Ish-nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se rezultati i zgjedhjeve paralmentare në Mal të Zi, që ka sjellë afër pushtetit partitë opozitare pro-serbe, është pasojë e situatës ekonomike, ndjenjës së padrejtësisë dhe Ligjit për Liritë Fetare.
Nimbanbegu, i cili në zgjedhjet e 30 gushtit ka kryesuar Listën Shqiptare, thotë se shqiptarët vështirë se mund të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme malazeze.
Ai nuk e pranon dhe as mohon mundësinë e koalicionit me opozitën e deritashme pro-serbe, por thotë se në të kaluarën ajo është shprehur me deklarata anti-shqiptare.
Ne kërkojmë përmirësim në statusin tonë identitetar dhe ekonomik, thotë Nimanbegu.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Nimanbegu, rezultatet e deritashme të zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi tregojnë se shanset për të fituar pushtetin i kanë partitë opozitare. Ju keni qenë edhe nënkryetar i Parlamentit në katër vjetët e kaluar. Si e komentoni këtë ndryshim të mundshëm të skenës politike, pas gati tri dekadash? A ka qenë i pritshëm?
Genci Nimanbegu: Zgjedhjet e fundit në Mal të Zi treguan për një ndryshim të vullnetit të votuesve. Subjektet që ishin në opozitë në mandatin e kaluar – të gjitha së bashku – fituan 44 mandate, që do të thotë rreth 55 për qind të tyre. [Situata e krijuar] do të thosha se është prodhim i politikave të deritanishme në Mal të Zi, i vendimeve që janë marrë. Mbetet të shihet se si ky realitet do të drejtohet drejt qytetarëve të Malit të Zi, por edhe drejt synimeve euro-atlantike të shtetit.
Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni që elektorati, thënë kushtimisht, e ka ndëshkuar partinë e deritashme në pushtet të presidentit Millo Gjukanoviq?
Genci Nimanbegu: Si pjesëmarrës në jetën politike, vlerësoj se kjo ka të bëjë shumë me situatën ekonomike të qytetarëve, ndjenjat e padrejtësisë, por edhe me një ligj që është miratuar në fund të vitit të kaluar në Kuvendin e Malit të Zi, mbi liritë fetare. Pas miratimit të tij, Kisha Ortodokse Serbe dhe strukturat rreth saj kanë bërë shumë presion politik dhe kundërshtime. Dhe, kjo natyrisht ka bërë që koalicioni që është i lidhur me kishën, apo që është pro-serb, të fitojë 35 për qind të votave, ndërsa në të kaluarën ka pasur rreth 30 për qind. Këto 5-6 mandate të humbura nga koalicioni i Gjukanoviqit kanë qenë vendimtare për ndryshimin e pushtetit.
Radio Evropa e Lirë: Partitë opozitare që mund të fitojnë pushtetin i lidh nacionalizmi serb dhe orientimi pro-rus. Çfarë do të thotë kjo për Malin e Zi në përgjithësi dhe komunitetin shqiptar në veçanti?
Genci Nimanbegu: Kjo është një sfidë për ne. Shumë brenda këtyre subjekteve janë shprehur me deklarata anti-shqiptare, anti-Kosovës, kanë thënë se hapi i parë i tyre do të jetë tërheqja e njohjes së Kosovës. Megjithatë, ky nuk pritet të jetë debati në ditët e ardhshme. Deklaratat e para të tyre [pas zgjedhjeve] së paku ishin deklarata qetësuese, që bënin thirrje për bashkëpunim. Madje, një udhëheqës i listës së dytë opozitare, që ka fituar dhjetë mandate – që në Mal të Zi do të thotë mbi 13-15 për qind të votave – ka thënë se do t’i ftojë edhe partitë e pakicave në qeverinë e ardhshme.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Nimanbegu, e përmendet edhe ju çështjen e Kosovës. Ish-deputetë të Frontit opozitar Demokratik kanë bërë thirrje më herët për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Ata janë tani shumë afër marrjes së pushtetit në Mal të Zi. A mendoni se mund të tërhiqet njohja e Kosovës?
Genci Nimanbegu: Njohja e Kosovës është bërë nga ana e Qeverisë së Malit të Zi, nuk është votuar në Kuvend në vitin 2008. Kjo mund të jetë çështje edhe e qeverisë së ardhshme. Por, dyshoj se partia URA, që ka fituar katër mandate dhe tani për tani do të jetë çelësi i qeverisë së ardhshme, do ta pranojë një sfidë të tillë. Por, në aspektin afatgjatë, nëse URA do të jetë pjesëmarrëse në qeveri dhe do të bëhet një akt i tillë, do të rrezikohen marrëdhëniet rajonale dhe ecuria e bashkëpunimit midis Malit të Zi dhe Kosovës, që, deri më tash, sipas zyrtarëve të dy qeverive, ka qenë shumë e mirë.
Radio Evropa e Lirë: Ndalemi pak te çështja e shqiptarëve. Nga rezultatet e deritashme, po ashtu bëhet e ditur se shqiptarët e Mali të Zi do të kenë një përfaqësim më të madh në përbërjen e re parlamentare, krahasuar me katër vjetët e kaluar. Çfarë do të thotë kjo për komunitetin atje?
Genci Nimanbegu: Edhe gjatë këtyre zgjedhjeve janë bërë oferta politike që besoj se populli i ka vlerësuar dhe me votë u ka dhënë besimin. Secili deputet përfaqëson subjektin apo votuesit e tij, por edhe shqiptarët në përgjithësi. Në këto zgjedhje, edhe pse pjesëmarrja ishte shumë e madhe, votat për shqiptarët nuk kanë rezultuar me tre mandate, siç ka qenë pritshmëria, por besoj se edhe këto dy mandate do të jenë më kualitative në mënyrën e përfaqësimit. Por, e shoh shumë të vështirë që shqiptarët, në të ardhmen, mund të jenë [pjesë] në Qeverinë e Malit të Zi. Deri më tani, vërtet kemi pasur shumë konflikte me partitë pro-serbe. Unë isha [anëtar] në Kuvendin e Malit të Zi dhe bashkëpunimi do të duhej të bëhej me reciprocitet dhe duke i pranuar qëndrimet tona politike.
Radio Evropa e Lirë: E përjashtoni koalicionin e mundshëm me opozitën pro-serbe?
Genci Nimanbegu: Jo, është shumë herët të thuhet se përjashtohet ose pranohet, sepse nuk është bërë ndonjë ofertë zyrtare. Andaj, nuk dua të jap deklarata mediatike se jemi për apo kundër qeverisjes së ardhshme. Ne do t’i marrim hapat sipas vlerësimeve tona, çfarë është më mirë për përfaqësimin tonë dhe për ardhmërinë tonë, por gjithmonë duke tentuar të ruajmë identitetin tonë, qëndrimet tona politike. Pra, ne kërkojmë përmirësim në statusin tonë, qoftë identitetar, por edhe ekonomik.
Radio Evropa e Lirë: Nëse opozita [e deritashme] pro-serbe ju bën ofertë zyrtare, nën cilat kushte do ta pranonit koalicionin?
Genci Nimanbegu: Ne i kemi të qarta synimet tona, qëndrimet tona, nuk kemi ndryshuar vite me radhë, as për opozitën pro-serbe ato nuk janë të panjohura. Do të shohim se si do të ecin ditët e ardhshme. Tani, pas zgjedhjeve, dua të shfrytëzoj rastin të falënderoj secilin votues, secilin qytetar për fushatën, e cila ka pasur ndikime të pandershme në vota, posaçërisht nga ana e zyrtarëve lokalë dhe të partisë së Millo Gjukanoviqit, si për shembull me oferta udhëtimesh, që ndikojnë në votën e lirë. Ne duhet ta ngremë zërin që shoqëritë tona të jenë sa më demokratike, që vullneti i votuesve të jetë i lirë dhe kështu do të vazhdojmë.
Radio Evropa e Lirë: Mandatet e dy deputetëve vijnë nga dy koalicione të ndryshme. Si do të ndikojë kjo në vendimmarrje, kur bëhet fjalë për interesat e shqiptarëve?
Genci Nimanbegu: Në hyrjen e parë në parlament do të jenë Nik Gjeloshaj [nga Lista Shqiptare] dhe Fatmir Gjeka [nga koalicioni “Bashkë nji za”]. [V.J. Gjeloshaj, pasi është edhe kryetar i Komunës së Tuzit, nuk mund t’i ushtrojë dy funksione dhe mandatin e deputetit e vazhdon Nimanbegu]. Koalicioni jonë, Lista Shqiptare, do t’i bëjë thirrje edhe koalicionit tjetër që të ulemi dhe t’i dakordojmë qëndrimet tona në masën më të madhe të mundshme.
Radio Evropa e Lirë: E përmendët edhe ju më herët pritshmërinë për tre deputetë shqiptarë. Sikur të bashkoheshit përpara zgjedhjeve, do të ishte më e lehtë arritja e këtij synimi?
Genci Nimanbegu: Me këto vota dhe me këtë dalje, edhe një listë nuk do t’i prodhonte tre deputetë. Për tre deputetë ishin të nevojshme 15,000 vota; ne i kemi marrë 11,000 vota. Shpresojmë që faktori shqiptar të rritet në të ardhmen edhe më tepër. Ne kemi kërkuar disa herë mandate të garantuara dhe shpresojmë të gjejmë bashkëbisedues edhe në qeverisjen e ardhshme. Por, në Kuvendin e Malit të Zi duhen dy të tretat e votave për ndryshimin e Ligjit elektoral dhe kjo çështje do të jetë pjesë e debatit në katër vjetët e ardhshëm.
Radio Evropa e Lirë: Keni besim se do ta arrini këtë qëllim?
Genci Nimanbegu: Ne do të tentojmë, do të kërkojmë dhe shpresojmë në mbështetje edhe të komunitetit ndërkombëtar për këtë kërkesë. Deri tani nuk e kemi pasur. Unë jam posaçërisht i brengosur nga qëndrimi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që shumë herë nuk ka raportuar për qëndrimet tona, për problematikën tonë. Por, shpresojmë të kemi mbështetje edhe nga Shqipëria, edhe nga Kosova, edhe nga faktori ndërkombëtar.