Komanda amerikane themelon bazë ushtarake në Shqipëri

Komanda Evropiane e Operacioneve Speciale të Ushtrisë Amerikane, e njohur me akronimin SOCEUR, ka njoftuar të enjten që do të themelojë një bazë ushtarake në Shqipëri për të rritur efikasitetin e pranisë së saj.

Gjeneralmajor David H.Tabor, komandat i SOCEUR, tha se vendosja e bazës në Shqipëri mundëson forcimin e partneriteteve me aleatët e Aleancës Veri-Atlantike (NATO) në rajon dhe “rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon”.

“Shqipëria mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një partnere e çmuar e sigurisë, si në nivel rajonal ashtu dhe global”, tha David H.Tabor.

SOCEUR theksoi se ky shtab pararojë do të funksionojë me rotacion.

Ambasada amerikane në Tiranë e quajti këtë vendim një “gurthemel për stabilitetin rajonal”.

Sipas deklaratës së SOCEUR-it, vendndodhja e selisë në Shqipëri “do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik”.

Komanda amerikane theksoi se vendimi është bërë i mundur nga Qeveria shqiptare dhe profesionalizmi i ushtrisë së saj.

“Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s dhe SHBA-ja gëzon një marrëdhënie të fortë me Qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat një vendim të natyrshëm”, thuhet në deklaratë.

Vendimin e SOCEUR-it për vendosjen e shtabit pararojë e përshëndeti kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke e quajtur “super-lajm” për të cilin “kemi disa kohë që punojmë”.