Kurtezi: Gezuar të dashur bashkëkombas 28 Nëntorin, festën e të gjithë shqiptarëve

Të nderuar bashkëkombas,
Të dashur shqiptarë,

28 Nentori i vitit 1912 është data më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, data kur të gjithë ne shqiptarët festojmë me krenari shpalljen e pavarësisë, e cila nuk ardhi si dhuratë, por vetëm përmes luftërash, mundimesh dhe sakrificash shekullore.

28 Nëntori i vitit 1912 konsiderohet, gjithashtu, edhe si dita e flamurit në ndërgjegjen historike të shqiptarëve. Sepse pikërisht, në 28 nëntor te vitit 1443, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, ai, që mirënjohja  e popullit shqiptar e nderon si Heroin Kombëtar, ngriti në Krujë flamurin e Kastriotëve.

Si një fakt historik, nëntori është muaji që lidh edhe një ngjarje tjetër të rëndësihme për shqiptarët. Perkrah ditës së flamurit, Shqiptarët festojnë edhe 76 vjetorin e çlirimit të vendit nga nazifashizmi, duke e rradhitur vendin krenarisht krah për krah me fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore.

Festa e Pavarësisë vjen sot në kushtet e një pandemie te paprecedentë, ku po humbin jetën me qindra qytetarë. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë me ata që se fitojne këtë betejë, me familjet që përjetojnë dhimbjen e humbjes së njerëzve të shtrenjtë, ndaj dhe ju ftoj të qëndrojmë të bashkuar, të fortë dhe me dashuri për njëri-tjetrin. Le të vazhdojmë përpjekjet tona për të ndihmuar familjet në nevojë nën moton “shqiptarët për shqiptarët” dhe të tregojmë se jemi një komb i bashkuar, i lidhur ngushtë me dhembshuri.

Gezuar të dashur bashkëkombas 28 Nëntorin, festën e të gjithë shqiptarëve.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Ridi Kurtezi, ambasador i Shqipërisë në Mal të Zi