Diaspora pa të drejtë vote në vendlindje?

Qeveria e Malit të Zi synon që me ndryshimin e Ligjit për venbanim të përjashtojë  shtetasit e Malit të Zi, të cilët  jetojnë në vendet e jashtme, nga e drejta e votës. Ky vendim sillet me arsyetimin se pjesa më e madhe e atyre që jetojnë jashtë ushtrojnë të drejtë vote edhe në vende të tjera, çka nuk është e lejuar as me legjislaturën ndërkombëtare.

Megjithatë, një numër i konsiderueshëm akoma ushtron të drejtën e votës vetëm në Mal të Zi, pasi jashtë ndodhen vetëm përkohësisht ose planifikojnë të kthehen. Me vendimin e planifikuar të Qeverisë, e drejta e votës do të jetë ekskluzivitet i atyre që si vendbanim të vetëm kanë Malin e Zi, kurse ata që jetojnë jashtë duhet të ç’regjistrojnë vendbanimin nga vendi i origjinës.

Lidhur me këtë kanë reaguar nga Partia Boshnjake, të cilët këtë synim të Qeverisë e cilësojnë si tjetër sulm ndaj të drejtave të pakicave në Mal të Zi dhe si shenjë hakmarrjeje për përkrahjen që pakicat i kanë dhënë pavarsisë së vendit. Kryetari i PB, Ervin Ibrahimoviq, theksoi se ndërsa shumë vende të tjera po shqyrtojnë modelet se si diaporës t’i mundësojnë qasjen në votime, në Mal të Zi po ndodh e kundërta edhe pse diaspora në vend  për çdo vit nis 350-500 milionë euro. Ibrahimoviq shtoi se diaspora është ambasadori më i mirë i vendit dhe se ata si subjekt nuk kanë luftuar për një Mal të Zi të këtillë.

B.Çoba