Luan Gjokaj nga Malësia, ekspert në fushën e teknologjisë, ka shfrytëzuar përvojën e fituar ndër vite duke punuar në Zvicër dhe në brende të mëdha si Coca-Cola, Audi, Volkswagen, P&G, etj. në mënyrë që të krijojë diçka që i mbledh të gjithë shqiptarët në një platformë të vetme.
Platforma e quajtur “Toskë e Gegë” është krijuar për të mbledhur dhe kategorizuar ueb-lidhjet nga të gjithë shqipfolësit e Evropës Juglindore – duke përfshirë diasporën.
Misioni i kësaj platforme është që t’i afrojë të gjithë shqiptarët, duke u dhënë hapësirë të barabartë si atyre nga Prishtina, Tirana, Medvegja, Shkupi, Tuzi i Malit të Zi, etj, shkruan Telegrafi.
Thënë më thjesht, të gjitha lajmet për shqiptarët e Evropës Juglindore tani mund t’i lexoni në një platformë të vetme, e të cilat mund t’i ndani sipas kategorisë apo shtetit.
Kategoritë janë të ndara në: Lajmet më të fundit; Lajmet më të votuara; Lajmet nga shtetet e Ballkanit ku jetojnë shqiptarët dhe diaspora.
Platforma po ashtu ofron edhe një ballinë automatike, ku mund t’i ndiqni të gjitha portalet kryesore në gjuhën shqipe.
E ardhmja e platformës “Toskë e Gegë”
Me një vizion të vetëm që shqiptarët të bashkohen përmes internetit dhe të jenë të përditësuar me informacionet për shqiptarët kudo që jetojnë, planet e platformës “Toskë e Gegë” përfshijnë edhe krijimin e komunitetit ku mund të shprehet mendimi i lirë, të shpërndahen lidhjet, të komentoni e të votoni gjëra të interesante në uebin shqiptar!
Vlen të ceket se themeluesi i kësaj platforme, Luan Gjokaj, njëherazi është edhe fitues i 22 çmimeve të ndryshme ndërkombëtare, ku mund të veçohet çmimi “Business Gold” nga Best of Swiss Web.