Malësia nga epiqendra e pandemisë në Mal të Zi, në shembull qytetërimi dhe humanizmi

Me zbulimin e 15 rasteve të para të personave të infektuar me Koronavirus në territorin e Malësisë, shumë shpejt u krijua një gjendje paniku, e që edhe më shumë u shtua nga disa parashikime të subjekteve të caktuara përmes medies, ku ky numër i të infektuarve do të shumëfishohet frikshëm me shpejtësi.

Fatmirësisht këto parashikime nuk ngjanë, edhe pse në këto momente janë 34 persona të konfirmuar me koronavirus, me futjen e shpejtë në fuqi të masave të izolimit, përhapja e virusit duket se deri diku është nën kontroll, dhe së pakut për momentin u parandalua një katastrofë eventuale. Me këtë veprim u dëshmua se masa e izolimit nëpër shtëpia është mënyra më efikase e luftimit të virusit. Padyshim se kjo nuk do të arrihej pa disciplinen e qytetarëve të cilën po respektojnë thirrjet e autoriteteve në respektimin e masave.
Është dita e dymbëdhjetë e izolimit total dhe e pesta që nuk ka asnjë rast të ri të konfirmuar nga territori i Komunës së Tuzit.

Me futjen e masave të izolimit u parandalua përhapja e virusit, por në të njëjtën kohë u hap një sfidë tjetër e madhe, ajo e organizimit të jetës në ato kushte, me çka administrata e Komunës së Tuzit shumë shpejt u organizua, dhe lirisht mund të themi se po tregohet mjaft e suksesshme.
Edhe pse një Komunë e re dhe pa përvojë në situata të jashtëzakonshme, që nga dita e parë dëshmoi mirë-organizim duke vepruar shpejt në nevojat themelore për qytetarët e Malësisë, gjë që e ka obligim moral por edhe institucional.

Në këtë situatë të jashtëzakonshme mirënjohje e veçantë duhet të shkoj tek donatorët dhe vullnetarët pa të cilët gjendja në Komunën tonë do të ishte krejtësisht ndryshe.

Për vetëm disa ditë, individët, ndërmarrjet (bizneset) nga Malësia, mërgimtarët dhe shoqatat tona nga diaspora kanë dhënë më shumë se 200.000 euro ndihmë për sigurimin e ushqimeve dhe produkteve tjera themelore për familjet në Malësi.
Është kjo një dëshmi e fisnikërisë, zemërgjerësisë dhe mentalitetit human të njerëzve tonë që është shembull brenda por edhe jashtë kufijve shqipfolës.

Në anën tjetër janë rreth 80 vullnetarë të cilët janë vu në shërbim të çdo familjeje në Malësi. Janë ata të cilët çdo ditë, duke rrezikuar edhe shëndetin e vet, sigurojnë që buka dhe ndihmat tjera të shkojnë në prag të shtëpisë te çdo familje në Malësi. Është kjo sakrificë që meriton respekt dhe mirënjohje të veçantë. /MALESIA.ORG/