Pas përhapjes së shpejtë të koronavirusit COVID-19, kur shumica e shteteve po ndërmerrnin masat e para parandaluesekundër importimit dhe transmetimit të kësaj sëmundjeje ngjitëse, edhe Qeveria e Malit të Zi bëri të njëjtën gjë duke përcaktuar ndër të tjera edhe objektet që në rast nevoje do të përdoreshin si karantinë për njerëzit. Ndër dy objektet e propozuara për këtë qëllim nga Ministria e Shëndetësisë, gjegjësisht Qeveria e Malit të Zi, ishin dy ish-objekte ushtarake – njëri në Danillovgrad, i cili përdoret nga Shkolla Rajonale e Administratës Shtetërore (RESPA), kurse tjetri ish-kazerma ushtarake në fshatin Zogaj të Komunës së Ulqinit, i cili përdoret nga policia kufitare e Malit të Zi.
Propozimi i Ministrisë së Shëndetësisë, gjegjësisht i Qeverisë së Malit të Zi, ngjalli reagime të shumta në Komunën e Ulqinit, te partitë shqiptare dhe disa parti të opozitës, popullsia lokale etj., të cilët vlerësuan se një gjë e tillë dëmton imazhin e Ulqinit si një qytet turistik. Ky veprim u konsiderua me prapavijë politike kundër Ulqinit dhe shqiptarëve si popull shumicë në këtë qytet, pa çka se specialistët e fushës së mjekësisë dhe nga Qeveria e Malit të Zi jepnin garanci se ato nuk do të përdoreshin për strehimin e personave të infektuar me koronavirus. Edhe mediat shqiptare në Mal të Zi, nëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, me raportimet e tyre i dhanë zë këtij kundërshtimi.
Por sa më pranë Malit të Zi që afrohej koronavirusi, ky lloj kundërshtimi u zbeh, e më vonë edhe u hesht pas shfaqjeve të rasteve të para me koronavirus në vend. Si për çudi apo ironi të fatit, njëri prej dy rasteve të para të të infektuarve me koronavirus në Mal të Zi ishte nga Ulqini. Trevat shqiptare në Mal të Zi, konkretisht dy komunat me shumicë shqiptare, Ulqini dhe Tuzi, ishin ndër qytetet më të prekura nga koronavirusi. Pas Podgoricës, Tuzi kishte numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus dhe është komuna e vetme në Mal të Zi që për 21 ditë u fut në karantinë, kurse Ulqini vijon të ketë numrin më të madh të të infektuarve aktivë në krahasim me komunat e tjera në nivel shteti.
Riatdhesimi i shumë qytetarëve të Malit të Zi pas mbylljes së kufijve për shkak të shpalljes së pandemisë së COVID-19 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri që të rritet numri i objekteve që u përdorën për karantinim. Në disa qytete të tjera të Malit të Zi u përdorën si karantinë objektet hotelierike. Në Kosovë, për shembull, konviktet e Qendrës së Studentëve në Prishtinë u shndërruan në karantinë për shtetasit e kthyer nga vendet e jashtme. Prandaj njëri prej mësimeve që nxorën shqiptarët nga pandemia e COVID-19 është edhe kuptimi i drejtë dhe i saktë i karantinës. Pandemia e koronavirusit ua mësoi shqiptarëve kuptimin e vërtetë të fjalës “karantinë”. Shpresoj që në të ardhmen ata nuk do ta ngatërrojnë më kuptimin e kësaj fjale.