NËNTORI I ALFABETIT

Nga Qani Osmani

Alfabeti i Gjuhës shqipe-njës ndër gjuhët më të vjetra të kontinentit evropian, ka bërë rrugë të gjatë dhe të mundimshme, rrugë identike me atë të etnisë shqiptare, gjer në konsolidimin e saj pas kongresit të Manastirit, të vitit 1908. Ajo është shtruar me gjakun dhe eshtrat e drobitur të martirëve të dritës së diturisë, të flijuar vetëdijshëm në dhëmbëzoret e pushteteve satrape që e kishin zor që shqiptarin ta shohin zot të vetvetes, shqiptarin e qytetëruar në auditoret shkollore, shqiptarin e ndërgjegjësuar që të punojë më shumë për vetveten se sa për tjetrin. Këto janë shkaqet përse kombi me kultivues të hershëm kulture e letërsie arriti ta konsolidojë alfabetin vetëm në fillim të sh. XX, pas gjithë shteteve ballkanike të gjendur më shumë se 5 shekuj nën të njejtin pushtues; përse aq vonë u realizua njëra prej ëndrrave të mëdha rilindëse: përcaktimi për një alfabet të vetëm që u dha fund synimeve shkombëtarizuese të atyre që rezervuan për shqiptarët prapambetjen anakronike.

Në këso rrethanash lindën natyrshëm shumë projekte dhe u gjurmuan rrugë që kishin një synim të përbashkët: të vetëdijësohet populli, ta njohë fillimisht vetveten dhe ta kuptojë kush është, ç’gjuhë dhe gjaku i përket, cili është Atdheu i tij dhe si do të pozicionohet për të mbijetuar shekujt e ardhshëm në botën oqean të peshkaqenëve të mëdhenj, që zhbëjnë pamëshirshëm etnitë e sëmura nga ileti i përgjumjes kronike.Përcaktimi për një alfabet të vetëm që bashkë me shkollën shqipe dhe emancipimin e përgjithshëm të popullit, u bënë motoja e veprimtarëve të Rilindjes, që besonin se vetëm një komb i ngritur mund t’i tejkalojë antagonizmat e brendshme, që ishin bërë pengesë e projektit madhor për formimin e njësisë së kombit, të gjuhës dhe të shtetit shqiptar sipas modelit të ndjekur dekada më parë vendet-kombet e Evropës.

Natyrishtë, ky vetëdijisim nuk mund të realizohej nga kombi i mbetur në terrin e prapambetjes, nga kombi analfabet, nga kombi i ndarë si mos më keq e me plot plagë në shtat. Për këtë, Rilindësit hodhën iden e emancipimin dhe u vunë pas gjetjes së një alfabeti të përbashkët, që do të rezultonte me bashkimin dhe ndritjen e shpirtit shqiptar. Ata iu kthyen rrugës së ndërprerë të shkrimit të shqipes dhe sfiduan numrin e madh të alfabeteve në të cilët kishin nisur të shtypen libra dhe gazeta të shumëllojshme.

Fatmirësisht, gati të gjithë Rilindësit mendjendritur ishin të prerë në përzgjedhjen e alfabetin latin, sepse me këto shkronja do të qenë shkruar librat shqip që para vitit 1332, për të ç’gjë dëshmon murgu frances Brokardi, ai që vërejti se : shqiptarët kishin një gjuhë të ndryshme prej latinëve, sado që librat e tyre i shkruanin me alfabetin latin… Ata u përcaktuan për alfabetin latin sepse me të u shkruajtën librat e autorëve shqiptarë të kohës së humanizmit dhe rilindjes evropiane, kur i gjithë kontinenti në atë alfabet e gjuhë i shkruante letërsitë nacionale; sepse me shkronjat latine u shkruajt dokumenti i parë i njohur i shqipes: Formula e pagëzimit e Pal Ëngjëllit, libri i parë shqip “Meshari” i Gjon Buzukut, veprat e Bogdanit, Budit e Bardhit…,vepra madhore e Naimit; perla e letërsisë së Rilindjes “Këngët e Milosaos” e Jeronim de Radës, për të cilën folën fjalë të mëdha titanët e letërsisë evropiane: Hygoi, Lamartini, Aleksandar Dyma; poezitë e pakalueshme të Ndre Mjedës, të shkruara me mjeshtërinë e një filigranisti, të cilave nuk mund t’u shtosh a t’u heqish asnjë presje e shumë të tjera…Me një fjalë, alfabeti latin heq vijë që prej shekujsh të harruar e këndej…, në dallim prej atij grek e turko-arab që u imponoheshin shqiptarëve me arsyetime të paargumentuara shkencërisht.

Zgjedhja e një ABC-je të vetme për shkrimin e Shqipes sfidoi anarkinë e alfabeteve që përdoreshin në vigjilje të Kongresit të Manastirit, të cilët e bënë gjuhën, jo vetëm mjet shpëtimi të kombit, por dhe element që nisi të rrezikojë seriozisht ekzistencën e tij. Qe ky momenti i fundit  për ta kuptuar se dezintegrimi i gjuhës nënkuptonte dhe dezintegrimin e etnisë.

Për nga distanca e sotme, duhet thënë se Kongresi i alfabetit të Gjuhës shqipe Përfaqëson njërën prej fitoreve të mëdha historike e kulturore që ka korrur kombi ynë. Pa të nuk do ta kishim as standardin e sotëm të gjuhës, që edhe përkundër vërejtjeve që mund t’i bëhen, na përcolli gjer këtu ku jemi si një komb i vetëm, duke sfiduar fuqishëm, pikërisht përmes SHQIPES, ndarjet tragjike që na i bënë të tjerët.

Falë këtij monumenti që përbën vijën kyçe identitare të shqiptarëve, parardhësit tanë bënë të pamundërën për të krijuar nga hiri qytetërimin shqiptar. Neve na mbetet vetëm të kujdesemi mos të shkelim turpshëm mbi djersën dhe gjakun e tyre. Prandaj, dita e ABC-së duhet festuar gjithandej ku jetojnë shqiptarët, sepse janë shkronja të gjuhës sonë – sinonimit të Atdheut.