Sot Kosova shënon 13 vjetorin e pavarësisë; 13 vjet liri e shpresë, për një të ardhme më të mirë.
Duke përgëzuar për të arriturat e saj, për këto 13 vite, LDSH uron popullin e Kosovës edhe për zgjedhjet e fundit, realizuar në vigjilje të përvjetorit të pavarësisë, dhe fitoren atyre që morën mandatin për të qeverisur 4 vitet e ardhshme.
Vetëvendosjes dhe aleatëve të saj, pinjollit të këtyre anëve, Albin Kurtit, dhe zonjës dardane Vjosa Osmanit, u urojmë sukses në punën e tyre të shenjtë, për të drejtuar një popull të vuajtur e plotë sakrifica, me shpresë se, duke u mbështetur mbi vlerat e arritura, do të dinë të çojnë përpara misionin e atyre që u murosen në themelet e përgjakura të Kosovës, të atyre që bënë çdo sakrificë, për të parë të lirë popullin shqiptarë të Kosovës.
Qeverinë e re, në këtë drejtim e presin shumë sfida, prandaj i dëshirojmë sukses, në të mirën e Kosovës, e të popullit shqiptar në përgjithësi. Të vazhdojë punën për ndërtimin e Kosovës, me synim të integrimeve ndërshqiptare dhe euro-atlantike, për të parë Kosovën aty ku e ka vendin, në familjen e madhe të shoqërive të rregulluara e demokratike evropiane.
Ne shqiptarët në Malin e Zi jemi të sigurt se Kosova do të mbetet derë e hapur për nevojat tona, jo të pakta, e për të cilat e tillë ishte gjatë gjithë kohës.
Kosovë, e shtrenjta jonë, Liria jote, e paguar me gjakun e bijve e bijave Tua, e me sakrificat e miqve Tonë, qoftë e përjetshme!
Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë, Gëzuar ditët e ardhshme, që të gjitha,
Gëzuar shekujt që vijnë!
Me respekt,
Nikollë Camaj, Kryetar i LDSH