Për të shkruar rreth rolit të intelektualit në shoqëri duhet kohë dhe hapësirë, kërkohet çasje serioze dhe pragmatike, për shkak se roli i intelektualit në një shoqëri është shumë i madh, e në veçanti në shoqërinë tone është shumëdimensional dhe i pakompensueshëm.
Vite më pare në shkrimet e mia me titull: “Intelektuali i vërtet” dhe “ Pseudointelektualët” u mundova të zgjoj ndërgjegjen e disa prej intelektualëve të heshtur e të përgjumosur, që në të kaluarën jo shumë të largët bartnin poste të larta, ishin: kryetar, nënkryetar, kuvendar, drejtor, anëtar kryesie…etj, e që sot janë strukur në strofullen e tyre dhe bëjnë “sehirë” thuajse nuk po ndodhë asgjë në shoqërinë tonë shqiptare!
Dy shkrimet tona të kaluara kishin të bëjnë me intelektualin publik, me përkufizimet, shpërfaqjen e këtij profili të qytetarit që mënyrë jetese e ka dijen dhe veprimin në favor të shoqërisë. Në këtë ese do të trajtojmë diçka të ndryshme, diametrale, antipodin e intelektualit publik, atë të heshtur dhe jopublik. Fjala jopublik nënkupton një individ që nuk është i njohur nga popullata e përgjithshme, një gjë prapa skenave, të heshtur, të brendshme, intime, private dhe të fshehtë. Përderisa publikja shenjon atë që nuk është private, që është e hapur për publikun, që është e njohur përgjithësisht si për shembull përmes mediave, gjërat jopublike janë të mbyllura dhe të njohura vetëm për një pjesë të vogël të shoqërisë.
E çka në fakt pasqyron termi apo neologjizmi intelektuali i heshtur dhe jopublik? Kjo para se gjithash flet për një kategori shkollarësh që jetojnë në guacën apo shpellën e vet të intelektualizmit, leximit, ligjerimit, hulumtimit që i mban ata gjallë në vendin e punës etj. Intelektualit të heshtur nuk i mungon bagazhi, mendimi, kreativiteti, invencioni, por i mungon guximi që të dale në agorë, që ta thotë të vërtetën si veritas, që të përballet me kritikën ose kritikat, që të dale në skenën ku mund të shigjitohet nga opinioni, kolegët, intelektualët e vërtet dhe para se gjithash nga politika. Intelektualit të heshtur i mjafton vendi i punës , i mjafton paga, i mjafton prestigji për të cilin është vetëdijshëm vetëm ai, institucioni i vet. Ai ka drojë që të mos e turbullojë ujin, që të mos bëhet objekt shkrimesh e komentesh. Ai di, por di vetëm për vetëveten, ai kritikon por vetëm në ndeja diskrete. Kur vjen fjala për të thënë diçka troç, ka dilema, edhe atë shumë të mëdha që e bëjnë që të bashkëjetojë me veten, me kursin dhe diskursin e profesionalitetit, ku nuk ka dyshime për veten, por kur vjen te mejdani i ballafaqimit me të paprekshmit, aty ndalet dhe …suus, hesht! Ai s’e merr guximin për përfshirje aktive publike, ai e ka më lehtë të intelektualizojë brenda hemisferës së vet, brenda globit të shkollarësisë së imagjinuar nga vetë ai. Ai edhe ka liri edhe s’ka liri, edhe e gëzon edhe s’e gëzon lirinë, edhe duket, edhe s’duket, në fakt s’dëshiron të duket, sepse “nuk dëshiron të bëhet i keq”, e në fakt e ndihmon të keqen me heshtjen e vet publike. Intelektuali i heshtur dhe jopublik kollarizohet kur i thonë, e rri gatitur kur e urdhërojnë, jep deklarata me porosi, s’është rahat as në shtëpi.
Ne sot ballafaqohemi me heshtjen e intelektualit, të një pjese të shkollarëve që kanë pritje, në fakt interesa dhe benefite që mund t’u vijë në të ardhmen. Sa e shëmtuar është pamja kur “intelektualë” të caktuar iu vardisen politikanëve, ku shprehin një formë të frikërespektit, që është kategori e teologjisë, jo e raporteve njeri-njeri, por raporteve njeriu-Zoti. Imagjinoni korin e duartrokitjeve për figurat politike edhe kur fliten dokrra, edhe kur thonë të pamenduarën. Në një shoqëri ku edhe kolumnat shkruhen me porosi, ku portale e gazetarë janë me ngjyrime politike, ku edhe mësimdhënësit thurin elozhe për “liderin”, s’mund të flitet as për debat publik, as për intelektualizëm, as për kritikë konstruktive.
Me siguri shumë prej neve na ka ndodhur të na thonë: “shikoje punën tënde, mos u përzij në punë të shtetit, politikës, partisë, prijësit…” “Nuk do ta shpëtosh ti botën, e the, s’e the, ata do të vazhdojnë me të veten”. Ky është defetizmi vetë, kjo është vetëcensura. Këta njerëz nuk kanë dëgjuar për shprehjen “E thash (të vërtetën) dhe shpëtova!” Intelektuali i heshtur dhe jopublik është lumpen intelektual, intelektual i kafeneve, që realisht nuk mundohet të zotërojë asnjë subjekt, por vetëm rrëmon nëpër libra ashtu siç e çojnë inpulset.
Intelektuali është njeriu që ka kaluar nivele dhe filtra të ndryshëm arsimor dhe edukativ, i pajisur me diplomë dhe çertifikata që provojnë ekspertizën-specializimin e tij dhe statusin e caktuar më të lartë nga qytetarët, përgjegjësinë specifike lidhur me ngjarjet e fenomenet. Intelegjencia përfshinë tërësinë e shkollarëve, në veçanti të atyre kulmorë që racionalizojnë rreth dukurive shoqërore dhe përtej. Truri elitar është ai që funksionon për të mirën kolektive, që ka barrë shumë më të rrëndë se sa individualja. Çdo shoqëri synon që të krijojë një klas të njerëzve akademikisht të ngritur dhe të përgaditur me të cilët do ta ndërtojë të tashmen dhe të ardhmen për të garuar me të tjerët.
Sot, kur jetojmë në kohë të çuditshme, në kohët kur të gjithë përbërësit shoqërorë frymojnë në një botë ngulfatëse, kur vlerat janë zhvlersuar, kur kultura është varfëruar, kur qytetërimet janë acaruar, kur njeriu ka humbur nga ajo sublimja, nga thelbësorja e vet, kur kemi shumë shkolla pak mendarë, kur vërejmë figura intelektuale por pak guximtar, çështja e intelektualit të vërtet e të publiciizuar është shumë aktuale, duhet të diskutohet dhe të avancohet. Në veçanti në kontekstin kur të gjithë heshtin para pushtetarëve, kur të gjithë nga masa flasin permes rrjetëve sociale, kur intelektualët s’bëjnë zë, nevoja për intelektual proaktivë dhe publikë është domosdoshmëri, nevojë si uji.
Qani Osmani