Zgjedhet Qeveria e re e Malit të Zi e kryesuar nga Zdravko Krivokapiq

Me 41 vota pro, një i përmbajtur dhe 28 vota kundër, Kuvendi i Malit të Zi, zgjodhi Qeverinë e re, e cila do të kryesohet nga Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq.

Kabineti i Krivokapiq, sipas propozimit të tij, do të ketë një zëvëndëskryeminister dhe 12 ministra.

Zëvendëskryeministër u zgjodh lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq.

Qeveria e re malazeze është e para që prej tri dekadash që është formuar pa Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, që u mund në zgjedhjet e 30 gushtit të këtij viti.

Në zgjedhjet e 30 gushtit, kryeministri i sapozgjedhur, si një person jopartiak, ishte bartës i listës së koalicionit “Për ardhmerinë e Malit të Zi”,  që fituan pushtetin, i cili përbëhet kryesisht nga Fronti Demokratik.

Kryeministri i sapozgjedhur, Krivokapiq, njoftoi para betimit, se Qeveria e tij përgjatë mandatit prej katër vjetësh, do të përfaqësojë zbatimin e demokracisë së drejtpërdrejtë.

“Ne, të gjithë duhet të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, që qytetarët të ndihen më mirë dhe që Mali i Zi të transformohet në çdo kuptim. Kjo qeveri do të jetë shërbyese vetëm e qytetarëve. Kjo është Qeveria e viktimave, sepse kjo është mënyra e vetme për të filluar më të mirën e përbashkët. Të gjithë ministrat janë gjithashtu viktima për të gjithë. Ne gjendemi në një situatë ku çdo ditë është e çmuar. Gjëja më e rëndësishme është që fitorja e 41 deputetëve u shpreh sot, dhe kjo është fitorja e njerëzve dhe qytetarëve. Përjetoni këtë si një masë të së ardhmes sonë të re”, tha Krivokapiq para votimit.

Qeveria e re u mbështet nga deputetët e partisë nga lista “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, e udhëhequr nga Fronti Demokratik, Mali i Zi Demokratik dhe Lëvizja Qytetare URA. Kundës qeverisë së re ishin partitë opozitare DPS, Socialdemokratët, Partia Social-Demokrate, deputeti i koalicionit shqiptar “Bashkë nji Za”, Fatmir Gjeka, Partia Boshnjake, ndërsa deputeti i Listës Shqiptate “Koha është tani”, Genci Nimanbegu ishte i përmbajtur.

Ndërkaq, kjo Qeveri, nuk ka as një përfaqësues nga radhët e partive të pakicave.

Malesia.Org