Presidenti i klubit shqiptar “Deçiq”: Ishim buzë greminës, sot bëjmë histori

Pal Dreshaj, presidenti i klubit shqiptar “Deçiq” nga Tuzi i Malit të Zi, i cili nesër do të përballet me nënkampionin e Kosovës në futboll, Dritën në garat e Ligës së Konferencës  duke folur në emisionin “Evropiani Special”, ka rrëfyer rrugëtimin e klubit të cilin ai e udhëheq deri në sukseset e prezantimit të Malit të Zi në garat ndërkombëtare të futbollit.

Dreshaj ka thënë se klubi “Deçiq” për herë të parë pas 95 vjetëve kualifikohet në garat e UEFA-s dhe për herë të parë në histori ishin finalist të Kupës së Malit të Zi.

Tutje, Dreshaj thotë se punën e kanë filluar si menaxhment i ri i themeluar nga komuna e Tuzit para dy vitesh e cila mori të gjitha kompetencat themeluese të klubit i cili sipas Dreshajt, deri në atë vit rrugëtonte në korridore të errëta dhe kur nuk arriti që të dilte në sipërfaqe dhe se deri para dy viteve e kishte humbur edhe identitetin së prej cilës trevë vinte.

“Ne nuk e dinim që në Tuz ekziston një ekip shqiptar i futbollit ku edhe para dy vitesh ishim para shuarjes dhe për dy vjet nga Kategoria e Dytë u ngjitëm në Kategorinë e Parë dhe për dy vjet i arritëm këto rezultate historike”.

I pari i klubit “Deçiq” thotë  se situata në Mal të Zi është më specifike dhe nuk është e lehtë që si pakicë në një shtet të dalësh në kulmin e piramidës.

“Natyrisht që ne i kemi entuziazmuar të gjithë popullatën shqiptarë në Mal të Zi dhe u kemi dhënë një shpresë se edhe në sferat tjera mund të jemi në maje të kësaj piramide”, është shprehur Dreshaj, njofton Klankosova.tv