e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina pritet që të largohet nga qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti, me synimin që të zëvendësohet me reciprocitet ekonomik dhe tregtar.

Tashmë heqjen e taksës e ka paralajmëruar kryeministri Kurti, duke bërë të ditur se taksa 100 për qind do të largohet më 15 mars, vetëm për lëndën e parë që importohet nga këto dy vende.

Kurti ka bërë të ditur kushtet që do të vendosë për Serbinë dhe Bashkimin Evropian, ku sipas tij taksa do të largohet në një afat prej 90-ditësh, me arsyetim se taksa mund të rikthehet në qoftë se shteti serb nuk ndalon fushatën kundër Kosovës.

Lidhur me këtë, Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancën e jashtëzakonshme në lidhje me paralajmërimin e kryeministrit Kurti për heqjen e taksës, ku nismëtar i kësaj seance është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.