Futbollisti Driton Camaj ka nënshkruar një kontratë të re me klubin hungarez FC Kisvarda.
Djaloshi nga Malësia, është transferuar nga Iskra, ku ka luajtur sezonin e kaluar në Ligën e parë të Malit të Zi dhe ka shënuar 5 gola.
Klubi i ri i Camajt, FC Kisvarda është në Ligën elitare të Hungarisë.
“Me futboll merrem nga mosha 5 vjeçare. Hapat e parë i kam filluar në Shkollën e Futbollit “Malësia” me trajner David Camaj dhe Pal Dreshaj”, shprehet Camaj për Malesia.org.
Sulmuesi njëzetetre (23) vjeçar ka luajtur për KF Deçiq, FK Lovcen, Buducnost dhe Iskra, në ligen e Malit të Zi. Ai gjithashtu ka luajtur për Inter Zapresic në Kroaci.
“Gjithë jetën kam ëndërruar një transferim në Evropë, dhe ëndrra u bë realitet. Jam i gëzuar dhe po ndjehem shumë mirë”, shprehet nga Hungaria futbollisti nga Malësia.
Kalimi në Hungari është një mundësi e mirë dhe një hap më afër për të ardhmen e Camajt në rrugën e tij drejt klubeve më të forta evropiane.
Camaj shprehet se nga FC Kisvarda ka mundësi më të madhe të dëshmoj kualitetin e tij e që një ditë të luaj për ndonjë nga emrat e mëdhënj të futbollit evropian. /MALESIA.ORG/