Mali i Zi, është në situata të politikave të befasive të cilat mund të nxiten nga historitë e vjetra dhe të reja. Të vjetra janë ato të gjeopolitikave të shekullit 19, të cilat vijuan në shekullin 21, me tendencë të zonave të reja të ndikimit me orekset e vjetra rusomëdha.
Të rejat janë rreziqet për Malin e Zi që i kanosen nga hegjemonia e paternalizmi i pakuptueshëm të politikës lokale serbe, për të nxitur pasigurinë, dyzimin e qenies dhe shtetësisë e deri te mohimi i plotë i shtetësisë malaziase.
Në të dyja rastet, shekulli 21 i dha vulë të pakthyeshme fuqizimit të shtetësisë malaziase të molisur nga politika serbomadhe, nga gjeopolitika e lindjes dhe perëndimit, duke u bërë shtet sovran me qasje të re ndaj rajonit, duke u shkëputur një herë e përgjithmonë nga ndikimet panortodokse, pansllaviste dhe blloku i lindjes.
Mali i Zi hyri në NATO, prandaj edhe i bën ballë me sukses politikave të temjanisur nga orekset e kishës ortodokse serbe.
Ku janë shqiptarët?
Shqiptarët një herë e mirë duhet ta kuptojnë se janë shqiptar, edhe në politikë. Politika shqiptare brenda partive, ka rëndësi parësore, për të ecur përpara me çështjet që i prezantojnë, vullnetin qytetarë që mbron si dhe zgjidhjet e çështjeve madhore të shqiptarëve, në përputhje me qëllimin e themelimit të tyre.
Prandaj, politika shqiptare, brenda partive politike, duhet të zërë vendin qendror. Duhet të bëhet esencë e qenies së vet, pse ekziston, prandaj, partitë politike shqiptare duhet të njëjtësohen mbi çështjet parimore për shqiptarësinë e ideve të veta për t’i pri qytetarëve dhe interesave shqiptare, kudo jetojnë, edhe në Malin e Zi.
Ligjëratat apo konceptet që i lansojmë ne që jetojmë jashtë Malit të Zi, sigurisht, duhet të kemi kujdes që të mos i përziejmë molla e dardha, të reflektojmë në rend të parë mirësi, të reflektojmë barazi dhe qëndrueshmëri për prezantimin e çështjes shqiptare kudo jetojnë shqiptarët, sepse, uniteti i çështjeve na lidhë me interes nacional.
Sot, bashkimi i partive politike shqiptare kudo shqiptarët jetojnë, prodhon efekte të mëdha, prodhon rezultate, prodhon kapacitete të reja nacionale, mundësi e shpresa të reja. Kjo u dëshmua me bashkimin e partive shqiptare në Luginën e Preshevës, në Maqedoninë e Veriut, tash pritet të prodhoj efekte edhe në Malin e Zi.
Pse menjëherë duhet unitet?
Uniteti së pari e shton praninë e qytetarëve te kutitë e votimit, nxit diasporën të vije ta forcojë unitetin duke shtuar edhe potencialin nacional në listat e votimit, bashkimi i partive shqiptare, redukton energjitë nga lufta e brendshme politike dhe kontaminimi i ambientit politik, duke u marrë me çështjet thelbësore, jo luftën e brendshme për çështjet e njëjta si dhe shumë moral politik e nacional përball forcave tjera politike, me taban tjetër nacional.
Shqiptari në Malin e Zi i prezanton më mirë se çdo malazias çështjet e veta, nuk ka asnjë arsye që të ketë prezantim të panatyrshëm, duke votuar partitë tjera përpos atyre shqiptare. Ky lloj votimi i jep shumë moral elektoratit, angazhimit në çështjet jetike si dhe maksimalizimin e forcave për tërheqjen e çdo vote shqiptare për partitë shqiptare, sikur në Luginën e Preshevës, sikur në Maqedoninë e Veriut, e besa edhe sikur në Malësi, gjatë zgjedhjeve lokale për Tuzin.
Prandaj, sot, më shumë se kurrë, na duhet bashkimi i partive shqiptare në një, sepse, merr më shumë vota e pushtet, më shumë deputetë dhe më shumë përgjegjësi në nivel qendror, sikur në Maqedoninë e Veriut. Prandaj, urgjent, urgjent duhet harmonizim dhe bashkim të forcave shqiptare në një forcë e cila do t’i printe shqiptarëve si në Ulqin e Tuz, po ashtu edhe në Tivar e Plavë, në Krajë e Rozhajë, sikur në Podgoricë e gjithandej ku jetojnë shqiptarët.
Bashkimin e partive shqiptare, duhet bërë formulë të patejkalueshme. Për vete, familjet e veta, për të shkuarën por edhe shëndetin e partive politike shqiptare, që në esencë janë dhe duan të mbesin shqiptare. Forca, vetëm përpara, për bashkim të partive politike shqiptare për zgjedhjet e ardhme në Malin e Zi. Bashkimi prodhon vetëm gjëra të mira. Shqiptarë, bëjeni!
E ardhmja e partive politike shqiptare është brenda Listës së përbashkët shqiptare, kjo është e vërteta të cilën duhet ta aplikojnë sa më parë liderët e partive dhe partitë politike shqiptare në Malin e Zi. Bashkimi sjell fitoren!
Shkruajti:Gjyla Halili
20.07.2020 Tetovë