Dje, në kuadër të mbledhjes së katërt të seancës së parë të rregullt të Kuvendit të Malit të Zi, deputetët kanë diskutuar mbi Raportin e implementimit të Ligjit mbi tubime dhe manifestime publike për vitin 2020 dhe për Raportin mbi gjendjen e sigurisë së komunikacionit në rruga për vitin 2020.
Deputeti Genci Nimanbegu diskutimin e tij e filloi me sarkazëm duke iu drejtuar Ministrit Sekulovic-Minister apostull, sepse sipas deputetit Nimanbegu, kryeministri Krivokapic është vërrtetuar se i takon organizatës fetare të Kishës ortodokse serbe e cila është shumë e kyçur në politikë.
Nimanbegu gjatë diskutimit vlerësoi se popullit i duhet një polici profesionale dhe e vendosur, jo selektive, siç ishte rasti i bastisjes se kafeneve gjate muajit te Ramazanit në Ulqin në qershor të vitit 2017, kur në mënyrë brutale u rrahën të rinjt nga Ulqini nga njësiti special policorë.
Nimanbegu tha se lidhur me këtë rast edhe vetë policët e kanë pranuar fajësinë në gjyq pas dy vitesh, por ai vlerëson se nga këto ngjarje ne duhet të nxjerrim mesazhe të qarta.
Deputeti Nimanbegu poashtu theksoi edhe rastin kur shqiptarët janë kërcënuar me fjalët “kolji siptare” në Berane vitin e kaluar. “Si mendoni se ndihemi ne kur i dëgjojmë këto thënje. Këto vepra duhet ti hulumtojë dhe dënojë policia. Populli na ka dhënë votën që ti mbrojmë, e nëse heshtim apo gabimisht e përdorim pushtetin, ata do të ndihen të pambrojtur”,tha Nimanbegu.
Poashtu në disa komente të deputetëve të pozitës të cilët theksojnë se liria ka ardhur me 30 gusht me fitoren e pushtetit të shumicës aktuale, Nimanbegu tha se liria nuk ka ardh me 30 gusht.
“Hapat e parë drejt lirisë kanë filluar kur popujt pakicë i kanë shtrirë dorën partive qytetare në Mal të Zi në vitin 1998, kur nga luftërat e 98-tës i kemi dhënë mbështetjen politikës për tu nisur drejt Evropës, drejt Bashkësisë ndërkombëtare. Sikur unë të filloj të përmendi se cilat janë incidentet e kryera ndaj shqiptarëve në njëqind vitet e fundit në Mal të Zi, mesiguri se do të nxitja atmosferën, dhe do të tregoja të vërrtetën për secilin rast. Çështja është se këtë gjë nuk e bën populli, por e bëjnë kriminelët, dhe politika është ajo e cila duhet të tregojë qartë se ajo gjë është e papërgjegjshme dhe e keqe. Rruga jonë e vetme është opsioni drejtë Evropës dhe kjo nuk ka alternativë”, theksoi deputeti Nimanbegu.