Mali i Zi sërish ndodhet para një teatri zgjedhor, i cili pritet të shfaqet me 30 gusht. DPS-i në krye me Gjukanoviqin mund të jetë sërish i sigurt në fitoren e radhës, ndërkohë që partitë opozitare malazeze do të mundohen, kush më shumë e kush më pak, të nxjerrin kushtëzime për ta bërë sa më interesante fushatën dhe debatin parazgjedhor.
Legjitimimi i pushtetit politik në Mal të Zi përmes zgjedhjeve, asnjëherë nuk ka ndodhur si proces i izoluar nga makineria e përpunimit të opinionit publik nga ana e DPS, dhe se rotacioni i pushtetit në Mal të Zi është kuptuar si “ndryshim klimatik“, që duhet të vijë vetvetiu bashkë me ndryshimin e stinëve.
Por, analizat e atyre që merren me kritikën ndaj pushtetit, do të duhej të kenë në thelb edhe një problem tjetër, të cilin ne shumë pak e problematizojmë: çfarë kualiteti dhe fuqie vjen nga zëri i “opozitës”. Përderisa opozita malazeze vazhdon të barrikadohet rreth disa kushtëzimeve, në anën tjetër partitë politike shqiptare, konkurrimin politik vazhdojnë ta zhvillojnë pa një frymë të përbashkët bashkëpunimi dhe bashkërendimi.
Sipas disa paralajmërimeve dhe deklarimeve të disa liderëve partiakë, partitë politike shqiptare duket se do të vazhdojnë të ndara në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Një gjë e tillë është e pritur nga opinioni shqiptar, ngase përçarjet dhe mosmarrëveshjet brendashqiptare në Mal të Zi po ndodhin në kohën kur këtu mëhalla politike ka peshë më të madhe se çfarëdo lloj bashkërendimi për çështje madhore që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
Që të pengohet ky provincializëm i mëtejmë i politikës, shqiptarëve në Mal të Zi iu nevojitet përfundimisht një koncentrim i vullnetit politik përmes një liste të vetme zgjedhore, e cila do t’u mundësonte zgjedhjen aq sa jemi të deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi.
Në një ambient pak a shumë të acaruar, ku edhe shumë analistë dhe opinionistë të ndryshëm kanë përjashtuar nga observimet e tyre sensin e partive shqiptare për të gjetur pikat që i bashkojnë interesat shqiptare në Mal të Zi, është vështirë të krijohen shtigje që do të shpienin në një mirëkuptim brendashqiptar. Objektivisht, ndaj bindjen duke njohur mirë veprimin politik
të udhëhqësive të partive politike shqiptare dhe duke pasur parasysh një antagonizëm të jashtëzakonshëm ndërmjet partive më të mëdha shqiptare këtu në Mal të Zi, se një marrëveshtje parazgjedhore gati se është e pamundur aq më parë në qoftë se i marrim për bazë veprimet politike të pamatura dhe të papërgjegjshme të partive më të mëdha që janë në koalicione
qeveritare dhe lokale, të cilët arritën që votën shqiptare ta bëjnë të devalvuar në tregun politik malazez sikur më parë. Nuk ka më as kritere të mirëfillta, të cilat do të përcaktonin se kush dhe sa peshon sot në tregun politik shqiptar në Mal të Zi.
Çka do të përfitonin shqiptarët në Mal të Zi nëse krijohet një listë e përbashkët shqiptare, me kusht që ajo të amortizojë deri në maksimum përçarjet dhe fragmetimet brendashqipare?
E para, vota shqiptare do të fitonte në peshë si asnjëherë deri më tani, dhe kjo fuqi politike do të prodhonte një përqindje të konsiderueshme mandatesh në Parlamentin malazez. Çdo përpjekje serioze duke e vënë interesin e përgjithshëm mbi interesat personale dhe partiake pa marrë
parasysh pengesat që mund të shkaktohen nga qarqet e errëta që punojnë në dëm të shqiptarëve, kur ideja është e fortë dhe fuqizon interesin kombëtar shqiptar, mbështetja prej masës popullore nuk do të mungojë, do të tejkalohen të gjitha barrierat dhe fitorja do të jetë e padiskutueshme.
E dyta, doktrina politike e shqiptarëve në Mal të Zi do të kishte një adresë ku do të fokusoheshin problemet aktuale dhe ato që duhet të zgjidhen në të ardhmen, duke filluar nga statusi juridiko-politik, statusi i gjuhës, punësimi proporcional, investimet kapitale, interesat ekonomike, kulturore e sociale të banorëve shqiptarë në Mal të Zi.
Njerëzit me dinjitet dhe ndërgjegje të pastër e që kanë integritet kombëtar, politikën nuk e kuptojnë si një profesion për levërdi dhe interesa personale, siç po ndodh në klasën politike aktuale, por si një detyrim ndaj popullit që i takojnë dhe për asnjë çmim nuk devijojnë nga kauza për të cilën janë përcaktuar. Ideali i tyre bazohet në vlera morale dhe njerëzore, ata përjashtojnë çdo veprim politik që pengon zhvillimin dhe kultivimim e vlerave demokratike në funksion të zhvillimit dhe përparimit të kombit, marrin obligime dhe asnjëherë nuk i ikin përgjegjësisë. Populli ua ka borxh mbështetjen dhe fuqizimin politik personave me këtë përkushtim, por
me kusht që këta persona të mos devijojnë nga premtimet dhe synimet kombëtare. Ata popullit i kanë borxh që të bashkojnë spektrin politik shqiptar, ngase shqiptarët e bashkuar janë e vetmja shpresë që mund të sjellë ndryshime. Kështu të ndarë, humbja është e pashmangshme.
E trera, fuqia negocuese e shqiptarëve me faktorin politik malazez do të ridimensionohej me një performancë efikase përfaqësimi, duke përfshirë interesat e gjithë spektrit politik shqiptar. Mbaj bindjen se është nevojë e pashmangshme bashkëpunimi dhe unifikimi i spektrit politik shqiptar në Mal të Zi. Në interes të avancimit të çështjes shqiptare, shqiptarët duhet të faktorizohen politikisht në Mal të Zi dhe të detyrojnë në mënyrë demokratike faktorët politikë malazezë që të hapin dialogun serioz për ndryshimin e kushtetutës së vendit, duke realizuar hapin e parë politik, duke unifikuar mandatet politike parlamentare dhe duke krijuar opozitën etnike politike shqiptare në Mal të Zi.
E katërta, kjo listë e përbashkët shqiptare do të vendoste për përfshirjen apo jo në bashkëqeverisje me subjektët politike malazeze, dhe që më parë do të diheshin kushtet që do të përcaktonin rrjedhën e mëtejme të procesit negociues. Duke pasur parasysh intensitetin e krizës
sistematike dhe diskriminimet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Mal të Zi edhe gjatë periudhës kur edhe partitë aktuale shqiptare janë në koalicione qeverisëse, si periudhë paraqet fatkeqësinë e paimagjinueshme mbi çështjet dhe të drejtat e popullit shqiptar. Veprimet e pakontrolluara të partive që participojnë në Qeverinë e Malit të Zi, për dëmin që i kanë
shkaktuar popullit shqiptar, është e pajustifikueshme dhe jashtë çdo logjike që të mendohet për besueshmërinë ndaj tyre. Me këto degradime që ua kanë bërë qytetarëve shqiptarë, asnjëherë nuk mundet të mendohet se këta janë të pavarur e konsistentë në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve.
E pesta, lista shqiptare do të vendoste se për cilat çështje duhet të ketë konsensus brendashqiptar dhe cilat çështje mund të ngelin pjesë e modaliteteve pluraliste, që do të pasuronin koloritin e specifikave të skenës politike shqiptare në Mal të Zi.
Kjo klasë politike si rezultat i mosdijes dhe injorancës për t’i kuptuar proceset politike që kanë të bëjnë me dinamikën e zhvillimit të ngjarjeve, duke mos e njohur fare të kaluarën e kanë humbur orientimin për të sotmen dhe kanë harruar të ardhmen, kanë ngelur në errësirën e mesjetës dhe nuk dinë çka është diskriminimi dhe liria, nuk e dallojnë diktaturën nga demokracia si dhe dezintegrimin nga integrimet.
Përplasjet publike të partive shqiptare që priten të shfaqen gjatë teatrit zgjedhor në fund të gushtit, shtresa intelektuale shqiptare në Mal të Zi do t’i kuptojë si prodhim i stërkalave të ujit që do t’i ndihmojë mullirit të Gjukanoviqit të bluajë sa ma mirë “unitetin politik të shqiptarëve“. Nuk thuhet më kot se e keqja më e madhe shqiptarëve u vjen nga vetë shqiptarët. Si dhe përçarja më e madhe e shqiptarëve po ashtu vjen nga vetë shqiptarët. Trupi zgjedhor shqiptar duhet ta kishte kuptuar që moti, se ne shqiptarët e Malit të Zi i bëjmë politikë njëri-tjetrit, më saktë njëra parti partisë tjetër shqiptare.
Vota shqiptare kurrë gjatë këtyre viteve të pluralizmit politik nuk ka qenë më e devalvuar në tregun politik malazez. Dhe derisa për diskriminimin e turpshëm të shqiptarëve pjesën më të madhe të fajit e ka politika malazeze, për mosdaljen me një “listë të përbashkët“ në këto zgjedhje parlamentare faji mbetet kryekëput te partitë shqiptare, gjegjësisht te partitë më të mëdha që janë në koalicione qeveritare dhe lokale. Prandaj, elektorati shqiptar ende nuk e ka të qartë se çfarë i bëjnë të ndihen mirë ato politikanë shqiptarë, përfaqësimi i të cilëve edhe në të ardhmen do të ketë vetëm efekte “dekorative” të pushtetit.
Qani Osmani
(Autori është anëtarë i Këshillit kombëtar shqiptar në Mal të Zi)